Rrahja e biznesmenit/ Flet për herë të parë investitori Fadi Mitri

Sep 13, 2016 | 11:35
SHPËRNDAJE

Biznesmeni Fadi Mitri, i rrahur për spital paraditen e së shtunës, ka reaguar për herë të parë.

Biznesmeni amerikan, Fadi Mitri, pak momente pasi u sulmua
Biznesmeni amerikan, Fadi Mitri, pak momente pasi u sulmua

I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, tha se momentalisht është më mirë. “Jam shumë mirë, por nuk është momenti i përshtatshëm për të folur”, u shpreh ai, pa dhënë detaje rreth ngjarjes.

Vetë biznesmeni i plagosur ka arritur të fiksojë targën e automjetit “Tuareg”, ku ndodheshin autorët, të cilën edhe e ka fotografuar, pasi mjeti gjatë gjithë rrugës kryente manovra të rrezikshme dhe parakalonte makinën e tij.

Burimet thanë se makina ka qenë me targa italiane, të vjetra, që pas verifikimeve nuk kanë rezultuar të ketë kaluar në rrugë zyrtare kufirin shqiptare. Targat mund të jenë të vjedhura dhe janë përdorur enkas për të kryer sulmin ndaj sipërmarrësit 55- vjeçar Fadi Mitri.

Të gjitha këto të dhëna dëshmojnë për një sulm të paramenduar dhe të qëllimshëm nga ana e autorëve dhe aspak për një ngjarje aksidentale, ashtu siç u tha dy ditë më parë në njoftimin paraprak të Policisë.

Ngjarja 

Paraditen e së shtunës, Policia e Tiranës ka marrë një njoftim në sallën operative për një aksident, ku ishin përplasur dy automjete në rrugën e Rinasit, pranë kryqëzimit të Laknasit. Fillimisht në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë Rrugore dhe një autoambulancë, pasi ishin njoftuar për dy persona të plagosur.

Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës, por aty është gjetur vetëm njëra prej makinave të përplasura, “Mitsubishi”, që drejtohej nga një shtetas shqiptar, por pasagjer në të cilën kishte qenë një biznesmen i njohur amerikano-libanes, 55- vjeçari Fadi Mitri.

Në makinë kanë qenë edhe e shoqja dhe fëmija i Mitrit, të cilët janë bërë dëshmitarë të sulmit barbar, ndonëse vetë nuk kanë pësuar asgjë. Dy të plagosurve u është dhënë ndihma e parë në vendngjarje dhe nga deklarimet paraprake është mësuar se nuk bëhej fjalë për një aksident, por një sulm të qëllimshëm.

Për këtë arsye, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit të Vorës e më pas edhe oficerët e Krimeve të Rënda, të cilët po merren me hetimin e ngjarjes. Burimet thanë se një automjet tip “Tuareg”, me targa italiane, ka përplasur qëllimisht mjetin tip “Mitsubishi”, ku ndodhej biznesmeni i huaj.

Pas përplasjes, të dy makinat kanë ndaluar dhe shoferi i Fadi Mitri-t ka zbritur për të biseduar me shoferin e mjetit tjetër që shkaktoi “aksidentin”. Por pa shkëmbyer asnjë fjalë me të, nga makina kanë zbritur nxitimthi shoferi dhe 2 personat e tjerë që e kanë sulmuar duke e goditur me shkop bejsbolli.

Më pas ka zbritur nga mjeti edhe biznesmeni i huaj, i cili dyshohet se ka qenë edhe objektiv i sulmit. Autorët kanë ndërprerë goditjet ndaj shoferit dhe kanë nisur të qëllojnë biznesmenin amerikan, të cilin e kanë lënë vetëm pasi e kanë gjakosur dhe thyer këmbën.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura