Rosela: Këndoj në galanë e LGBT, s’jam askush të gjykoj dashurinë e tyre

May 22, 2015 | 14:07
SHPËRNDAJE

Rosela Gjylbegu është një nga këngëtaret në karrierë, e cila do të performojë sot (e shtunë) në mbrëmjen gala të bamirësisë, që drejtuesit e LGBT organizojnë në hotel “Rogner” në Tiranë, në Ditën kundër homofobisë. Surpriza e mbrëmjes me 200 të ftuar, ku dhe do të bëhet dorëzimi i çmimeve për Aleatët e Vitit, do të jetë pikërisht performanca e artistëve të njohur, ku përveç Roselës pritet të këndojnë dhe Mariza Ikonomi, Era Rusi, Orinda Huta, si dhe DJ Naam Van e DJ Oda Haliti. E pyetur nga gazeta “Panorama” se si e sheh pjesëmarrjen në një event të tillë ku suportohet komuniteti LGBT, Rosela përgjigjet: “I thashë po ftesës që m’u bë për të kënduar në një koncert bamirësie për LGBT, pasi unë i respektoj gjithë njerëzit dhe orientimet e tyre. Në fund të fundit, kush jam unë për të paragjykuar?! Mendoj se gjithsecili ka të drejtë ta jetojë e ta ndërtojë jetën, sipas mënyrës së tij. Pyetjes se nëse beson te dashuria mes personave të të njëjtit seks, ajo i përgjigjet: “Unë besoj te dashuria e vërtetë, ajo s’ka moshë, kohë e as gjini. Dashuria është unike, e janë me fat ata persona, që realisht e përjetojnë. Në këtë koncert special bamirësie për personat LGBT të braktisur nga familjet, Rosela do të këndojë disa këngë, mes të cilave “Rri me mua”, “Sikur të isha ti”, “How do I” etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura