ARISTIR LUMEZI/ Performanca e dobët në punën e tyre që lidhet me shërbimet ndaj qytetarëve, u ka kushtuar vendin e punës rreth 13 drejtuesve rajonalë në katër qarqe të rëndësishme.

Duket se gjërat kanë filluar të lëvizin veçanërisht në qarkun e Shkodrës, i cili duket dhe më problematiku në lidhje me shërbimet ndaj qytetarëve, për shkak të lënies së shumë kompetencave në dorë të një prej aleatëve të PSsë në maxhorancë.
Pas ndarjes së re të drejtuesve politikë të PS-së në qarqe dhe analizës së drejtorive të rëndësishme në qarkun e Shkodrës, janë larguar deri tani shtatë drejtues dhe pritet të largohen edhe të tjerë.
Në qarkun e Shkodrës kemi largime të drejtorëve të Autoritetit të Kontrollit të Ushqimit, të IKMT-së, të Tatim Taksave, të Kujdesit Shëndetësor, të Policisë, të Doganave, por dhe të prefektit.
I deleguari i PS-së në këtë qark është deputeti Ilir Beqja. Që në fillim të shtatorit, në një nga mbledhjet me drejtuesit politikë, Kryeministri Rama ka kërkuar analizën e punës në ato zyra ku qytetarët marrin shërbime dhe largimin e çdo drejtuesi që nuk ka punuar në këtë drejtim.
Por tre drejtues të rëndësishëm janë larguar edhe në qarkun e Durrësit, drejtorët e Kadastrës së Drejtorisë Arsimore dhe të Autoritetit të Kontrollit Ushqimor.
Drejtimin e këtij qarku e mori përsipër vetë Kryeministri Rama, ndërsa emëroi si ndihmës të tij, kreun e OSHEE-së, Ardi Çela. Në qarkun e Korçës kemi lëvizje të drejtorit të AKUsë dhe të Kadastrës, ndërsa në Lezhë lëvizje të drejtuesve të Policisë dhe Zyrës Rajonale të Arsimit Parauniversitar.

Ministrat
Në mbledhjen e djeshme të shtabit elektoral të PS-së, i cili mblidhet çdo të hënë nga kryeministri Rama, kanë marrë pjesë dhe ministrat e kabinetit qeveritar. Burime nga mbledhja e djeshme thanë për gazetën “Panorama” se ministrat do të jenë pjesë e mbledhjeve të këtij shtabi.
Mësohet se dje ata kanë mbajtur shënim çdo problematikë të raportuar nga drejtuesit politikë të qarqeve, sipas sektorëve që mbulojnë, ndërsa duke filluar nga mbledhja e ardhshme, ata do të duhet të raportojnë mbi zgjidhjen e këtyre shqetësimeve.
Kryeministri Rama ka preferuar një ballafaqim të drejtpërdrejtë mes atyre që do të drejtojnë fushatën në çdo qark dhe përfaqësuesve të qeverisë për të gjetur zgjidhje pa e hedhur përgjegjësinë te të tretë për çdo problem që paraqitet në qarqe. Filtrat E ndërsa deputetët aktualë dhe ministrat e Partisë Socialiste do të vlerësohen edhe nga anëtarësia e partisë përmes platformës “Deputeti që duam”, performanca e drejtorëve ka kaluar në disa filtra.
Kryeministri Rama mori fillimisht një raport konfidencial nga kryebashkiakët, për performancën e drejtorive rajonale që funksionojnë në bashkitë e tyre, ndërsa një filtër tjetër kanë qenë dhe raportimet e anëtarësisë për punën e tyre në çdo qark. “Për të marrë të paktën 74 mandate në zgjedhje, duhet të masim performancën e drejtuesve dhe deputetëve në çdo qark”, mësohet të jetë shprehur kryesocialisti në mbledhjen e djeshme.
Sipas Ramës, përmirësimi i qeverisjes dhe mesazhi që duhet t’i japim qytetarëve, duhet të fillojë nga zyrat e shërbimeve në çdo qark. Edi Rama ka kërkuar nga krerët e qarqeve që objektivi i PS-së në këto zgjedhje duhet të jenë 74 mandatet ose rreth 800 mijë votat, të cilat do t’i japin mandatin e tretë qeverisës me një siguri në qeverisje pa pasur nevojë për mandate të tjera në parlament. Mësohet se Kryeministri e ka vënë theksin në dhënien përgjigje të shqetësimeve të qytetarëve ndaj shërbimeve që ata marrin nga zyrat e shtetit.
Kryesocialisti bëri disa ndryshime në drejtimin politik në qarqe, duke marrë vetë drejtimin e qarkut të Durrësit dhe ndihmë të tij kreun e OSHEsë, Ardi Çela, ndërsa në Tiranë caktoi kryebashkiakun, Erion Veliaj. Po ashtu, në Shkodër Rama caktoi Ilir Beqajn, pas largimit të Ditmir Bushatit dhe dorëheqjes së Valdrin Pjetrit. Në Kukës kryesocialisti caktoi Safet Gjicin, kreun e Bashkisë Kukës, ndërsa riktheu në Lezhë, ish-ministren e Arsimit, Lindita Nikolla.
© Panorama.al











