Roberto Saviano: Shqiptarët jo veç të heqin qafe, por të fshijnë brezat

May 3, 2015 | 8:34
SHPËRNDAJE

“Shijoje kokainën, do të shohësh pluhur, shiko përmes kokainës e do të shohësh botën”… Të shkruash për kokainën është si të jesh përdorues. Kërkon gjithnjë e më shumë informacione dhe ato që mund të gjesh nuk të ngopin, e nuk mund të veprosh ndryshe. Je “i varur”… Këto janë disa fragmente nga libri më i fundit i Roberto Savianos, të titulluar “Zero, zero, zero”, të cilin shkrimtari i famshëm italian do të vijë për ta promovuar edhe në Shqipëri.

Shkrimtari Roberto Saviano

Nën masa të rrepta sigurie, autori do të mbërrijë në Tiranë i ftuar nga shtëpia botuese “Dudaj”, gjatë ditëve të festivalit të librit dhe artit bashkëkohor, “Tirana Open 1”, që starton më 6 maj. Vëllimi i ri i Savianos i dedikohet kokainës, biznesit më të madh të mafies botërore.

Kokaina, sipas gazetarit dhe shkrimtarit napolitan, nuk perceptohet nga personat si drogë, por si një lloj aperitivi: “Është ilaç kundër lodhjes, edhe pse kokaina është një drogë që të jep më shumë jetë, në fund çmimi i saj është vdekja”. Saviano rrëfen se nuk e ka provuar kurrë dhe për këtë ndjen njëfarë keqardhjeje meqë “do t’i shërbente për librin”. Kokaina vjen në Europë nga Amerika e Jugut përmes Afrikës dhe portat kryesore janë Italia, Spanja, Holanda dhe Gjermania. Për mafien, portat gjermane janë më të mirat, sepse janë edhe më pak të kontrolluarat.

“Gjermania e nënvlerëson trafikun e drogës në mënyrë dramatike dhe policisë i mungojnë mjetet e nevojshme juridike për ta kundërshtuar në mënyrë efikase. Në Gjermani mafia është e sigurt në mënyrë vërtet absurde”, thotë ai. Pas librit të bujshëm alla-mafioz “Komorra”, në librin “Zero, Zero, Zero” autori ndjek gjurmët e përgjakshme të narkotrafikantëve ndërkombëtarë. Luftë kokaine me stil kolumbian, por në libër nuk mungojnë edhe protagonistët nga Shqipëria.

“Po shqiptarët?”, është një pyetje në libër. Dhe përgjigjja vijon: “Ata nuk kënaqen vetëm kur të heqin qafe. Jo, jo, ata pastaj fillojnë e merren edhe me brezat e ardhshëm. I fshijnë të gjithë. Një herë e mirë”. Më poshtë, mund të lexoni dy fragmente të librit më të fundit të Savianos, ku përmenden shqiptarët…

DY PJESË NGA LIBRI “ZERO, ZERO, ZERO” I ROBERTO SAVIANO

FRAGMENTI I PARË

Ai që jepte atë farë leksioni duhej të ishte një bos i vjetër italian. E bënte para një takimi me meksikanë, italianë, italo-amerikanë, shqiptarë dhe ish-luftëtarë kaibilas, legjionarëve guatemalas. Të paktën kështu thoshte djali. Nuk kishte as informacione, as shifra dhe as detaje. Asgjë që ta mësoje me pahir. Siç hyje në atë dhomë, ashtu dilje. Je i veshur njësoj, ke të njëjtën prerje flokësh, qimet e mjekrës kanë të njëjtën gjatësi. Nuk ke shenja stërvitjeje, nuk ke të çara sipër vetullës apo hundën e thyer, nuk e ke kokën të mbushur me dëngla. Në pamje të parë kjo është, hyn e del po ashtu, njëlloj siç të shtynë brenda. Por njëlloj dukesh vetëm nga jashtë. Brenda çdo gjë është ndryshe. Nuk ta kanë treguar të vërtetën përvëluese, por ja, ashtu, kanë vënë disa gjëra në vendin e duhur. Gjëra këto që para atij çasti nuk dije si t’i përdorje, nuk kishe kurajën t’i hapje, t’i sistemoje, t’i vëzhgoje. Polici më lexonte nga një bllok shënimesh transkriptimin që i ishte bërë fjalës së bosit. Ishin mbledhur në një dhomë, jo larg prej nga ishim tani. Ishin ulur kështu, kuturu, pa rregull dhe jo në formë patkoi, siç ndodh gjatë riteve të pranimit në grup. Ishin ulur siç ulet njerëzia në klubet e lagjeve të Jugut të Italisë apo si në restorantet në Arthur Avenue për të parë ndonjë ndeshje në TV. Por në atë dhomë nuk kishte asnjë ndeshje për t’u parë dhe asnjë mbledhje miqsh për t’u ndjekur, të tërë ishin njerëz që kishin lidhje në nivele të ndryshme me organizatat kriminale. I pari që e mori fjalën ishte plaku italian. Të gjithë e dinin se ishte burrë i besës, që i shkonte fjala dhe se kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara pasi kishte jetuar për shumë kohë në Kanada. Filloi të fliste pa u prezantuar dhe në të vërtetë nuk kish ndonjë nevojë ta bënte këtë. Fliste me një gjuhë të përzier, një italishte e ngjyer me fjalë anglisht e spanjisht, herë pas here i kthehej dialektit. Do të doja ta dija emrin e tij dhe provova ta pyesja policin, kinse i mbërthyer nga një kureshti e çastit, gjoja si rastësisht.

Policit as ia kërciti fare të më përgjigjej. Dëgjoheshin vetëm fjalët e bosit. “U munnu de chiri ca cridanu de putì campà cu ra giustizia, con le leggi uguali pe tutti, cu na bona fatiga, la dignità, le strade pulite, le fimmine uguali agli uomini… Bota e atyre që çirren se mund të jetojnë me drejtësi, me ligje njëlloj për të gjithë, me dinjitet, rrugë të pastra dhe barazi mes gruas dhe burrit… është vetëm një botë bythecësh që kujtojnë se mund të tallin menderen me veten e tyre. Dhe me kë u rri afër. Broçkullat ‘për një botë më të mirë’ le t’ua lëmë idiotëve. Idiotët e pasur që ia kanë ngenë ta blejnë këtë luks. Luksin e të besuarit te ‘një botë e lumtur’, te ‘bota e drejtë’. Të pasur me ndonjë ndjesi faji ose me ndonjë gjë për t’ia fshehur dynjasë. Who rules does it, and that’s it. Ai që komandon e bën këtë, dhe kjo është e gjitha. Mund edhe t’ia fusë duke thënë se komandon për të sjellë të mirat, drejtësinë, për të sjellë lirinë. Po këto janë punë çupëlinash, t’ua lemë këto të pasurve, idiotëve. Ai që komandon, komandon. Pikë mbaroi.”

FRAGMENTI I DYTË

“Serbët. Të saktë, të pamëshirshëm, të përpiktë në tortura.” “Broçkulla. Nuk ke parë çeçenët. Kanë disa thika ata, aq të mprehta saqë, sa hap e mbyll sytë, e gjen veten të therur përtokë, të rrëgjakur.” “Vetëm se këta janë krejt diletantë para liberianëve. Ata të shkulin zemrën nga kraharori dhe ta hanë pa të dalë shpirti akoma.” Kjo është një lojë e vjetër sa bota.

Klasifikimi i mizorive, dhjetë popujt më mizorë në botë. “Po shqiptarët? Ata nuk kënaqen vetëm kur të heqin qafe. Jo, jo, ata pastaj fillojnë e merren edhe me brezat e ardhshëm. I fshijnë të gjithë. Një herë e mirë.” “Rumunët ta mbështjellin kokën me qese plastike, të lidhin kyçet e duarve te qafa dhe pastaj lënë kohën që të bëjë punën e saj.” “Kroatët të gozhdojnë këmbët dhe nuk mund të bësh gjë tjetër veçse të lutesh që vdekja të vijë sa më shpejt që të jetë e mundur.” Përshkallëzimi i gjakut, terrorit dhe sadizmit do të vazhdojë edhe ca, derisa mbërrin te trupat speciale, si: legjionarët francezë, El Tercio spanjoll, Bope brazilian. Jam ulur në një tryezë të rrumbullakët. Burrat që janë ulur rreth meje fillojnë me radhë të më tregojnë mbi përvojat e tyre dhe koleksionojnë veçoritë kulturore të popujve që njohin më mirë, pasi kanë kryer misione paqeje në territorin e tyre. Është një lloj riti ky, kjo lojë sadiste pak raciste, por, si gjithë ritet, edhe i nevojshëm. Është mënyra e vetme që kanë për t’i thënë vetes se më e keqja ka kaluar, se ia kanë dalë mbanë, se që nga ky çast do të fillojë jeta e vërtetë. Ajo më e mira. Po rri në heshtje. Si antropolog duhet të ndërhyj sa më pak të jetë e mundur, sepse riti duhet të vazhdojë pa ngecur. Fytyrat e të ftuarve janë serioze dhe kur njëri prej tyre merr fjalën, nuk e shikon në sy atë që ka përballë apo atë që ka folur para tij. Çdokush tregon historinë e tij njëlloj sikur t’i fliste vetes në një dhomë të zbrazur, duke u përpjekur të bindë veten se ajo që ka parë është e keqja absolute. Klasifikime të tilla kam dëgjuar me dhjetëra gjatë këtyre viteve nëpër mbledhje, kongrese, darka, para një pjate me makarona apo nëpër gjyqe. Shpesh nuk ishin veçse lista krimesh shtazarake gjithnjë e më çnjerëzore, por dora-dorës që këto episode grumbulloheshin në kokën time, bënte udhë një përcaktor i përbashkët, një tipar kulturor që kthehej e rikthehej me kokëfortësi dhe këmbëngulje. Mizorisë i caktohej një vend nderi në trashëgiminë gjenetike të popujve, duke bërë gabimin e barazimit të gjesteve të mizorisë dhe të luftës me një popull të tërë.

Të hartosh klasifikime të tilla është njëlloj sikur të tregosh muskujt e formuar në palestër pas orësh të tëra stërvitjeje. Ekziston një përgatitje rigoroze dhe e kujdesshme edhe pas aktit të demonstrimit të muskujve, me qëllim që të trembësh kundërshtarin. Nuk ka vend për improvizim, çdo gjë duhet të jetë e projektuar saktësisht. Duhet të kesh arsim. Është arsimi ai që të bën vërtet njeri. Diferencën e bën ajo që t’i mëson. Mizoria mësohet. Nuk lind mizor. Sado që një njeri mund të rritet me prirje të caktuara, të ketë pasur një familje që i ka lënë si trashëgim mllefe dhe dhunë, mizoria mësohet, mizoria përvetësohet. Mizoria është diçka që kalon nga mësuesi te nxënësi. Impulsi nuk mjafton, impulsi duhet drejtuar dhe stërvitur. Një trup mund të mësohet që të zbrazet nga shpirti edhe nëse nuk beson te shpirti, edhe nëse beson se e gjitha është një budallallëk fetar, një shpirt fantazues, edhe pse çdo gjë për ty është fibër dhe nerv, vena dhe acid laktik.

E megjithatë, ka diçka aty. Përndryshe, ç’emër mund t’i vësh atij freni që, pikërisht në çastin e fundit, të pengon të prekësh fundin. Ndërgjegje. Shpirt. Ka shumë emra, por sido që ta quash, mund ta komprometosh, ta detyrosh. Të mendosh se mizoria është diçka e brendshme në qenien njerëzore i volit atij që kërkon të lajë ndërgjegjen pa u përballur ende me të.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura