Roli i bioteknologjisë dhe imunologjisë në përballimin e pandemisë

Nov 23, 2020 | 9:15
SHPËRNDAJE

AKADEMIK GENC SULÇEBE

genc-sulcebe

Ishte 31 dhjetori 2019 kur Kina lajmëroi se në qytetin Wuhan kishte shpërthyer një epidemi nga një koronavirus i ri dhe i panjohur deri atëherë. Vetëm 10 ditë më vonë, shkencëtaret kinezë arritën të deshifrojnë dhe të publikojnë online strukturën e plotë gjenetike të acidit ribonukleinik (ARN), që kodon këtë virus të ri të emërtuar SARS-CoV-2. Brenda jo më tepër se një muaj nga kjo datë, në Qendrën Spitalore Universitare Charite të Berlinit, virologu gjerman Christian Drosten, arriti të standardizojë analizën molekulare me PCR (polimerase chain reaction) të këtij virusi të ri dhe në të gjithë botën nisi puna e ethshme për studimin e përgjigjes imunitare ndaj këtij virusi.

Në kulmin e valës së parë të pandemisë COVID-19, në pranverën e vitit 2020, pak veta besonin se në fund të po këtij viti do të mund të realizohej një vaksinë efikase ndaj infeksionit me virusin SARS-CoV-2. Deri atëherë, koha e zhvillimit të një vaksine ishte lëkundur nga 4 deri në 20 vjet. Edhe parashikuesit më optimistë thoshin se për zhvillimin e një vaksine të re do të duheshin jo më pak se 18 muaj.

Por që në janar të 2020 motorët e laboratorëve kërkimore në të gjithë botën u vunë në punë me intensitet të lartë, duke aplikuar të gjithë arsenalin e bioteknologjisë bashkëkohore dhe rezultatet e kësaj pune intensive nuk vonuan të bëhen realitet. Në më pak se 10 muaj kemi tani në horizont aplikimin e të paktën 10 vaksinave ndaj COVID-19 si dhe të disa medikamenteve inovativë me bazë biologjike si antitrupat monoklonale, interferoni beta me përdorim lokal apo dhe mjete të tjerë terapeutike që do të vijnë më pas.

Potenciali kërkimor i bioteknologjisë dhe imunologjisë në vendet më të avancuara në këto fusha i tregoi shpejt mundësitë që mund të zhvillohen kur ky potencial mbështetet fort dhe si duhet. Faktet mbi studimet shkencore të realizuara fillimisht në kulturat indore laboratorike dhe më pas në kafshët eksperimentale vunë qartë në dukje natyrën mbrojtëse të  antitrupave dhe limfociteve T ndaj infeksionit me virusin SARS-CoV-2. Këto rezultate paraprake u publikuan që herët në pranverën e vitit 2020 kur shumëkush nuk e besonte se vaksina do të mund të realizohej me sukses brenda një viti. Ato inkurajuan studimet e mëtejshme të fazave të para dhe të dyta klinike në njerëz dhe vunë qartë në dukje se përgjigjja imunitare mbrojtëse që do të arrihej me anë të vaksinave ndaj virusit SARS-CoV-2 do të ishte mjaft rezultative.

Si rezultat i garës së ethshme në realizimin e një vaksine efikase, në nëntor 2020 kompania gjermane BioNTech, në bashkëpunim me gjigantin farmaceutik amerikan Pfizer, dhe pak ditë më pas edhe kompania amerikane Moderna, komunikuan një efikasitet të lartë prej 95 për qind të vaksinave të tyre në provat klinike të fazës së tretë në shkallë të gjerë. Por fakti më interesant është se këto dy vaksina janë të parat në botë që janë realizuar me anë të acidit ribonukleinik (ARN) të sintetizuar nga struktura gjenetike e molekulës “spike”, që është përgjegjëse për veprimin patogjen të virusit SARS-CoV-2. Kjo molekulë ARN, e mbështjellë me një mbulesë yndyrore të veçantë të prodhuar me anë të nano-teknologjisë, kur injektohet në organizëm gjeneron në qelizat e tij prodhimin e proteinës natyrale “spike” të virusit. Kjo proteinë do të nxisë pastaj një përgjigje imunitare komplekse, e cila do të na mbrojë nga veprimi patogjen i SARS-CoV-2 në rast infeksioni natyral.

Kjo është hera e parë që realizohet një vaksinë me bazë ARN ndaj një agjenti infeksioz. Deri atëherë, të dyja kompanitë, Moderna dhe BioNTech, po punonin për përdorimin e vaksinave me ARN për luftën kundër kancerit. Ndërrimi i objektit të vaksinës ishte e lehtë për ta, pasi ata e zotëronin tashmë këtë teknologji revolucionare. Por nevojiteshin studime të mëtejshme të gjëra dhe intensive për të investiguar natyrën e përgjigjes imunitare ndaj ARN të SAR-C0V-2. Këto u mundësuan me metoda imunologjike nëpërmjet studimit të antitrupave, limfociteve T dhe citokinave të ndryshme që stimulohen nga vaksina për të arritur një mbrojtje ndaj infeksionit natyral me SARSCoV-2.

Muaji nëntor i vitit 2020 rezultoi si mjaft i rëndësishëm për realizimin e mjeteve biologjike të luftës ndaj COVID-19. Në këtë muaj, përveç dy vaksinave të mësipërme, FDA (Agjencia Amerikane e Ushqimeve dhe Medikamenteve) lëshoi autorizimin e përdorimit në emergjencë edhe të dy medikamenteve biologjike ndaj SARS-CoV-2 të prodhuara nga kompanitë amerikane “Eli Lilly” dhe “Regeneron”. Të dyja këto kompani përdorin metoda bashkëkohore të bioteknologjisë gjenetike për të prodhuar në laborator antitrupa që neutralizojnë virusin duke imituar antitrupat natyrale që nxiten nga infeksioni me SARS-CoV-2. Këta antitrupa, të quajtur monoklonalë, duke u injektuar në një fazë të hershme të infeksionit, përpara se ky të ketë përparuar në infektimin e qelizave dhe indeve të organizmit, neutralizojnë virusin dhe pengojnë avancimin e sëmundjes duke ndihmuar kështu shërimin sa më të shpejte nga infeksioni.

Studime të fundit po vënë aktualisht në dukje se antitrupat përfaqësojnë vetëm majën e ajsbergut të përgjigjes imunitare ndaj SARS-CoV-2. Hulumtimi i limfociteve T specifike po tregon se vënia në dukje e tyre ka një ndjeshmëri më të lartë se ajo e antitrupave për të evidentuar një përgjigje imunitare mbrojtëse ndaj COVID-19. Këto studime kanë evidentuar se mjaft individë që janë negativë për antitrupa anti SARS-CoV-2 kanë, në fakt, imunitet mbrojtës ndaj këtij virusi nëpërmjet pranisë në ta të limfociteve T specifike. Prandaj studime të tilla dalin sot si thelbësorë për të njohur përgjigjen imunitare si të popullatës, ashtu dhe atë individuale, ndaj këtij virusi të ri.

Këto arritje tregojnë qartë se loja e sotme për luftimin me sukses të sëmundjeve luhet në laboratorët kërkimore dhe më pas ajo aplikohet në shtratin e të sëmurit. Metodat imunologjike luajnë një rol esencial në studimin e nivelit të përgjigjes imunitare kolektive me anë të përcaktimit të antitrupave në popullatën e gjerë.

Një studim i tillë i realizuar në Shqipëri në Laboratorin Universitar të Imunologjisë, i drejtuar dhe mbështetur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, mundësoi, me anë të përcaktimit të antitrupave anti-SARS-CoV-2, rezultatin e parë të nivelit të seroprevalencës së COVID-19 në popullatën e gjerë në Shqipëri. Ky laborator, i themeluar që në vitin 1988 dhe që është i vetmi i tillë në vendin tonë, i ka të gjitha aftësitë për të realizuar metodat e sotme imunologjike. Në të janë realizuar me sukses metoda komplekse të studimit të transplanteve, sëmundjeve autoimune, sëmundjeve të gjakut, infektive etj. Në të mund të realizohet aktualisht studimi i përgjigjes imunitare ndaj COVID-19 jo vetëm me anë të antitrupave specifike, por dhe me anë të përgjigjes imunitare të limfociteve T si dhe të prodhimit të citokinave.

Të gjitha vendet e botës po investojnë fuqishëm në kërkimin shkencor ndaj COVID19 dhe këtu mund të përmendim shumën prej katër miliardë eurosh që Bashkimi Europian ka shtuar së fundmi për studimet ndaj COVID-19. Prandaj edhe në Shqipëri mbështetja e laboratorëve studimore nga Akademia e Shkencave, universitetet si dhe nga Ministria e Shëndetësisë është esenciale jo vetëm për luftën ndaj pandemisë COVID-19, por dhe për përballimin e çdo sfide të ardhshme të shëndetit publik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura