Rozana Radi: Këto foto seksi paralajmërojnë rikthimin tim pas një pauze në muzikë

Apr 14, 2015 | 11:38
SHPËRNDAJE

Këngëtarja shfaqet e transformuar në setin e ri fotografik, ku bën reklamë për make-up dhe thonjtë

‘’Aftësi e femrave është të bëjnë shumë gjëra njëkohësisht… Nuk kam në dorë një telekomandë që të bëj gjërat si dua dhe kur dua. …Një nënë e realizuar do më pëlqente më shumë….’’
Po të mos jua prezantonim, sigurisht që nuk do e njihnit, sepse fotot e reja e tregojnë një super femër. Po rikthehet me disa projekte të reja e një ndër ato është dhe fotosesioni i fundit, ku duket mahnitëse. Pas fitores në “Dance with me” dhe pauzës në muzikë, Rozana Radi po mendon një rikthim të fuqishëm.
Po rikthehesh me një fotosesion dhe reklamë të re, është ky fillimi i sezonit të ri për ty?
Kam vite që bashkëpunoj me një zonjë të nderuar, e cila gjithmonë më ndryshon bukur në daljet e mia publike. Frida njeh linjat e fytyrës sime edhe me sy mbyllur, jam e lumtur që ajo më bën make up-in. Menduam të bëjmë dhe një set fotografik për të paralajmëruar kthimin tim në muzikë. Këtu ka një falënderim dhe Juxhin Kurti, i cili më bëri të ndihem komode.
Pse ky lloj pozimi?
Janë thjesht foto ku reklamohet make up dhe thonjtë.
Mendon se ka ardhur koha që Rozi të krijojë familje?
Të mendosh dhe të realizosh janë dy gjëra të ndryshme. Nuk kam një telekomandë në dorë për të bërë gjërat si dua unë e kur dua, çdo gjë vjen natyrshëm në jetë.
Do kishe sakrifikuar karrierën për një marrëdhënie stabël, së bashku me një martesë të lumtur dhe disa fëmijë?
Mendoj që do jem e aftë t’i bëj të dyja paralel. Kjo është aftësi e femrave, bëjnë shumë gjëra në të njëjtën kohë.
Mendon se roli i nënës në jetë është shumë më i rëndësishëm se një karrierë e suksesshme?
Mendoj se një femër e realizuar në karrierë ka nevojë të plotësohet edhe si nënë. Sigurisht që roli i nënës është kryesori, ndaj dhe një nënë e realizuar do të më pëlqente më shumë.
Ka kohë që nuk ke realizuar një këngë të re, e në anën tjetër ke krijuar shumë tekste hite, pse ky vendim?
Unë mendoj se çdo artist ka nevojë për pak pushim. Nuk iu largova ekranit, pushova pak në aspektin e këngëve, sepse me “Dance with me” isha pranë publikut, por sigurisht që tekstet kanë zënë një pjesë të mirë të kohës sime.
E gjatë kësaj periudhe janë sajuar shumë thashetheme për ju, nga doli lajmi se Rozana ka një fëmijë sekret?
Kur pranon të jesh person publik, duhet të paguash dhe riskun. Thashethemet nuk ndalen asnjëherë, mendoj që është bërë një tjetër thashethem në kuadër të klikimeve online.
E viziton shpesh Londrën, pse?
Më pëlqen si qytet dhe kam një nga shoqet e mia të fëmijërisë atje. Shkoj sa herë na merr malli për njëra- tjetrën.
Festivalet sikur nuk janë më në qejfin tënd, je larguar apo ke menduar rikthim me ndonjë material të fortë?
Nuk është e vërtetë, unë i dua shumë garat, por e thashë se kam dashur të bëj pushim. Gjithsesi, nuk i kam mbyllur me kaq.
Po me koncerte e mbrëmje muzikore si ecën puna apo edhe prej tyre je larguar?
Mbrëmjet vazhdojnë, por të limituara, zgjedh ku shkoj e nuk shkoj kudo. Kjo ka të bëjë shumë me ambientin dhe nga çfarë njerëzish frekuentohen.
Nga 1 te 10, me sa do e vlerësoje karrierën tënde?
E ku ngopet njeriu me shifra për karrierën e vet, ku ka shifër që mund të them për vete, ka kohë deri në 10.000.
Cilat janë planet deri në fundvit?
Një këngë dhe një klip i ri, sigurisht një rol në teatër dhe shumë tekste.

BLERAND REXHEPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura