Rrahja e biznesmenit, Pal Seçuni: Ju tregoj të vërtetën për pronën

Sep 24, 2016 | 9:01
SHPËRNDAJE

Pal Seçuni, 72-vjeçari nga Draçi, ka mohuar të ketë pasur konflikte me biznesmenin libanezo-amerikan, Fadi Mitri. Gjatë një interviste për gazetën “Panorama”, Seçuni tregon se nuk njihej personalisht me biznesmenin që u dhunua pak ditë më parë dhe pohon se prona e tij nuk është e njëjta me atë Mitrit.

SelquniSeçuni shprehet se prona prej 4.5 hektarësh është jashtë rrethimit (pronës) që ka kryer disa vite më parë biznesmeni amerikan në Gjirin e Lalëzit, ku ishte planifikuar të ndërtohej resorti turistik.

Z.Seçuni, akuzoheni se keni falsifikuar dokumentacionin për të përfituar rreth 4 hektarë tokë këtu në Gjirin e Lalzit. Cili është qëndrimi juaj rreth kësaj çështjeje?

Sigurisht, kjo është diçka e pavërtetë. Pronën e kemi fituar me proces gjyqësor dhe procesi ka përfunduar në muajin mars 2016. Gjykata na njohu pronën prej 4.5 hektarësh në Gjirin e Lalzit. Nuk kemi falsifikuar as dokumente dhe asgjë tjetër dhe nuk do ta kisha bërë kurrë, nëse nuk do të isha i sigurt se prona më takonte mua dhe familjes sime. Kur them familjes, e kam fjalën edhe për vëllezërit, nipërit dhe mbesat. Jemi gjashtë pjesëtarë te prona prej 4.5 hektarësh në Gjirin e Lalzit.

Si e përfituat këtë pronë?

Kjo pronë është pronë e babait tonë, ndaj e kemi fituar fillimisht me kthim kompensim prone, ndërsa më pas edhe nga gjykata. Prona që disponojmë ne prej 4.5 hektarësh ndodhet ngjitur me atë të biznesmenit që u dhunua pak ditë më parë. Ai e ka rrethuar pronën e vet, ndërsa ne nuk e kemi rrethuar akoma. Prona prej 4.5 hektarësh në Gjirin e Lalzit ishte prona e babait tonë të ndjerë dhe ne arritëm ta fitonim me kthim kompensim prone.

Autoritetet shprehen se janë falsifikuar dokumentet që ju arritët të përfitonit këtë pronë. Qëndron ky pretendim i Prokurorisë?

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ne kemi ngelur të shokuar kur shikojmë pushtetarët që zihen dhe akuzojnë njëri-tjetrin, duke përdorur emrin tim. Përmendet emri im, pasi në dokumente figuroj vetëm unë sepse vëllezërit ma lanë mua të merresha me procedurat dhe të kisha akses për të folur dhe vepruar edhe në emër të 5 pjesëtarëve të tjerë. Unë u them se nuk kam lidhje më ketë punë dhe dokumentacioni i mbledhur për të fituar pronën është krejtësisht i saktë.

Dyshohet se keni organizuar dhunimin e biznesmenit amerikan, i cili u dhunua pak ditë më parë. Keni të bëni me këtë çështje?

Absolutisht jo! Personalisht nuk e njoh biznesmenin sepse nuk më ka lidhur puna ta njoh dhe as ai s’besoj se më njeh, pasi nuk ka pasur arsye pse të më njihte. Ne nuk na ka lidhur puna me njëri-tjetrin, pasi edhe pronat janë të ndara dhe s’kemi pasur konflikte. Prona e biznesmenit është e rrethuar prej shtatë vitesh, ndërsa pjesa jonë rezulton të jetë jashtë rrethimit që ka bërë ai. Pra, nuk kemi konflikt me biznesmenin ne sepse ai ka pronën e tij të rrethuar dhe ne ndodhemi jashtë gardhit. S’kemi pasur probleme kurrë me Fadi Mitrin, as me investimin që thuhej se do të ngrihej. Madje, doja të më thërriste policia për të më ballafaquar me biznesmenin kur e dhunuan, pasi ishin hapur fjalë se e kisha organizuar unë.

Nuk jeni thirrur për të deponuar në polici rreth kësaj situate?

Jo. Policia nuk më ka thirrur deri tani. Madje, kur u hapën llafe se ai ishte dhunuar nga persona që kishin pronat afër tij, unë desha të ballafaqohesha me të. Sigurisht ai nuk më njihte, por as unë nuk e kam të njohur për fytyrë, por policia nuk më thirri. Televizori dhe gazetat prej disa ditësh e kanë si lajm të parë këtë çështje, ndërsa unë nuk jam thirrur për të dhënë versionin tim. Unë kam pretendimet e mia dhe besoj se i kam të sakta.

Pse protestuat disa vite më parë kur biznesmeni rrethoi pronën?

Atëherë ne protestuam si zonë, pasi biznesmeni kishte rrethuar edhe brezin e rërës dhe nuk kishim nga të kalonim. Kjo ishte arsyeja pse protestuam pak vite më parë. Më pas, ai e hoqi gardhin dhe e vendosi në brezin e pishave në tokën e vet d.m.th. dhe ne u qetësuam si banorë të zonës.

Ju thoni se prona juaj ndodhet jashtë rrethimit që ka kryer biznesmeni amerikan. Pse mendoni se emri juaj po përmendet gjithandej?

Nuk e di. Ndoshta ata ngatërrojnë pronën. Ndoshta bëhet fjalë për ndonjë parcelë brenda gardhit të pronës së biznesmenit, por ne s’kemi lidhje sepse jemi jashtë rrethimit. Kjo situatë na ka shqetësuar të gjithëve. Jemi të shqetësuar sepse duan të na implikojnë diku ku s’kemi lidhje fare. Ne na njeh e gjithë zona dhe e dinë si qëndron e vërteta. Ju siguroj se as kemi falsifikuar dokumente, as kemi dhunuar biznesmenin dhe as kemi pasur ndonjëherë konflikt me të. Ne pronën e kemi jashtë rrethimit dhe s’kemi pse përzihemi fare me këtë punë. Shpresojmë që gjithçka të zgjidhet dhe të dalë në dritë e vërteta.

LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura