Ronela Hajati thyen heshtjen: Si ma bllokuan klipin pa asnjë shpjegim

Nov 12, 2015 | 11:53
SHPËRNDAJE

ronela-Hajati---945840_603929886315379_1588369454_n
Nga skenat e klipit “Tiger”, për xhirimet e të cilit punoi në muajt e verës, Ronela Hajati ruan si kujtim vetëm ngjyrën jeshile të flokëve. Edhe pse u promovua për një kohë të gjatë, publikimi i tij, “Tigër” nuk u transmetua asnjëherë në kanalin “BBF”. Pas disa thashethemeve që u botuan në verë në rrjetet sociale për disa konflikte të saj me kolegë të tjerë, më në fund Ronela Hajati ka thyer heshtjen duke rrëfyer të vërtetën e verës shumë tensionuese pas prishjes së kontratës me kompaninë “Max Production”. Ajo është shprehur se klipi muzikor me titullin “Tigër” ka përfunduar, por nuk do të publikohet kurrë. 

Arsyeja? As ajo vetë nuk e di, thjesht i është kërkuar të largohet nga kompania muzikore pa asnjë shpjegim. “Më është thënë troç, nuk ta publikoj këngën, nuk dua”, deklaroi Ronela për një revistë online, duke iu referuar drejtuesve të “Max Production” ose më saktë Bledit të “BBF”. Ajo shtoi se ka pasur një kontratë pune me këtë kompani, por që më vonë zbuloi se nuk ishte firmosur nga pala tjetër. “Kam qarë shumë! Kam kaluar një periudhë të llahtarshme, presion të madh psikologjik këto muaj, ndaj kam vendosur të qetësohem, të tërhiqem, madje nuk mbaj më as telefon.

Jam përqendruar te familja ime dhe te shkolla, e nuk e di a do ta vazhdoj karrierën muzikore”, është rrëfyer ajo veç të tjerash. Pak kohë më parë publikoi dhe trilerin e “Tiger”, me tekst të shkruar nga vetë këngëtarja shqiptare, ndërsa për muzikën është përkujdesur Alandy. Videoklipi i punuar nga “Max Production” priste të sillte këngëtaren me ndryshime shumë të mëdha në pamje. Këngëtarja 26-vjeçare Ronela Hajati është shfaqur që fëmijë në ekran. Më vonë në talentshow-n “Ethet e së premtes mbrëma”, ku arriti të kualifikohej deri në 30 këngëtarët më të mirë. Më pas ajo ka pasur disa dalje ekspresive në skenë me këngë të kompozuara nga Flori Mumajesi, Stine apo “Babastars”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura