Rrahja e kandidatit të FRD, arrestohet i dyshuari

Jun 13, 2013 | 12:54
SHPËRNDAJE

Mit’hat Hoxha
FIER – Arrestohet nga policia i dyshuari për dhunimin e Mit‘hat Hoxhës, kandidatit të Frymës së Re Demokratike në Roskovec të Fierit. Tri ditë pas ngjarjes, Policia lokale në Fier ka pohuar dje se autori i dyshuar i dhunimit të kandidatit për deputet është shtetasi Eugen Çaushi, 29 vjeç, banor i zonës. “Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 9 qershor 2013, ku është rrahur shtetasi Mit’hat Hoxha, mbi bazën e materialeve të referuara nga Policia Gjyqësore e Drejtorisë së Policisë Qarkut Fier, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier regjistroi procedimin penal për nenin 325 të Kodit Penal”, tha dje Policia në një deklaratë. Sipas saj, nga hetimet e kryera në lidhje me këtë procedim u arrit të identifikohet si një nga autorët e dyshuar, shtetasi Eugen Çaushi, vjeç 29, banues në Roskovec, Fier. “Nga kallëzimet qe ka dhënë i dëmtuari, shtetasi Mit’hat Hoxha dhe bashkëshortja e tij nuk rezulton qe të jenë kërcënuar më parë”, theksohet në deklaratën e Policisë së Fierit. Sipas saj, nga ana e strukturave të Drejtorisë së Policisë Qarkut Fier, në baze të urdhrit të ndalimit të Prokurorisë, u bë ndalimi i të dyshuarit në lidhje me ngjarjen. Policia në deklaratën e saj ka shpjeguar diçka sa i përket motivit të ngjarjes. “Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se ngjarja nuk ka motive politike, ndërkohë po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, theksohet nga Policia. Sipas saj, pas ndalimit të të dyshuarit, materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Nga komunikimet verbale, Policia e Fierit thoshte mbrëmë se rrahja e kandidatit të FRD ka ndodhur pas një konflikti verbal. Nga ana tjetër, burime të grupit hetimor kanë thënë se dyshimet kryesore për ngjarjen lidhen me një borxh të pakthyer, që ka qenë edhe shkak i dhunës së ushtruar ndaj kandidatit të FRD në Roskovec të Fierit. Mit‘hat Hoxha u qëllua nga dy persona në afërsi të banesës së tij në fillim të javës. Ai po kthehej nga disa takime elektorale kur ra pre e dhunës. Familja e tij pretendoi se Hoxha ishte kërcënuar pasi shpalli kandidaturën, ndërsa Policia tha se nuk ka pasur asnjë denoncim.                                                                                  m.r

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura