“Roja rrëmbeu automatikun dhe…”/ Kujtimet e ish–zv/ministrit të Brendshëm për Kampin e Vloçishtit: Si u vra i burgosuri nga Kruja

Mar 5, 2021 | 15:44
SHPËRNDAJE

ejell cobaPublikohen disa pjesë nga libri me kujtime i autorit Ejëll Çoba, intelektualit të njohur nga qyteti i Shkodrës, pinjoll i një prej familjeve më në zë të atij qyteti, i cili pasi ishte diplomuar në Universitetin ‘La Sapienza’ të Romës në vitin 1932, u kthye në atdhe ku ushtroi profesionin e tij, duke ndjekur karrierën administrative, si ‘Dottore in Giurisprudenca’.

Më pas për disa vjet me rradhë në administratën e lartë shtetërore, ku e zuri edhe periudha e pushtimit të vendit, (1939-1944), ku ai mbajti disa funksione të larta, si Drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, zv / Ministër i Punëve të Brendshme, etj.

Arrestimi i tij në vitin 1946, (së bashku me vëllanë, Kelin) i akuzuar si pjesëmarrës në ‘Lëvizjen e Postribës’ dhe pas një hetuesie të gjatë në Shkodër dhe Tiranë, u dënua me 25 vjet burg, nga të cilat vuajti plot 23 vjet e pesë muaj, e pesë dit burg, në kampet e tmerrshme të punës së detyruar, e deri në ferrin e Burrelit.

Kujtimet e panjohura të Ejell Çobës, të cilat vijnë me një parathënie të bashkëqytetarit të tij, shkrimtarit të njohur, Zija Çela, paraqesin para lexuesit një panoramë të ‘pikturuar me penelin’ e dhimbjes, ku jepen detaje dhe hollësirë për vuajtjet e tij në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe të bashkëvuajtësve të tjerë, emra të njohur e të panjohur, si:

Padër Bernardin Palaj, Guljelm Suma, Syrri Anamali, Ramdan Sokoli, Cin Serreqi, Padër Karol Serreqi, Padër Filip Mazrreku, Hamdi Isufi, Hafiz Ali Kraja, Beqir Çela, Musa Gjylbegu, Asim Abdurahmani, Prof. Selman Riza, Petrit Merlika, Kolec Deda, Nikoll Deda, Felatun Vila, Gjush Deda, Sali Vuçiterni, Emin Bakalli, Qani Katroshi, Sali Doda, etj., si dhe disa emra hetuesish, gardianësh, oficerësh të Sigurimit të Shtetit, si Fadil Kapisyzi, etj.

                                               K A M P I

Kujtime të shkruara nga fillimi 1978 deri…

Erdhi viti 1948. Viti i ndryshimeve të mëdha në Europën Lindore. Por në burgun e Tiranës jeta vazhdonte me të njajtin ritëm, deri në muejin maj, kur një ditë pasdreke na mblodhën të gjithëve në korridor të burgut, e na lexuen një listë emnash prej afro 250 vetash, ndër të cilët isha edhe unë. E kuptuem fill se ishim të caktuem për punë. Shumë u gëzuen, se dëshirojshin me dalë në ajër.

Unë kisha gjithmonë parasysh ç’ka kishin vuejtë të burgosunit në kampin e tmerrit në Jubë, më 1946, por një fije shprese përmirësimi në trajtimin e të burgosunve në punë, ma jepte fakti se më 1947-ën, të burgosunit nuk kishin qenë trajtue edhe aq keq në punë bujqësore. Hamdi Isufi nuk figuronte në listë, ndoshta për shkak moshe.

Në fund të muajit maj, të ngarkuar si sardele në kamion, udhëtuem gjatë, drejt Vloçishtit të Korçës. Drejtor kampit, Tasi Marko, (vëllai i Rita Markos), na mbajti një fjalim të gjatë, ashtu si mund ta zgjaste një furrtar. Na përshkroi konditat “jashtëzakonisht të mira” të trajtimit në kamp, “ushqimin e mjaftueshëm e të mirë” dhe kapanonet “e mëdha e të ajrosuna” dhe përfundoi tue thane, se nuk ishte nevoja të pritshim ndonji prej familjeve, madje edhe cigarette, do të na i jepte kampi si shpërblim pune.

Në kamp gjetëm edhe të burgosunit e Korçës e të Elbasanit. Baheshim gjithsejt 1500 të burgosun. U strehuem në do kapanone të mëdha, me nga 500 veta në secilin. Kapanoni ishte i mbuluem me një mushama sipër, kurse anët ishin me thupra e gjethe.

Të nesermen, pa zbardh drita, dolëm në punë me hap kanale kulluese. Vendi i punës ishte te gryka, e prandej ishte shumë i gjanë. Rruga për të shkue deri atje, ishte ma e gjatë se gjysëm ore, kalonte nëpër baltë e ferra. Këpucët na mbeteshin në baltë. Hafiz Ali Kraja nuk i bani ballë, e i mori në dorë. Ai, që s’duronte as qymen në xhyben e tij prej stofi anglez, ecte zbathun nëpër baltat e gjolit të Maliqit!

Qysh natën e parë, shokët e burgut të Korçës e të Elbasanit, na e përshkruen punën e randë e trajtimin e egër. Ditën e parë e kuptova se, po të zgjatej ajo gjendje, do të vuenim shumë. I porosita familjes me telegram dy palë opinga, një palë për vete e një palë për Mark Dredhën, që s’kishte kush t’ia dërgonte. Të rinjtë, sidomos ata të burgut të Tiranës, që kishin një ngarkesë optimizmi e madje euforie, u munduen t’i bajnë ballë me kurajo punës së randë.

Të dielën e parë, në pasdreke, luejtën futboll në sheshin e madh të kampit, ku komanda, e kujdesshme për edukatën fizike të të burgosunve, kishte ngulë do porta për lojë. Ajo e dielë qe dita e parë dhe e fundit e lojës së futbollit. Puna e javës, u’a shterrte të gjitha fuqitë edhe të rinjve ma të fortë.

Çdo mëngjes pa zbardh drita, dilshim të gjithë grumbull, 1500 veta, për të shkue në punë. Megjithëse ishim 6 brigada, gjatë rrugës bashkoheshim të gjithë, të rrasun njeni pranë tjetrit, gati në vrapim, të shtym prej gjashtë rojeve të mbrendshme, që mbajshin nga një spatë në dorë si lopçarët. Nja 50 roje të armatosuna, na rrethojshin nga të katër anët.

Me ne ndodheshin edhe dy të burgosun prej burgut të Durrësit, që ishin atë e bir. Njeni e kishte emnin Dhimitër Tirana. Një ditë, tue u kthye prej pune, plaku mbeti në rrugë, s’mund të ecte ma e ra. Rojet i’u lëshuen me shkopinj. Shokët menjiherë lajmuen të birin që po vraponte me të tjerët. Ai u kthye menjiherë, e sado që rojet vazhdojshin t’i binin t’et që të ngrihej, djali, nën breshnin e goditjeve, e ngarkoi babën në shpinë e u lëshue të arrinte shokët.

Rojet vazhdojshin t’u bijshin djalit dhe plaku tue i britë: “Lëshoje, lëshoje!”. Në atë gjendje, i ngarkuem, djali vazhdoi për kilometra me vrap deri në kamp. Mbas pak ditësh plaku vdiq, por i biri na la një shembull të shkëlqyem, tue na tregue sa fuqi ka dashnia për prindin!

Nuk më harrohet pamja e përditshme e një skene. Zef Nikaj, nipi i shkrimtarit të njohun Dom Ndoc Nikaj, atëherë rreth 40 vjeç, përditë merrte për dore një plak shëndetpakë, Aqile Tasin, prej Përmeti, vëllai i Koço Tasit, e nuk e lëshonte deri në vendin e punës, për t’i evitue fatkeqsinë e plakut nga Durrësi. Edhe rojet ishin mësue t’i shihshin për dore, kaq sa një ditë që Aqile Tasi nuk doli në punë, roja i tha Zefit:

  • Ku e ke atë qorrin?
  • Nuk asht qorr, por plak! – iu përgjigj Zefi.

Shërbimi mjeksor ishte shumë i mangët, për të mos thanë se nuk ekzistonte. Kjo sepse ishin të burgosun: Lito, Hysenbegasi e Treska. Por të drejtë me dhanë pushim, kishte vetëm Lito, si kryemjek. Kishte edhe njëfarë infermierie me afro 10-15 shtretën, kurse ilaçe kishte pak e aspak.

Për hir të së vërtetës, duhet të thom se doktor Lito, asht përpjekë mjaft me u ardhë në ndihmë të burgosunve. Por për të qëndrue edhe një ditë pushim nuk mjaftonte fjala e kryemjekut, sepse duhej edhe pranimi i rojes së ditës.

Njiherë kisha vra një gisht. Mbas 3-4 ditësh m’u infektue. Në mbramje shkova për mjekim. Litoja ma mjekoi, më dha tri dit pushim, e më qortoi që s’kisha shkue më parë, se do të më kishte dhanë pushim për paaftësi pune. Kur pa roja me dorën e lidhun, nuk pati ç’ka të thoshte. Ato tri ditë qenë një balsam i vërtetë për mue, se e rimora veten, pasi isha lodhë.

Pas nja tri muejsh, një ditë në punë, vërejta doktor Isuf Hysenbegasin, që po më shikonte si e shtyjsha karrocën. Duket se i bani përshtypje lodhja ime, se në darkë më thirri në infermieri. Foli me Liton dhe më hodhën ca pika në gojë, e më dhanë nja dy ditë pushim. Pa këto ditë pushimi, vështirë se do kisha shpëtue.

Të gjithë kishin shenja të dukshme lodhjeje, sa mezi qëndronin në kambë. Konstatova një fenomen të panjohur. Përditë në mjes para se të dilshim në punë, shihja se ndonjënit i kishte ndryshue çehrja, nuk përgjigjeshin dhe ecnin si automat. Po të vazhdonte kështu, vdisnin në kambë.

Më kujtohet fare mirë një fshatar nga burgu i Elbasanit, ku e kishin çue në një skarpat ku derdhej dheu. E ai, duhet ta shtypte e ta përhapte atë me tokmak. Tue pa se s’kishte fuqi, i’a përhapja unë dheun. Por as tokmakun s’ishte në gjëndje ta bante. Mezi qëndronte në kambë, i mbështetun mbi tokmak. Rojet që kalonin poshtë skarpatit, i thonin: luaj duart. Dhe e qëllonin me buca dheu. Ai i shkreti ngaqë s’kishte fuqi, bënte sikur kapte tokmakun dhe binte në tokë.

Kështu kaloi tanë ditën tue dihatë. Pesë minuta para se të frynte bilbili për mbarimin e punës, ra përdhe. Kishte vdekë. 10 orët e tij të fundit, të jetës i kishte kalue në agoni.

Edhe një prift unit nga Elbasani, mbaroi po në këtë mënyrë. Doktor Litoja, e kishte çue për mjekim në spitalin e Korçës. Pasi ishte shërue e kishin nxjerrë në punë. Mbas dy ditëve që punoi, vdiq. Josif, e quanin dhe kishte studiue në Grottaferrata. Edhe Sulejman Vuçiterni, po kështu vdiq. Janë të pa numërueshme rastet e vdekjeve në Vloçisht.

Një fshatar që nuk ja mbaj mend emnin, vuante nga nervat. Ai u largue, dy tri metra larg vijës së caktueme dhe hyri në një arë me misër. Roja i jashtëm, i foli por ai qëndronte si i hutuem. Shokët e thërrisnin që të kthehej, por ai nuk lëvizte. Ishte e qartë se nuk ishte në vete. Atëherë roja qëlloi me automatik në ajër. Na, me gjithë rojet e brëndshme, u futëm në kanal me shpëtue nga plumbat. Më pas, një roje e brëndshme u fut mes arës dhe e mori për krahu fshatarin, pa ndonji kundërshtim. Në atë kohë mbërriti drejtori i kampit Tasi Marko, bashkë me tetar Aliun nga Lushnja. Ndërsa drejtori po fliste me fshatarin, tetari i ra me shkop në kokë. Ai ra në gjunjë, por më pas u ngrit dhe si bëri nja dy hapa, u qëllua me shkop në kurriz. Ra në tokë dhe vdiq. Drejtori dha urdhër që ta varrosnin rrëzë një peme aty afër. Ne na dhanë urdhër që të vazhdojshim punimet. Ndiqjoheshim vetëm të kërciturat e kazmave dhe lopatave.

Mbas një ore, u ndigjue një batare automatiku. Të gjithë ndaluen punën. Nja treqind metra vendit ku isha unë, një roje kishte vra një të burgosun. Menjiherë rifilluem punën. U përhap fjala se i burgosuni, kishte qenë zogist nga Kruja, dhe se kishte dalë për nevoja personale, pa kalue vijën. Roja e brendshme i kishte thënë atij të jashtmit, që ta qëllonte. E kur ky i fundit nuk kishte pranue, atëherë roja i brëndshëm, rrëmben automatikun dhe e vret. Unë pashë katër të burgosun që sollën trupin e tij dhe e ulën tek i vdekuni tjetër, rrazë pemës. Punojshim afro 1500 të burgosur, më fort se kurrë.

Një orë para se të mbaronte puna, një roje urdhnon të burgosurit, që dy trupat t’i varrosnin në një gropë në skarpatë. Skuadrat e të burgosunve i sollën të dy dhe si lavjerrësa i hodhën në gropë. Më pas, po ata i mbuluen me dhe. Të nesërmen kur u rikthyem në punë, nuk dijsha me e gjetë vendin ku u varrosën ata dy fatzezët. Viktima të një urrejtjeje të kotë dhe pakuptim. Nuk e imagjinoja që shqiptari t’ia bënte kët gja shqiptarit.

Më vinte turp që jam njeri!

Puna shkonte përherë e t’u u ba ma e randë. Rojet nxitshin skuadër-komandantët, e këta na binin në qafë. Për t’i terrorizue puntorët, filluen që të merrnin masa shtrëngimi kundrejt disave, nën pretekstin, që s’të shkonte mëndja. Mue, Ihsan Libohovën, dhe një nga fshatarët e Korçës, që kishte qenë në Amerikë, na dhanë nga një ngastër për ta punue, dhe na thanë që po se mbaruem, nuk do na jepshin gjellë. Jo se ja vlente gjella, por nuk dojshim që të kishim pasoja. Dhe ju vumë punës me forcë. Ai “amerikani” punonte ma fort se ne, por për fat të mire, mue dhe Ihsanit na ra për pjesë një ngastër e butë. Roja herë pas here vinte, shikonte dhe largohej pathanë gjë. Para dreke e kryem pjesën e caktueme. S’patën ça me na thanë dhe na lejuen si të tjerët, me hangër gjellën. Sipas zakonit, para gjellës lexohej lista e atyre që s’kishin ba normën dhe ato që kishin kundërshtue skuadër-komandantët.

Atë ditë pas leximit të listës, skuadër-komandanti tha: “Të dali dhe ai ministri!”. Unë e dijsha se në burgun tonë, s’kishte ndonji ish – ministër përveç meje. Por unë nuk lëviza, sepse s’kisha qenë minister, por zëvëndës ministër. Roja që ishte pranë skuadër-komandantit, qëndronte me kureshtje për të pa ndonji ministër. Meqë nuk lëvizi askush, ata të dy mbetën pa za dhe filloi shpërndamja e ushqimit. Mora gjellë edhe unë.

Mue dhe Ihsan Libohovën, nuk na lejuen me punue me të tjerët, por veçmas. Një ditë kur mbarova punën, mora veglat dhe shkova tek brigadat, me punue një pjesë tjetër kanali. Pas pak erdhi dhe u ul në një ledh, tetar Aliu, ku vështronte sesi rropateshin puntorët në kampin e Vloçishtit. Thirri një skuadër-komandant të burgut të Elbasanit dhe pasi ky e përshëndeti ushtarakisht, i thotë:

  • A e sheh atë të gjatin me kapele kashte?
  • Po – i thotë ky dhe i lëshon shkopin për t’a goditur.

Pasi e goditi në shenjë, e shtriu në tokë. Skuadër-komandanti pasi mbaroi kët “punë”, erdhi tek tetari dhe raportoi:

  • Urdhni u zbatue, zoti tetar!
  • A e sheh atë barkmadhin që më ka dy kuintalë vithe?!
  • Si urdhëron! – e u lëshue prap me turr ma t’madh.

Barmkmadhi mbeti shakull, kurse të 1500 të burgosurit, vazhdojshin pandërpremje punën në heshtje të plotë. Tetar Aliu, si gjeneral në betejë, thithte cigaren me kënaqësi.

Mbas pak erdhi afër meje Rusto Sharra, prej Kavaje, burrë nja 45 vjeç.

  • A të punoj edhe unë në mbledhjen e këtij grumbulli dheu?
  • Mirë – i’u përgjigja, i kënaqun se do të kisha një shok në atë punë, realisht të lehtë.

Punuam nja një gjysëm ore. Kur tetar Aliu, i’u tek ta bante një shetitje, zbriti prej ledhi dhe u drejtue për të kapërcye kanalin. Kur u afrua pak pranë nesh, pa thanë gjysëm fjale, e sulmoi Rusto Sharrën me grushta dhe me shkelma, me tanë fuqinë e një djali 20 vjeçar.

Rusto Sharra u shtri përtokë, unë nuk e ndërpreva për asnjë sekond punën, nuk b’zajta, as qerpikun e synit. Tetari, doli në anë të kanalit dhe vazhdoj tutje me ngadalë. Rusto Sharra u ngrit e kërkoi gjysmën e cigares që i kishte ra nga goja.

Mbas nja një jave, pashë atë skuadër-komandantin prej burgut të Elbasanit, që tue dalë në punë, tërhiqte zvarrë njenën kambë. Me që s’mund ta kryente ma detyrën e skuadër-komandantit, e kishin vu me lopatë si të tjerët.

Pa ra dielli, kamba ju ngri krejt. E sollën në kamp me vig. Ma vonë, morra vesh se kishte vdek në burg të Elbasanit.

Vera po i afrohej fundit, ditët po shkurtoheshin, të ftohtit, sidomos në mëngjez, filloi të ndihej, puna po bahej ma e randë e sidomos uria, po i lodhte së tepërmi të burgosurit. Komanda vetë e kuptoi se me bukë misri, puntoria do t’a zbriste shumë rendimentin. Për këtë, nga 700 gr. bukë misri që e kishim racionin, na e banë 900 gr. gruni. Sigurisht, kjo bukë e bani të mundshëm plotësimin e planit të punimeve e shumë të burgosunve u shpëtoi jetën.

Për përmirësimin e bukës, komandanti i Kampit, furxhiu Tasi Marko, na mbajti një fjalim, t’ue na lëvdue “kujdesin” e pushtetit për të burgosunit, e madje na lajmnoi se tash e tutje, në vend të çajit, do të na jepshin kafe, jo kafe Abisinie si italianët, por kafe Brazili. Në të vërtetë, për nja 15 ditë, në vend të langut që e queshim çaj, pimë langun që Tasi Marko e quante Kafe Brazili!

Na menduem se kishim zbulue në depon e ndonjë tregtari në Korçë ndonjë sasi kafeje, e Tasi Marko, për të marrë për vete ndonjë thes, kishte nxjerrë një sasi për forcat punëtore të Kampit!

Por nëse çashtja e kafes e kishte shpjegimin e vet, e pashpjegueshme mbeti për mue çashtja e leshit të dyshekut!

Një ditë prej ditësh, na nxorrën prej kapanoneve e tue na sha, ‘borgjezë e carista’, na akuzuen se: kur liroheshim nga puna, shtriheshim në dyshek leshi. Skuadër-komandantat hynë e morën të gjithë dyshekët që ishim me lesh dhe i ndrynë në një depo. Për fat, nuk më morën një batanije të trashë e të madhe leshi. U detyrova ta palossha trish, dy palë i shtrojsha për dyshek, e me tjetrën, mbulohesha.

Një mbramje, kur po ktheheshim prej pune, pashë se brenda telave të kampit, ishin hapë afro 100 pako postare. Ndërsa po pritshim në rradhë për t’u numërue para se të hyshim përbrenda telave, i thashë Rrok Gerës që e kisha mbrapa:

  • Paskan ardhë pakot.
  • Dashtë zoti e s’kemi! – m’u përgjigj. Pakot ishin hapun, kontrrollue, e lanë në dielll në buzë të kampit.
  • “Churchill”, derri i kampit, që kishte mbëritë gati 100 kg., shkonte tue zgjedhë me turinjtë e tij, çka i pëlqente ma tepër.

Mbas një ore, llogaritari i kampit, me emrin Faber, një korçar i burgosun, thirri të gjithë ata që kishin pako postare. Ndër ta isha dhe unë. U grumbulluem në vendin e pakove. Nja pesë metra bri nesh, u mblodhën edhe nja 20-25 skuadër-komandanta, të cilëve s’u kishte ardh gjë. Nën drejtimin e tetar Aliut, llogaritari filloi të na thërrasë një e nga një, për të na dorzue pakot. Thirri edhe emnin tim:

  • Nga je?
  • Prej Shkodre.
  • Kësaj here, ja hypi toska gegës – më tha tetar Aliu, foshnjar.

Llogaritari Faber, që ishte mbas tij, tue pas frikë në ndonjë reagim timin, më shkeli synin.

  • Vllazën janë – i’u përgjigja.

Tetari, s’bzajti. Kontrolloi edhe njëherë pakon time, morri nja pesë kausha me duhan “Sheldija”, e ja hodhi grumbullit të skuadër-komandantëve, po ashtu bani edhe me katër kuti jugosllave me mish pate.

Kusurin e pakos, 20 kausha duhan, dy kuti pate, dy kuti soltina, e dy rrota buk-fike, m’i dha. Tue u largue, më erdhën ndërmend, fjalët e Rrok Gerës: “Dashtë zoti, e s’kemi…”! Si me pakon time, tetari bani edhe me 100 pakot e tjera./Memorie.al

Vijon nga numri i kaluar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura