Me Shkodrën pakt përfaqësimi, jo pilotim figurantësh

Jan 15, 2021 | 12:24
SHPËRNDAJE

ROMEO GURAKUQI

romeo gurakuqi

100 vite ma parë, gjatë muajve mars dhe prill 1921, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet për Dhomën e Deputetëve.

Këto zgjedhje duhej të përfundonin në muajin prill, por fillimi i punimeve të sesioneve të Dhomës së Deputetëve u zgjat deri më 25 qershor, për shkak se Shkodra dhe Himara, dy vende krenare të Shqipërisë me qytetnim të hershëm dhe të përcaktuem, këmbëngulën për një përfaqësim adekuat të popullsive të tyre në kryeqendrën e Shqipnisë dhe nuk u pajtuan me asnjë ndërhyrje të “lordëve” të politikës, që kishin filluar të zinin kryeqytetin e ri të shtetit.

Falë këmbënguljes racionale të prijësve të spikatun të dy komuniteve, të cilët argumentonin përfaqësim të saktë, bazuar mbi vlerësimin e regjistrave të besueshëm të kohës së Austrisë, elita shkodrane ia arriti të vetëvendosë, jo vetëm për kualitetin e përfaqësisë së vet, por edhe për numrat në raportin ndërshqiptar. Kështu, më 25 qershor 1921, Parlamenti i Shqipërisë filloi punën në përbërje të plotë, pikërisht kur 12 deputetët e Shkodrës (vini re Shkodra kishte 12 deputetë nga 77 që kishte i gjithë Parlamenti shqiptar) dhe 2 deputetë të Himarës zunë vendet e tyre në Tiranë ndërmjet 77 deputetë që vinin nga e gjithë Shqipëria.

Në fakt, nuk ishte një tekë e qytetit 3000-vjeçar dhe krahinave dikur të vetëqeverisura për t’iu imponue kryeqendrës. Këmbëngulja e njerëzve me arsye të bashkësisë shkodrane, buronte nga statutet shekullore, që kishin udhëhequr prej kohësh që nuk mbaheshin mend parësinë e vendit, por edhe nga parimet e të drejtës kushtetuese, që rregullonin marrëdhëniet e brendshme të territoreve dhe popullsisë në shtetin e saporiformuar.

Respektimi i ndërgjegjes aktive politike, që vinte prej mbijetesës së vështirë dhe të ndërlikuar në shekuj, nënkuptonte për politikanët e asaj kohe të parë të ShqipërisëShtet, që drejtuesit e partive politike nuk mund të bënin përzgjedhje jashtë rendit tradicional të punëve, kornizës kushtetuese dhe konventave, mbi të cilat kishin rënë në një mendje themelvënësit shtetformues të viteve 1912, 1914, 1918 dhe 1920. Sipas një marrëveshjeje fillestare, drejtuesit e vendit do t’i duhej t’i caktonin “mbiemrat” përfaqësues të krahinave me shumë kujdes, bazuar mbi një kriter vlerësimi të kontributit nacional në përgjithësi, të shkollimit dhe zërit që kishin ata në shoqërinë qytetare të kohës.

Pra, etërit themelues, 100 vite ma parë, mendonin, arsyetonin dhe respektonin traditën dhe vendësit, para se të vepronin. Ndërkohë, tranzicionistët në komandë të punëve, pa njohuri elementare mbi kompozitat kulturore dhe krahinore, demografinë e historinë e vendit që qeverisin, vijojnë ende t’i ndajnë kolegjet me kutet matëse të kohës së diktaturës dhe po ecin edhe më tutje kuturu e formalisht për ringritjen e përfaqësive në çdo kohë parazgjedhore.

Jemi në vitin 2021 dhe sërish zero ndjeshmëri ndaj interesave dhe të drejtave të popullit që qeverisin; zero ekspertizë para marrjes së vendimeve kaq të rëndësishme. Asnjë metodë për të përcaktuar vendimmarrjen përfaqësuese. Kjo, e thënë enkas përciptas, pa u thelluar në kriteret e vërteta, që udhëheqin kopsitësit e sotëm, të cilët heshtin për nevojën e korrigjimit të hartës së ndarjes përçarëse territoriale të Shqipërisë, korrigjimin e ndarjes së kolegjeve elektorale bazuar edhe mbi kriteret e respektimit të bashkësive kulturore përbërëse të vendit, krahinave historike, sipërfaqes së qarqeve dhe emigracionit, që ruan shtetësinë shqiptare të përllogaritur në kolegjin e origjinës.

Në Shqipëri, konventat themelvënëse janë të qarta dhe burojnë nga ekzistenca e një kombi, që ka nevojë të përbashkohet mbi albanianizëm, liri, europianizim dhe jo të përçahet në heshtje me zhdukje përfaqësie dhe aleanca, që shkojnë përkundër strategjisë kombëtare të aprovueme nga të gjithë faktorët kombformues.

Ato ligje të pashkrueme, të vendosura në themel të startit tonë në bashkëkohësi, imponojnë struktura të përcaktueme përfaqësimi dhe përkufizime të tipologjive të përfaqësuesve në listat rajonale, por asnjëherë rastësi, as improvizime momentale bazuar në koalicionet mes individëve, që kurrë s’kanë patur parti, as katapultime për të mbushur radhët, as befasina të minutës së fundit, as vendosje para fakteve të kryera, të firmosuna ndër shtëpi matrapazësh.

Ndërkohë, balancat e brishta politike, lufta e ashpër dhe e paparimtë mes mbartësve të siglave të partive të vogla politike në skenën e teatrit të përplasjeve partiake ushtron presione të atilla, që çojnë në deformime edhe më të thella se sa ato që krijon kuadri ligjor i mangët zgjedhor. Kur në fund u shtojmë kësaj përllogaritjeje bisedat underground me tipat e fortë provincialë, që udhëheqin organizata të paligjshme të “biznesmenëve “ të padukshëm, shpresa për të ardhmen e rikthimin e stabilietit bie në humnerë.

Është dita të kujtojmë se para se të ndodhin strukturime gjinore në përcaktimet ligjore të listës së përfaqësisë, tavolina konsultative ndërpartiake, ligjvënësit dhe KQZ-ja duhet të marrin vendime për kushtëzime që respektojnë traditat kulturore, krahinore dhe shkollimin e mirëfilltë të përfaqësisë së qarqeve në legjislaturën kombëtare, në ndërtimin strukturor shtetëror dhe administrativ, gjë që deri sot është lënë mënjanë. Kjo ka sjellë pasoja afatgjata dhe të pakthyeshme shkombëtarizuese (për shkak se qytetarët nuk kanë pasur mbrojtës të të drejtave të veta) në njësinë dhe unitetin e brendshëm, që shqiptarët kanë sjellë nga shekujt në ditët tona.

Kemi ardhur në ditën që pas politikave të stërhollueme të nxirren jashtë skenës politike të vendit familjet e themelvënësve të shtetit, mbartësit e rezistencës së heshtur dhe aktive kundër regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, disidenca e mirëfilltë, ndërkohë që para gati një dekade iu pat hapur rruga vendosjes në krye të vendit, të individëve, pa provuar me dokumentacion se sa breza kanë në Shqipëri, sikur e kërkon konventa e të qenit shtetas shqiptarë me breza autoktonë. Prandaj, askush nuk duhet të çuditej kur këto rastësorë në krye të vendit hoqën pa u zorit bustin e Gjergj Kastriotit nga salla e protokollit shtetëror presidencial, duke fyer kombin dhe dhunuar Kushtetutën.

Boshatisja e heshtur e Shkodrës dhe e Korçës dhe prirja mbisunduese për të mos respektuar themelet strukturore të tyre në jetën politike të vendit janë shembulli më flagrant i arrogancës së vendimmarrësve ndaj interesave afatgjata publike dhe injorimit të nevojave përbashkuese dhe rikthimit të normalitetit në vend.

Asnjë ndryshim në regjistrat e gjendjes civile, asnjë emigrim i shtetasve shqiptarë që ruajnë shtetësinë, nuk mund të justifikojë prishjen e balancës historike të vendit dhe të drejtat e komuniteteve të lira të përfaqësohen drejt në Parlamentin e Shqipërisë. Politikëbërësit nuk mund të ecin mbi linjat e prirjeve të mbrapshta dhe kanë për detyrë që në politikat publike të zvogëlojnë efektet negative të krizave të kësaj kohe të pazakontë të sunduar nga të babëziturit.

Sot ma shumë se kurrë, pas përvojave destabilizuese në përfaqësinë më të lartë shtetërore, në të cilin Veriu e sheh vetën pa një titullar udhëheqës, Shqipëria ka nevojë për përputhjen e ndërgjegjes aktive politike të krahinave të saj në organin përfaqësues sovran, në strukturën më të lartë ndërtimore shtetërore dhe administrative. Kjo nënkupton përzgjedhjen me shumë kujdes të përcaktorëve gjeografiko-kulturorë, që nga padija, dashakeqësia apo nga ambicia, që, për përfitim momental, çdo herë priren të kalohen mënjanë.

Para disa muajsh, me ndërhyrjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Tiranë, u organizua një tryezë politike për vendosjen e parimeve korrigjuese të Kodit Zgjedhor, të cilën shumica qeverisëse në finale e ndali arbitrarisht, pa arritur rezultatet e programuara nga ndërmjetësit. Në fakt, komisioni për korrigjimin e ligjit elektoral kishte nevojë ndër të tjera për specialistë të mirëfilltë për të shqyrtuar gjendjen reale të krahinave, funksionet aktuale të legjislativit dhe qeverisë në marrëdhënie me rajonet e vendit në ditët tona, vlerësimin e vuajtjeve në përfaqësim, etj..

Patëm vetëm një tavolinë të mbyllur teknicienësh, që arsyetonin mekanikisht, mbi përllogaritje andërruesish të shkëputur nga realiteti. Dhe rezultati ishte një thellim edhe më i madh i asimetrisë në përfaqësim. Tirana zyrtare politike provoi edhe një herë se ishte thellësisht e shkëputur, me dashje, me arrogancë, me mospërfillje dhe me papërgjegjshmëri, nga Shqipëria Tjetër, ajo e njerëzve të varfër dhe të demoralizuar, që kanë bërë gati çantat e shpinës drejt të panjohurës. Një shkelje flagrante e interesit publik, përfaqësues dhe zhvillimor.

Kjo shmangie e parë i hapi rrugën vendimmarrjes formale të KQZ së re: kur pritej hartimi i draftit të ri për metodën e re të gjithanshme për rindarjen e kolegjeve, KQZ, me dritëshkurtësi, vulosi 36 deputetë për Tiranën, 16 për Fierin, 14 për Elbasanin, një më pak për Gjirokastrën, Përmetin, Tepelenën dhe po ashtu për Dibrën, Matin, Bulqizën. Ndërkohë, asnjë kolegj përfaqësues më shumë për Shkodrën, Koplikun, Malësinë, Dukagjinin, Pukën, Fushë-Arrësin, Sapën, Nënshkodrën etj. E njëjta situatë për Korçën, Pogradecin dhe Kolonjën.

Dy qarqet nga ku u ideua Shqipëria mbetën kështu me nga 11 kolegje zgjedhore. Asnjë arsye historike, etnografike, asnjë arsyetim i bazuar në parimet e së drejtës publike nuk justifikon këtë disbalancë të frikshme të përcaktimit të maxhorancës qeverisëse në vetëm tri qarqe, përveç yryshit të “specialistëve socialiste” për fiksim paraprak të rezultateve zgjedhore në tavolinë dhe ambicies së familjeve sunduese të oligarkisë që shoqëron delegacionet qeveritare, për përjetësim të kamufluar të rrethanave të ruajtjes së kësaj gjendjeje antihistorike në kupolën komanduese të politikëbërjes.

Më lind e drejta e një analize mbi atë çfarë mund të ndodhë me përfaqësinë shkodrane në zgjedhjet e ardhshme. Qyteti dhe krahina presin një korrigjim të numrave përfaqësues në të mirë të plotësisë në përfaqësim të të gjithë njësive të qarkut më të madh të Shqipërisë. Ata presim që përfaqësia e Shkodrës të mos injektohet artificialisht për llogari të negociatave mes partive të Tiranës; ata presin të marrë fund koha kur njerëzit pa asnjë profesion të certifikuar në jetën normale, pa gjimnaze të kryera, pa shkollë të naltë të ndjekur rregullisht dhe në kohë të pranueshme për logjikën së paku mesatare, t’u imponohen, me lidhje të shkurtër, si përfaqësues të tyre.

Mirëpo, jo vetëm për shkak të kohës që sa vjen e mbyllet, por edhe për shkak të vizionit të munguar të politikëbërësve, asnji gjë e re nuk duket në horizont, ndërkohë që shkohet me vendosmëri drejt një krize të re mosqeverisjeje, për shkak të popullit abstenues dhe përplasjes së re, që po përvijohet në horizont nga mungesa e strukturave që arbitrojnë në shtetin e së drejtës.

Fatet tona të ardhshme sot gjenden në duart e diletantëve të pasuruar në mënyrë ilegale, që nuk pyesin për logjike politike dhe common sense. Mospërfillje ndaj të drejtave komunitare për përfaqësim dinjitoz; injorim me ligj i të drejtave të emigrantëve për të votuar në kolegjin elektoral të vendlindjes; zero përgjegjësi për krimin e nxjerrjes së shqiptarëve jashtë vendit vetëm për shkak të instalimit të kastës të të korruptuarve dhe vrasësve të së ardhmes së vendit.

Kjo është panorama e skenës politike shqiptare në agimin e Vitit të Ri 2021. Dhe kjo skenë duhet çmontuar segment për segment, me vendosmëri, shpejtësi, mençuri nga shpresëdhënësit e popullit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura