Rozana Gjergji: Katër shahiste “part time” në Olimpiadën Botërore

Oct 8, 2012 | 15:33
SHPËRNDAJE

Kapitenia e ekipit të femrave në shah, Rozana Gjergji, na tregon pas kthimit nga Stambolli ku u organizua Olimpiada Botërore e Shahut, rezultatet e Shqipërisë. Si arrijnë përfaqësueset tona të jenë në nivelet që janë, ç’mund t’u duhet që përveç profesionit të tyre, të jenë gjithnjë në lartësinë e një konkursi ndërkombëtar shahu.

O sepse shahu nuk është një sport si të tjerët, o sepse në Shqipëri nuk dëgjohet të flitet shpesh për të, njerëzit nuk e njohin. Të paktën jo aq sa duhet! Shumë prej nesh nuk e dinë as që kemi një ekip tonin për femra, që na përfaqëson në një kampionat të shkallës botërore. Rozana Gjergji, Rudina e vogël e filmit “Shah Mat”, që ka nisur të merret me shah qysh fëmijë, ka qenë kapitenia e ekipit të shahut për femra, që këtë vit është zhvilluar në Turqi. Asnjëra prej përfaqësueseve tona nuk e ka sportin punë të parë. Secila prej tyre ka profesionin e vet, larg sportit, që nuk e lejon gjithnjë t’u përkushtohet katrorëve të kutisë së shahut me kohë të plotë. Megjithatë, për pasion ose jo, të gjitha kanë orare të ditës gjatë të cilave mendja luan vetëm në mbrojtje të mbretit e mbretëreshës. Rozana Gjergji, që e ndan kohën mes shkresave të zyrës së saj të avokatisë e familjes, na tregon edhe për atë hapësirë të lirë që duhet t’i kushtojë shahut. Jo vetëm pse nuk bën dot ndryshe, por edhe pse kur vendos të përfaqësosh një vend, duhet ta bësh ashtu siç duhet.

Së pari, na tregoni për aktivitetin më të rëndësishëm të shahut që sapo u zhvillua në Turqi. Sa herë zhvillohet, sa ditë zgjati?
Olimpiada Botërore e Shahut është ngjarja më e rëndësishme në botë për sa u përket aktiviteteve shahistike dhe realizohet një herë në dy vjet. Këtë vit u realizua në Stamboll. Janë 11 ture, që do të thotë: 11 ndeshje që ndahen njëra nga tjetra me dy ditë pushimi.
A ka kritere në këtë sport që një ekip të jetë pjesëmarrës?
Jo, nuk ka. Në shah, ekipet nuk kalojnë nëpër kualifikime për t’u bërë pjesë e këtij eventi.
Prej sa vetash përbëhej ekipi ynë dhe si funksionin takimet?
Ekipi është i përbërë nga 4 lojtare, nga tavolina e parë deri tek e katërta dhe fitorja quhej e tillë nëse rezultati do të ishte 2.5 me 1.5, ekipi që kishte grumbulluar 2.5 ishte ekipi që do të fitonte 2 ndeshje dhe ai që merrte 1.5 ose më pak, do të merrte 0 pikë nga ndeshja. Ndërkohë që nëse do të dilnin barazim, do të merrte secili ekip nga 1 pikë.
Në ç’pozicion ishit ju vetë dhe si shkuan rezultatet e Shqipërisë?
Në këtë garë unë luaja në tavolinën e parë, isha kapitenia e ekipit, që do të thotë edhe barra më e rëndë për çdo ekip, sepse kapitenit i takon ta mbajë tavolinën e parë. Qëllimi i Shqipërisë për këtë vit ishte të përmirësonte rezultatet e Olimpiadës së kaluar dhe këtë radhë ne i arritëm qëllimet tona, u përmirësuam me 11 vende në rezultat nga Olimpiada e 2010-s, që u zhvillua në Siberi.
Sa e rëndësishme është për ju, shahiste me kohë të pjesshme, pjesëmarrja jonë atje dhe në ç’nivele është shahu për femra në Shqipëri?
Duke qenë eventi më i rëndësishëm në botë, është shumë e rëndësishme pjesëmarrja dhe të mendosh që garat ndërkombëtare për ne si Federatë janë shumë të pakta. Ka pasur raste kur ekipi shqiptar ka marrë pjesë vetëm në olimpiadë dhe në asnjë garë tjetër si për shembull kampionatet europiane, ekipore dhe individuale apo zonalet, të cilat të kualifikojnë për në turneun e më të fortëve në botë, këto nuk ndodhin këtu. Pra, shahistëve shqiptarë nuk i jepet shansi për të provuar a ia dalin mbanë apo jo, a do të mund të kualifikohen apo jo. Kjo ndodh sepse nuk ka fonde ose të paktën nuk ka pasur deri tani. Të shpresojmë të kenë më shumë kujdes për aktivitetet e rëndësishme në botën e shahut. Niveli i femrave shqiptare është më i lartë se çdo rezultat i arritur deri tani, flas për rezultatet si ekip. Duhet të mos harrojmë që për të pasur rezultate duhet punuar, por edhe duhet marrë pjesë nëpër gara, pasi garat janë mundësia e vetme dhe më e mirë për të rritur nivelin shahistik, por edhe koeficientin e fortësisë. Ai mund të rritet vetëm nëpër gara. Ne kemi koeficiente të ulëta fortësie, si për shembull 1900-2000, por luajmë dhe fitojmë kundër kundërshtarëve me koeficient fortësie 2300-2400.
A ju nevojitet punë paraprake, pra stërvitje, si në sportet e tjera, për të qenë në nivelet e një kampionati ndërkombëtar?
Stërvitja nevojitet gjatë gjithë vitit, çdo ditë të vitit, prandaj shahu bën pjesë në sportet profesioniste. Të pakta janë ato shtete të cilat, edhe pse përfaqësohen me jo profesionistë, mund të arrijnë rezultate. Asnjëra nga ne nuk është profesioniste në kuptimin e plotë të fjalës, që do të thotë të jetojë nga shahu e t’i dedikohet plotësisht atij dhe asgjëje tjetër. Ne jemi njerëz që sakrifikojmë kohën tonë, jetën tonë, familjet, profesionin për t’iu dedikuar shahut. Megjithatë, unë personalisht kam punuar për rreth 2 muaj përpara se të nisesha për në garë dhe kjo stërvitje e dha rezultatin, u paraqita denjësisht me lojëra shumë interesante kundër kundërshtareve shumë më të forta se unë.
Sa herë më parë ka qenë i pranishëm ekipi ynë në kampionate të këtij rangu?
Unë dhe ekipi shqiptar i shahut të femrave kemi qenë për herë të parë në një Olimpiade Botërore në 1990-n, por mbas kësaj gare ka pasur raste kur as në olimpiada nuk është marrë pjesë për shembull, në vitin 1992 munguam në ishujt Filipine, kushtonte shumë udhëtimi deri atje… Kemi munguar në ’96-n dhe në ’98-n. Duke qenë pjesë e familjes olimpike që prej vitit, 2000 kemi qenë në çdo Olimpiadë.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura