Ronaldo shpërfytyron dhe fundos Holandën

Jun 18, 2012 | 11:39
SHPËRNDAJE

Çeki-Portugali dhe Greqi-Gjermani, dy çerekfinalet e para të Europianit.

Super-Gjermani, fiton edhe ndaj Danimarkës së Olsenit.

Çeki-Portugali dhe Greqi-Gjermani janë dy çerekfinalet e para të Kampionatit Europian. Pas kualifikimit të dy skuadrave të grupit A, mbrëmë, ashtu siç pritej, kanë prerë biletën edhe “dojçat” me luzitanët.
Holanda largohet me turp nga EURO 2012, duke mos marrë qoftë edhe një pikë në tri ndeshjet e zhvilluara. Edhe mbrëmë “tulipanët” nuk arritën që t’i bënin ballë furisë së skuadrës portugeze, edhe pse ishin ata që shkuan të parët në avantazh. Të bindur se kishin shumë pak shanse kualifikimi, djemtë e drejtuar nga Van Marvjik u futën në lojë plot grinte dhe dëshirë për të marrë të paktën një rezultat pozitiv në ndeshjen e fundit në grup. Në fakt, 15 minutat e para flasin vetëm për portokallinjtë. Sulme të njëpasnjëshme që vënë në vështirësi portën e Rui Patrisios, që kulmohen me një perlë të Rafael van der Vart. Ky i fundit, nga jashtë zonës e dërgoi topin në cepin më të largët të portës, duke kaluar Holandën në avantazh. U duk sikur do kishim një mbrëmje nën siglën portokalli, kjo edhe për faktin se në anën tjetër, aty ku luante Gjermania dhe Danimarka, vinin lajme të mira. Podolski shfrytëzon një top të lënë me mjeshtëri nga Gomez për të shpuar rrjetën e danezëve. Në këtë moment, “tulipanëve” u duhet edhe një gol për të kaluar ata në çerekfinale. Por, çuditërisht, si me buton, loja e Holandës bie ndjeshëm dhe ndërkohë nga ana tjetër edhe danezët barazojnë me anë të Krohn-Dehli. Por më e keqja duhet ende të vijë. Minuta e 28-të, Zhoao Mutinjo vertikalizon një top të bukur, i cili çan mbrojtjen holandeze dhe mbërrin te Ronaldo. Sulmuesi, i vënë përballë me portierin, nuk e ka të vështirë për të barazuar. Kaq, dhe Holanda nuk ekziston më në fushë. Mbrojtja është totalisht e shthurur, mesfusha nuk arrin të organizohet, ndërsa Roben dhe Van Persi janë gjithnjë të mbuluar. Iniciativa është e tëra portugeze dhe në provë vihet disa herë radhazi portieri Marten Stenkelenburg, më i mirë në fushë për “tulipanët”. Fraksioni i dytë i lojës vazhdon i njëjtë në të dyja përballjet, ku si Portugalia, edhe Gjermania janë bërë zotër të fushës. Por, për të vulosur përfundimisht rezultatin, fillimisht është Kristiano Ronaldo që dyfishin për luzitanët, pas një kundërsulmi perfekt dhe nga ana tjetër, Lars Bender shënon emrin në listën e golashënuesve gjermanë (ku bëjnë pjesë Gomez dhe Podolski). S’ka më shpresa si për Danimarkën, ashtu edhe për Holandën, madje që të dyja rrezikojnë të pësojnë edhe më shumë gola, ndaj edhe minutat e fundit luhen thjesht për statistikë. Sakaq, Gjermania në çerekfinale do të luajë me Greqinë, e cila nxori jashtë rusët një natë më parë, ndërsa Portugalia ndaj Çekisë.

Portugali-Holandë 2-1
Shënues:
Ronaldo 28’, 74’/ Van der Vart 11’
Kartonë të verdhë: J.Pereira/ Vilems, Shnajder, Van Persi
Gjyqtarë: Nikola Ricoli/ R.Faverani dhe A.Stefani (ITA)
Portugalia (4-1-2-3): Patrisio, Pereira, Pepe, B.Alvesh, Koentrao, Veloso, Meireles (Kustodio 71’), Mutinjo, Nani (Rolando 87’), Postiga (N.Olivera 64’), Ronaldo. Trajner: Paulo Bento
Holanda (4-2-3-1): Stekelenburg, Van der Viel, Vlar, Matijsen, Vilems (Afelaj 68’), De Jong, Van der Vart, Roben, Van Persi, Shnajder, Huntelar. Trajner: Van Marvijk

ANALIZA E NDESHJES
Njeriu i ndeshjes – Kristiano Ronaldo ka qenë edhe njeriu i ndeshjes. Te Holanda u dallua portieri Marten Stekelenburg.
Më i dobëti – Sergej
Çelësi i përballjes – Një

Danimarkë-Gjermani 1-2
Shënues:
Krohn-Dehli 24’/ Podolski 19’, Bender 80’
Kartonë të verdhë: 0
Gjyqtarë: Karlos Karbajo/ R.Fernandez dhe J.Jimenez (SPA)
Danimarka (4-2-3-1): Andersen, Jakobsen, Kjaer, Ager, S.Poulsen, Kvist, Zimling (K.Poulsen 78’), J.Poulsen (Mikelsen 82’), Eriksen, Krohn-Dehli, Bendtner. Trajner: Morten Olsen
Gjermania (4-2-3-1): Nojer, Bender, Humels, Badshtyber, Lahm, Khedira, Shvainsteiger, Myler (Kros 84’), Ozil, Podolski (Shyrrle 64’), Gomez (Klose 74’). Trajner: Joakim Lëv

ANALIZA E NDESHJES
Njeriu i ndeshjes – Jorgos
Më i dobëti – Sergej
Çelësi i përballjes – Një

Joakim Lëv
“Fitorja ishte në dyshim deri në 15 minutat e fundit të lojës. Danezët na rrezikuan disa herë, por ditëm sesi të mbroheshim dhe të organizoheshim. Pas shënimit të golit nga Bender, ndjeva një lloj çlirimi pasi u pata kërkuar djemve që ta fitonin me patjetër këtë ndeshje. Më vjen mirë që kaluam me sukses dhe tani do mendojmë për çerekfinalen, ku gjërat vështirësohen edhe më shumë”, tha trajneri i Gjermanisë.

Paolo Bento
“Jam krenar për këtë skuadër. Ishte një kualifikim i merituar. E nisëm keq ndeshjen, por ditëm sesi të kthenim gjithçka në favorin tonë, duke mbyllur kundërshtarin në gjysmëfushën e vet. Në pjesën e dytë ishim më superiorë se Holanda, madje Nani mund ta kishte mbyllur me kohë çështjen e kualifikimit. Gjithsesi, jam shumë i kënaqur pasi puna që kemi bërë dha rezultat”, tha trajneri i Portugalisë.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura