Rrahën Enver Bashën, të riun që ndihmoi në arrestimin e Xhuvanit, 20 ditë burg për dhunuesit. Ja biseda mes tyre

Feb 27, 2015 | 11:30
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Dy të arrestuarit për rrahjen e Enver Bashës, personit që ndihmoi policinë në arrestimin e Kostandin Xhuvanit, do të qëndrojnë në qeli për 20 ditë.

Enver Basha ne spital, duke folur per “Panorama”

Gjykata e Tiranës caktoi dje këtë masë sigurie ndaj të dyshuarve Flamur Bulica 26 vjeç dhe Ardit Sula 19 vjeç. Para gjyqtares së gatshme, Fida Osmani, avokati i të arrestuarve tha se klientët e tij nuk kishin asnjë lidhje me Xhuvanin.

Mbrojtësi pretendoi se konflikti ka ndodhur pasi Basha u ka marrë klientëve të tij kartën e identitetit dhe çelësat e automjetit, duke u hequr si punonjës policie. Ky fakt u pranua edhe nga përfaqësuesi i akuzës në proces, i cili kërkoi “arrest në burg” për të dyshuarit, për akuzën e “plagosjes së rëndë”.

Në përfundim gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 20-ditor për të dy të dyshuarit, kohë gjatë së cilës prokuroria duhet të saktësojë rrethanat e ngjarjes.

NGJARJA SIPAS AKUZES
Në kallëzimin e tij në Policinë e Tiranës, Enver Basha ka pohuar se mbrëmjen e të hënës dy të dyshuarit i kanë folur teksa ishin në një automjet në rrugën “Budi”.

Ai ka rrëfyer se ata e kanë pyetur nëse kishte hashash. “Me mua e keni? Njihemi gjë”, ka rrëfyer të jetë përgjigjur Basha. Më tej, ai ka treguar se biseda është acaruar dhe personi që ndodhej në timonin e automjetit e ka pyetur “Mos je i policisë ti?”.

Sipas akuzës, në këtë moment Basha ka pranuar të ishte polic dhe u ka kërkuar atyre kartat e identitetit. “Enver Basha është afruar dhe i ka marrë Flamur Bulicës kartën e identitetit, si dhe çelësat e automjetit nga kruskoti.

I dyshuari ka pasur bindjen se nuk kishte të bënte me një punonjës policie. Ai është konfrontuar fizikisht me të dëmtuarin Basha, duke dhënë dhe marrë grushte, ku ka marrë dhe një dëmtim të rëndë në hundë”, tha prokurori Gjergji Tako.

MBROJTJA
Avokati mbrojtës i të dyshuarve Bulica dhe Sula, tha dje se klientët e tij kanë reaguar ndaj sulmit të Bashës.

“Enver Basha i ka marrë klientit tim Flamur Bulica kartën e identitetit dhe çelë- sat e automjetit. U ka thënë që do t’i çonte për verifikim në polici. Konflikti ka lindur në momentin që i dyshuari Flamur i ka kërkuar kallëzuesit t’i tregonte një dokument identifikues të policisë. Në këtë moment, ai është qëlluar nga Basha dhe më pas, në kushtet e vetëmbrojtjes, edhe ai ka reaguar”, tha avokati.

Sipas mbrojtësit, Bulica dhe Sula kanë lajmëruar vetë policinë për ngjarjen dhe më pas janë vetëdorëzuar në Komisariatin nr.1 të Policisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura