“Romeo e Zhulieta”, dashuria e vdekja që bashkoi shqiptarë e serbë

Jun 1, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

Ai është shqiptar, ajo është serbe. Dashuria ishte më e fortë se urrejtja shekullore, aq sa edhe vdekja u gjet si zgjidhje për të qenë bashkë.

Aktori Tristan Halilaj në rolin e Romeos
Aktori Tristan Halilaj në rolin e Romeos

Shfaqja e përbashkët serboshqiptare “Romeo e Zhulieta”, nga William Shakespeare, me regji të Predrag Miki Manojlloviç, prodhuar nga Radionica Integracija (Beograd) dhe Qendra Multimedia (Prishtinë) do të shfaqet në Teatrin Kombëtar, Tiranë, më 7 dhe 8 qershor, nga ora 20:00. Një shfaqje me aktorë serbë e shqiptarë, për të ofruar një mesazh dashurie dhe kulture që nuk njeh kufi dhe politika urrejtjeje.

Nga shfaqja “Romeo dhe Zhulieta”
Nga shfaqja “Romeo dhe Zhulieta”

“Kjo shfaqje nuk është refleks i mendimit politik, por vepër e njerëzve që kanë talent, mend dhe guxim. Secili nga pjesëmarrësit e do kombin e vet dhe nuk e urren të huajin. Është gjë e madhe që rreth këtij projekti janë mbledhur artistët nga Beogradi dhe Prishtina, duke bashkëpunuar me zemër dhe fuqi të plotë.

Ngjarja e shfaqjes zhvillohet në kohën e sotme, në Veronë, pra nuk i pasqyron ngjyrimet tona lokale” shprehet regjisori Miki Manojlloviç, teksa shton se fjalët kyçe të kësaj vepre janë urrejtja, dashuria dhe gjuha, që ndajnë e bashkojnë njerëz.

Për Manojlloviç “mes popullit serb dhe atij shqiptar edhe më tej ka mosdurime, konflikte, mosmarrëveshje dhe grindje. Përvojat e raporteve postkonfliktuale mes ish-republikave jugosllave tregon se kultura ka qenë ndër fushat e para ku është arritur që të kapërcehen barrierat, si ato territoriale, ashtu edhe të raporteve ndërnjerëzore.

Regjisori Miki Manojlloviç
Regjisori Miki Manojlloviç

Shfaqja shpejt dhe pa dhimbje ua hapi rrugën tolerancës dhe dialogut mes kulturave. Shfaqja ‘Romeo dhe Zhulieta’ është dëshmi serioze se komunikimi dhe bashkëpunimi mes artistëve kosovarë dhe serbë është i mundshëm.

Ky projekt i ndërlikuar ka zgjuar interesimin e opinionit të gjerë dhe shpresoj se ka ndikuar edhe në ndryshimin e ndërgjegjes së individëve”. Sipas regjisorit, vepra nuk u drejtohet vetëm intelektualëve, po njerëzve të thjeshtë, të cilët jo vetëm në tragjedinë shekspiriane, por në çdo tragjedi reale, janë aktorët dhe viktimat e tyre.

“Ndër qytetarët dhe më tej mbizotëron mosdurimi dhe jotoleranca. Shfaqja rrëfen për rëndësinë e tejkalimit të paragjykimeve, forcimin e besimit të ndërsjellë, tejkalimin e keqkuptimeve dhe të mungesës së tolerancës. Shfaqja ‘Romeo e Zhulieta’ që ne e kemi realizuar është një ngjarje e veçantë kulturore, arriti shikueshmëri të lartë në Serbi, në Kosovë dhe zgjoi interesim të madh edhe në vendet tjera të rajonit e më gjerë”, shton ai.

SHFAQJA NË TIRANË

“Romeo dhe Xhulieta” moderne vjen në Tiranë në datat 7 dhe 8 qershor. Roli i Romeos interpretohet nga aktori Tristan Halilaj. Për publikun shqiptar, Halilaj është i njohur me interpretimin në filmin “Falja e gjakut”, me regji të Joshua Marstron, fitues në Festivalin e Berlinit si skenari më i mirë në vitin 2011.

Ndërsa në rolin e Xhulietës, aktorja serbe Jovana Gavriloviq. Në të tjera role luajnë Uliks Fehmiu, Anita Manciq, Mensur Safçiu, Tristan Halilaj, Milica Janevski etj. Projektin në tërësi, pos shfaqjes, e përbën edhe filmi dokumentar i realizuar sipas idesë së Miki Manojlloviçit, kryetarit të Shoqatës “Punëtori e Integrimit” nga Beogradi.

Krahas shfaqjes teatrale, në datën 8 qershor, nga ora 11:30, në Center for Openness and Dialog (COD) do të shfaqet filmi dokumentar “An Equation With One Unknown” mbi realizimin e Romeo dhe Xhulietës, si dhe do të diskutohet mbi filmin dhe mbi projektin e shfaqjes.

Prezantimi i kësaj shfaqjeje në Tiranë është mundësuar nga: Regional Cooperation Council- Sarajevë, Ministria e Kulturës – Tiranë, Open Society Foundation – Tiranë, në bashkëpunim me: Teatrin Kombëtar – Tiranë, Center for Openness and Dialog (COD) – Tiranë, Integration Workshop – Beograd dhe Qendra Multimedia – Prishtinë. “Romeo e Zhulieta” pati premierën në prill 2015, në Teatrin Kombëtar në Beograd, për t’u pasuar pastaj me premierën kosovare, në maj 2015, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Shfaqje të tjera janë dhënë edhe në Zagreb, Sarajevë dhe Beograd. Alma MILE

ROMEO DHE ZHULIETA

William Shakespeare
Regjia: Miki Manojlloviç
Përkthimi në serbisht: Zhivojin Simiq dhe Sima Panduroviq
Përkthimi në shqip: Fan. S. Noli dhe Alqi Kristi
Regjia dhe adaptimi i tekstit: Miki Manojlloviç
Interpretojnë:
ESKALI, princ i Veronës – Mensur Safçiu
PARISI, kushëri i Eskalit – Nikola Rakoçeviç
MONTAGU – Miki Manojlloviç
KAPULETI – Nebojsha Glogovac
ROMEO, i biri i Montagut – Tristan Halilaj
MERKUCIO, kushëri i Eskalit dhe mik i Romeos – Goran Jevtiç
BENVOLIO, nipi i Montagut dhe mik i Romeos – Armend
Baloku
TIBALTI, nipi i Zonjës Kapulet – Faris Berisha
LORENCO, frat – Uliks Fehmiu
ZONJA MONTAG, e ëma e Romeos – Edona Reshitaj
ZONJA KAPULET, e ëma e Zhulietës – Natasha Tapushkoviç
ZHULIETA, e bija e Kapuletit – Milica Janevski/Jovana
Gavriloviq
DADOJA E ZHULIETËS – Anita Mançiç
PROLOGU / NARRATORE – Arta Selimi
Skenograf: Branko Hojnik
Kostumografe: Zora Mojsiloviç
Koreografe: Sonja Vukiqeviç
Kompozitor: Vladimir Pejkoviç

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura