Roman mbi dashuritë e ndaluara në komunizëm, Namik Dokle: Plotësova ëndrrën time, të shkruaj për…

Nov 15, 2018 | 15:05
SHPËRNDAJE

“Ky djalë nuk ka vdekur nga tërbimi, foli me një zë që i dridhej. As të tjerët nuk janë sëmurur nga tërbimi. Ju e dini mirë, në mos të gjithë, ti, komandanti i kufirit, e di mirë të vërtetën… Njerëzit po vuajnë vetëm nga një sëmundje, nga dashuria e ndaluar”, tha profesori dhe u largua rrëmbimthi…

namik dokle

Çfarë mund të ndodhë nëse ndalohet dashuria? Shkrimtari Namik Dokle provon të na fusë në këtë shtjellë, në këtë pikëpyetje. Ndoshta nuk ka ndodhur vërtetë si në romanin e tij “Ditët e lakuriqëve të natës” (botimet “Toena”), por është e sigurt se gjatë viteve të diktaturës ka pasur sa e sa raste dashurish të ndaluara, të ndërprera për arsye politike.

namik dokle

Dje, në ditën e parë të Panairit të Librit u promovua romani më i ri i Namik Dokles. Ndërsa ka braktisur politikën, të paktën atë aktive, Dokle duket se ka më tepër kohë të shkruaj. Me një distancë ndoshta prej një panairi, Dokle sjell romanin e radhës, që, si tregon ai, ka ardhur i papritur, me një frymë. “Pas romanit të parë ‘Vajzat e mjegullës’ dhe ‘Lulet e skajbotës’, fillova një të tretë dhe isha nga fundi, por nuk e di çfarë ndodhi. U ngrita një mëngjes herët e braktisa atë dhe fillova këtë tjetrin. Ishte diçka e brendshme që më shtyu drejt këtij libri.

Atë e kisha menduar për vite, këtë e kam shkruar me një frymë dhe nuk e di pse. Ndoshta plotësova ëndrrën time dhe impulsin e fëmijërisë sime, të shkruaj për zonën që unë njoh. Jo se Gora ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme, por unë shkruaj për atë që njoh më mirë. Një autor i njohur ka thënë se kur një shkrimtar e pyesin nga je, ai përgjigjet: Jam nga fëmijëria ime. S’ka rëndësi nga je, je nga fëmijëria se ajo që përjeton nga fëmijëria mbetet me ty.

Këtë kam dashur të them dhe të bëj”, u shpreh Namik Dokle. Sipas poetes dhe përkthyeses Ana Kove, në dukje fabula është e thjeshtë, por të mban të lidhur faqe pas faqeje. Sipas saj, ky roman flet për denatyrimin e njeriut gjatë sistemit komunist. Kove thotë se “Ditët e lakuriqëve të natës” nuk sjell vetëm një dramë lokale, por dramën e gjithë shoqërisë shqiptare, në kohën e persekucionit.

namik dokle panair

Mes dy leximesh, atij të parit ende në dorëshkrim dhe atij pas botimit, studiuesi i letërsisë, Behar Gjoka thotë se rizbuloi një botë të pabukur, të shëmtuar, asgjësuese. Gjatë promovimit, ai u ndal në strukturën e veçantë të librit, ndërtuar mbi 23 episode, të cilat janë copëza të asaj jete të mjerë, por që mund të kuptohet veçse përmes leximit të veprës. Gjoka e konsideron një vepër të rëndësishme në krijimtarinë e Dokles, por edhe një kontribut në letërsinë bashkëkohore shqiptare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura