Rozana Radi nis eksperiencën si ‘sekretare e opozitës’, si përfundoi në dhomë hoteli me ministrin

Feb 8, 2020 | 21:34
SHPËRNDAJE

Rozana Radi ka postuar një foto jo shumë të zakonshme në profilin e saj të “Instagram”- it. Rozana shihet në një foltore të Kuvendit, veshur me të brendshme dhe sipër një robdeshambër ngjyrë floriri. 

Në dorën e saj të djathtë mban një këpucë, ka vendosur syze optike dhe në mendjen e saj shkruhet: “Unë jam thjesht një sekretare e opozitës”.

Ç’ka dashur të thotë Rozi me këtë? Me anë të këtij postimi Rozana po promovon komedinë më të fundit ku ajo do interpretojë. Mbase Rozi do të luajë rolin e një sekretareje të opozitës, e cila duket shumë seksi.

“Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament’. Një komedi, e cila të rrëmben që në hapjen e dritave! P.s: Më keni parë këto kohë me Femzanat në TV, por tani keni mundësinë të më shikoni nga afër në teatër. Jam e sigurt që këtë të qeshur nuk do ta harroni! Ju dua”, shkruante Rozana krah postimit në “Instagram”.

Komedia me regji të Elma Doresit, “Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament” që do të vihet në skenë më 14 shkurt, premton të jetë ngjarja skenike e vitit, për shkak të situatave në skenë, që vijnë të ngjashme me realitetin e sotëm politik në Shqipëri.

Komedia do të bashkojë aktorët: Rozana Radi, Dritan Boriçi, Klod Hoxha, Alban Musa, Ajlin Petrela, Lorenc Kaja, Jorida Meta dhe Aldion Matarangasi, Suela Konjari dhe Elidon Alika, që në drejtimin e Doresit dhe me skenë nga Eldo Disha, do të sjellin të qeshura në një komedi brilante të humorit të hollë anglez.

E shkruar në vitet ’80 nga Ray Cooney, ajo mbetet shumë aktuale dhe duket se regjisorja ka gjetur paralele me realitetin e sotëm të politikës shqiptare. Ministri, sekretarja e opozitës dhe një dhomë hoteli, ky është trinomi që pason me një mori ngjarjesh dramatike për personazhet, duke përcjellë situata dhe batuta nga më komiket.

Aktorët më të spikatur shqiptarë, ndër ta dhe artistja Rozana Radi si sekretarja e opozitës, rikthehen në skenën e teatrit me këtë komedi. Elma Doresi është një nga regjisoret më të vlerësuara të teatrit shqiptar nga publiku, sepse ajo ka ditur gjithmonë të godasë me veprat që ka ngjitur në skenë. Për dy vite ajo qëndroi larg teatrit, jo për të hequr dorë, por për t’u rikthyer me një shfaqje, me të cilën e dinte që do intrigonte çdokënd.

Për pak ditë, Elma do të ngjisë si regjisore në skenën e teatrit të komedisë “Roland Trebicka”, shfaqjen “Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament”. Doresi ka zgjedhur disa nga emrat më të njohur të aktorëve në vend si: Suela Konjari, Dritan Boriçi, Alban Musa, Klodian Hoxha, Rozana Radi, Ajlin Petrela, Lorenc Kaja, Aldjon Matarangasi, Jorida Meta dhe Elidon Alikaj, për t’u siguruar që shfaqja e saj jo vetëm do të argëtojë, por edhe do të përcjellë mesazhin e duhur te publiku.

Në fakt, duket se me “Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament”, Elma nuk dëshiron të tërheqë vëmendjen e publikut, por të parlamentarëve, të cilët duhet të reagojnë sa janë ende në kohë për veprimet e tyre. Në një intervistë për “Shekullin”, regjisorja e njohur tregon çfarë duhet të presim nga kjo shfaqje dhe si e shikon ajo situatën aktuale të teatrit në vend.

Në këtë intervistë, Elma, duke folur për shfaqjen, është shprehur: “Përse kjo vepër cilësohet si shumë aktuale me realitetin e sotëm në Shqipëri? Sepse kjo në fakt është meritë e autorit. Autorët e mëdhenj prandaj marrin këtë titull, pasi veprat dhe ndërtimet e tyre mbeten aktuale në çdo kohë dhe në çdo moment. Është vepër e shkruar diku rreth viteve ‘80. Sot jemi në 2020-ën e duket sikur është shkruar pikërisht sot. Linja kryesore e veprës është një ministër i ri në detyrë, i cili vendos të kalojë natën me sekretaren e opozitës. Të dy të martuar. Madje, mbi ministrin rëndon edhe një fakt tjetër. Ai ka ikur fshehtas nga mbledhja e jashtëzakonshme për të plotësuar epshet e tij. A nuk ndodh edhe te ne diçka e tillë? Pra, një udhëheqës të abuzojë me detyrën? Besoj se po”. 

Pyetjes nëse kjo shfaqje është menduar të godasë figurat e politikanëve shqiptarë dhe të tregojë fytyrën e tyre të vërtetë, ajo i përgjigjet: “Shfaqja ka si qëllim argëtim dhe reflektim. Argëtimi është për publikun. Reflektimin e dua nga politika. Ata janë të caktuar në postet e tyre për të udhëhequr popullin, në shërbim të popullit dhe jo të vetes se tyre. Ka një ngjashmëri midis një hoteli dhe një Parlamenti shumë. A hyjnë e dalin shumë figura aty? A bëhen marrëveshje në të dyja vendet? A ka kënaqësi dhe tradhti në të dyja vendet? etj., etj., pa dashur të zbuloj më shumë, pasi teatri e ka magjinë ‘live’, ftoj të gjithë politikanët dhe parlamentarët ta shohin veten e tyre në një shfaqje argëtuese”. /Panoramaplus.al

   

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura