Romir Zalla: Qetësi në martesë gjen vetëm para se të lindin fëmijët dhe pasi ata të martohen

Jan 2, 2016 | 11:23
SHPËRNDAJE

Në kohët që jetojmë, duket se beteja për të qëndruar dy njerëz të bashkuar sa vjen dhe bëhet më e vështirë. Ndaj aktori i “Mbroni shpellarin” të Rob Beiker, Romir Zalla, na transmeton zërin e brendshëm të burrit, i cili është transformuar tanimë në seksin e dobët.

Në këtë intervistë për gazetën “Panorama” zbulon detaje nga monologu i mashkullit që kërkon mirëkuptim me gruan, bashkëpunimin me Inis Gjonin dhe largimin nga “Portokallia” pas shumë vitesh…

12376536_10201124735237054_1721517531624949004_n

I vetëm në skenë si ti te “Mbroni shpellarin”, është ambicia më e madhe e çdo aktori?

Sigurisht është ambicie, por dhe përgjegjësi e ngarkesë. Kërkon profesionalizëm, saktësi, ritëm, energji, pra është një sfidë e madhe për një aktor. Shpresoj të kem bërë më të mirën!

Bashkëpunon me Inis Gjonin në këtë shfaqje, si është të punosh me një regjisore si ajo?

Përveç faktit që njihem herët me Inisin, unë kam punuar me të te “Klani i të divorcuarave” para 3 vjetësh. Inisi ka nuhatje profesionale, dhe në raport me mua ka një të mirë shumë të madhe që asnjëherë nuk është e kënaqur, deri sa të nxjerrë prej meje një gjë të re, që unë s’e kam bërë më parë dhe që do shumë punë nga ana ime që t’ia arrij.

“Mbroni shpellarin” është historia e një burri të vetëm apo e çdo burri?

“Mbroni shpellarin” është historia e çdo burri. Personazhi yt është burri i jashtëzakonshëm me shumë shpirtra? Ka një shpirt dhe është një burrë i zakonshëm.

Në skenë na tregon se burrat janë qenie që lodhesh kot për t’i ndryshuar, apo e kundërta?

Në filozofinë e kësaj shfaqjeje burri është rrjedhë logjike e paraardhësit të tij, shpellarit, në sensin që ne burrat kemi mbetur të pandryshueshëm në raport me gratë. Jo ashtu siç e kemi ne asosacionin për shpellarin, por ndryshe shpellari ka qenë mbrojtës jo i dhunshëm dhe që i adhuronte gratë. Regjisorja Inis Gjoni është shprehur se burri në këtë rast është seksi i dobët, duke u rrëzuar nga froni i seksit të fortë siç jemi mësuar.

Na trego një situatë që e vërteton këtë brishtësi mashkullore?

Seks i dobët, fjalëpakë, gjithmonë në aksion, i shpejtë në seks dhe i pambrojtur nga paragjykimet e grave. Për këto flet vepra. A ka dashuri të vërtetë mes burrit dhe gruas? Sigurisht që ka, dhe ku ka dashuri ka dhe urrejtje, paragjykime, keqkuptime, betejë. Dy qenie të kundërta që shtyhen dhe bashkohen.

Po në shtrat burri është po ashtu seks i dobët, apo aty dominon?

Në shtrat është pragmatist, egoist, i nxituar dhe i pambrojtur, por shumë i dashur. Dominon? Ç’do të thotë kjo?! Seksi duhet të jetë ndërveprim i ndërsjellë, kënaqësi e përbashkët. Nuk ka dominues në seks.(qesh) Atëherë cila është fuqia më e madhe që zotëron burri i ditëve tona? Respekti i ndërsjellë, vlerësimi që duhet t’i bëjë gruas kur hyn në botën e saj, kur shpenzon energji për ta kuptuar, pa e gjykuar.

10616331_778032575591406_5112048111422770620_n

Njësoj vlen edhe për gratë. Po femra me epërsinë që ka fituar sa pranë karakterit të burrit është afruar?

Shumë pranë është afruar, por mendoj se një femër duhet të mbetet femër, pra delikate, me finesë, e zgjuar, e bukur… Në shpirt tolerante, mirëkuptuese, e ngrohtë, e kujdesshme e natyrale. Ka gra sot që i janë afruar aq shumë burrit, sa duken si burra.(qesh)

Martesa është zgjidhja më e mirë për të arritur qetësinë shpirtërore në jetë?

Martesa në radhë të parë është përgjegjësi, dhe kush është i përgjegjshëm sot, nuk është i qetë, se ka detyrime, impenjime vështirësi, fëmijë, punë, probleme, halle. Mendoj se qetësi në martesë ka para se të lindin fëmijët dhe pasi fëmijët martohen.

Dhe një pyetje jashtë teatrit, duke u nisur nga fakti që këtë sezon mungon në spektaklin “Portokalli”. Pse u largove?

No coment. Është përgjigje e gjatë dhe e ndërlikuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura