EMRAT/ Rolet dhe linja e trafikut, si vepronin 4 grupet kriminale. Kanabisi kultivohej në 4 zona të Shqipërisë

Sep 15, 2019 | 14:05
SHPËRNDAJE

Bleona Metushi / Në dosjen e Prokurorisë për Krime të Rënda, që hetoi për 3 vjet 4 grupet kriminale që u goditën gjatë operacionit “Limit”, shpjegohen rolet e secilit prej anëtarëve, linja e trafikut dhe mekanizmat për trafikun e drogës.

aksioni-limit-640x357

Sipas Prokurorisë, në bazë të materialeve të referuara me shkresën përcjellëse të datës 11 tetor 2016, nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, më datë 12 tetor 2016, Prokuroria e Krimeve të rënda ka regjistruar procedimin penal nr. 219, lidhur me veprën penale “Trafikim i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet ka rezultuar se: Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve ka pasur të dhëna dhe informacione mbi disa persona, të cilët kanë aktivitet kriminal në drejtim të trafikimit të narkotikëve dhe konkretisht të llojit heroinë nga Turqia drejt Shqipërisë dhe vendeve të BE-së dhe të kanabis sativa nga Shqipëria drejt Turqisë, në linjën Shqipëri – Maqedoni – Greqi – Turqi.

Këta persona rezultojnë se bashkëpunojnë të organizuar në formën e grupit të strukturuar kriminal mbi bazën e njohjeve familjare, shoqërore, krahinore, me qëllim përfitimin e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal. Sipas të dhënave dhe informacioneve, disa nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal, gjatë vitit 2016 kishin organizuar dhe financuar kultivimin e prodhimin në sasi të mëdha të bimëve narkotike të llojit kanabis sativa në zonën e Gramshit, Çorovodës, Maliqit, Korçës etj.

Ata kishin siguruar edhe magazina për grumbullimin, tharjen dhe paketimin e bimës narkotike, me qëllim trafikimin drejt Turqisë. Anëtarët e tjerë të këtij grupi bashkëpunojnë me trafikantë turq, me qëllim organizimin e aktivitetit kriminal, trafikimin e bimës narkotike kanabis sativa dhe më pas shkëmbimin me lëndën narkotike të llojit heroinë.

Një pjesë tjetër e këtyre personave, të identifikuar gjatë hetimeve kryer lidhur me këtë procedim penal, janë të angazhuar në drejtim të gjetjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis sativa dhe kokainë në Shqipëri e më pas organizimin e trafikimit drejt Greqisë dhe Turqisë. Lënda narkotike e trafikuar drejt Greqisë pritej nga një grup tjetër personash, të cilët kishin rolin e magazinimit të lëndëve narkotike dhe më pas rekrutimin e personave të tjerë, me qëllim shpërndarjen e lëndëve narkotike kryesisht në qytetin e Selanikut.

Të ardhurat e përfituara nga ky aktivitet kriminal, pasi grumbulloheshin nga personat përgjegjës të këtij grupi kriminal, dërgoheshin në shuma të vogla, duke filluar nga një 1 mijë euro deri në 10 mijë euro, nëpërmjet personave të ndryshëm, jo anëtarë të këtij grupi, por me aktivitet transportin e udhëtarëve nga Greqia në Shqipëri.

Ky grup shtetasish shqiptarë, me banim kryesisht në zonat Tiranë, Korçë, Tepelenë, Sarandë, por edhe me banim në Greqi, në bashkëpunim edhe me shtetas grekë, përgjatë periudhës nga qershori i vitit 2018 deri në korrik të vitit 2019, kanë trafikuar sasi të ndryshme lënde narkotike të llojit kanabis sativa dhe kokainë, nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, duke shfrytëzuar lëvizjet kryesisht nga kufiri i gjelbër midis dy vendeve tona, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar, por edhe kufirit ujor midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet Liqenit të Ohrit dhe më pas drejt Greqisë.

Duke u njohur me këtë aktivitet kriminal, që shtrihej në territoret e dy vendeve, Shqipëri dhe Greqi, nga ana e Policisë shqiptare u është kërkuar bashkëpunim homologëve grekë dhe në kuadër të shkëmbimit të informacioneve midis dy Policive është bërë e mundur të sekuestrohen lëndë narkotike, si dhe të arrestohen personat e dyshuar.

Te arrestuarit-4 bandat-nolimit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura