Rrahu nxënësit në Bulqizë, zbardhet dëshmia e mësuesit në Polici

Mar 11, 2016 | 14:58
SHPËRNDAJE

Ka vijuar për orë të tëra marrja në pyetje e mësuesit Agim Muça dhe tri nxënëseve të shkollës Orzhanovë të Ostrenit, të cilat u lënduan më rëndë nga kjo ngjarje.

diber agim muca mesuesi

Oficerë të Policisë Gjyqësor Bulqizë pohuan se dëshmitë e dhëna nga mësuesi dhe fëmijët janë kontradiktore. Nga sa mësohet nga burime të Policisë që u morën me këtë rast, mësuesi nuk e ka pranuar dhunën.

Fillimisht, ai ka deklaruar se nxënësit e kanë përqeshur, por pa pohuar se ishte ai që qëlloi me grushte e dru mbi ta. Të njëjtën dëshmi mohuese ka dhënë dhe në komisariat. Sipas të njëjtave burimeve thuhet se mësuesi mohon kategorikisht të ketë dhunuar nxënësit e tij, madje hamendëson se ky është një kurth i ngritur nga banorë të fshatit.

“Unë nuk i kam rrahur kurrë nxënësit e mi. I kam dashur dhe vlerësuar si fëmijët e mi”, është shprehur para efektivëve të Policisë mbrëmë Agim Muça, banor në fshatin Ostren të Bulqizës. Ndërsa nxënëset që pretendojnë se janë rrahur disa herë nga mësuesi i tyre, shprehen se Muça i ka goditur me mjete të forta dhe i ka përplasur për muri.

“Mësues Agimi na ka rrahur disa herë. Sa vinte mesdita, ai shkonte te lokali në qendër të fshatit dhe kur kthehej, ishte plotësisht i dehur. Na kërcënonte, na rrihte dhe na shante. Pasi na përplaste kokën në bankë a mur apo na godiste me dru a shuplaka, na detyronte të mos u tregonim prindërve, vëllezërve apo motrave. Nuk është e vërtetë se ne e kemi fyer apo përqeshur mësuesin. Kur e kuptuam se nuk kishim rrugë tjetër për të shpëtuar nga dhuna e mësuesit, u detyruam t’u themi prindërve”, kanë thënë ato në Polici.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura