Roshi- Xhelili/ Zgjedhje të parakohshme në dy bastionet që humbi PD

May 31, 2016 | 13:42
SHPËRNDAJE

Dorëheqja e Elvis Roshit sot në mesditë detyron partitë të bëhen gati për një tjetër betejë lokale përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm.

Rroshi-Xhelili

Tashmë nuk do të jetë një, Bashkia e Dibrës, por dy njësitë vendore ku do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme.

Kavaja, qyteti bastion i demokratëve, ku Sali Berisha ka marrë disa mandate deputeti dhe ku zgjedhjet lokale nuk diskutoheshin, prej vitit 2011 kishte ndryshuar drejtim, shkruan sot panorama.al.

Elvis Roshi u zgjodh kryebashkiak pesë vjet më parë duke mundur kandidatin e të djathtës Refik Rrugija, pasi ky i fundit shikohej nga kavajasit si një njeri i konsumuar.

Roshi mori 53% të votave duke bërë që për herë të parë një socialist të fitonte Kavajën.

Në zgjedhjet e vitit 2015, Roshi, tashmë edhe me mbështetjen e Ramës kryeministër dhe LSI-së në Qeveri fitoi përballë Ëngjëll Carës së PD-së me një diferencë prej 8 mijë votash.

Zgjedhje edhe në Dibër

Megjithëse ende nuk ka një datë të mbajtjes së zgjedhjeve, edhe dibranët pritet të shkojnë drejt kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e ri.

Shukri Xhelili u shkarkua nga Qeveria pas publikimit të një videoskandali ku i kërkonte seks një punonjëseje të Bashkisë.

Por procesi është pezulluar pasi Xhelili e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë dhe fillimisht duhet pritur qëndrimi i Gjykatës përpara se të organizohen zgjedhjet.

Dibra ishte një tjetër bastion që iu rrëzua demokratëve në zgjedhjet e vitit të kaluar. Pas katër mandateve të Ilir Krosit të PD-së, dibranët ia besuan Bashkinë kandidatit të së majtës Shukri Xhelili, i cili e fitoi me rreth 400 vota.

Por siç edhe dihet nuk e gëzoi gjatë pasi dy javë më parë u shkarkua nga Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura