Robert Ndrenika: I kuptoj aktorët e shkretë që janë për bukën e gojës, edhe unë kam frikë se më heqin pensionin

May 1, 2018 | 22:10
SHPËRNDAJE

“Duhet të jemi të vëmendshëm! Kam frikë se na e shembin natën”. Kështu u shpreh aktori Robert Ndrenika, një ndër të paktët që po u reziston takimeve në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar. Dje, në oborrin e TK u zhvillua takimi i tetë i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Të mpakur në numër, vetë të pranishmit shprehën shqetësimin se sa pak artistë gjendeshin aty për të mbrojtur ndërtesën.

Ndërsa një prej pjesëmarrëseve në takim, avokatja dhe aktivistja Mirela Jorgo po shprehte “protestën” e saj kundrejt aktorëve të munguar në këtë protestë paqësore, aktori i madh mori fjalën, për të shpjeguar se përse ata nuk ndodheshin aty dhe duheshin mirëkuptuar.

ndrenika

“Në Shkodër ishte një aktor, Lec Bushati, që thoshte: “Ça t’baj, buka e gojës”, kështu që duhet t’i kuptojmë edhe aktorët. Dhe mua më merr frika ndonjëherë mos më presin pensionin. U jap të drejtë atyre të shkretëve, sepse të lënë pa bukën e gojës. Do të doja të falënderoja doktor Sabit Brokajn, që në një intervistë në gazetën “Panorama” shprehej në favorin tonë dhe thoshte që kjo tokë është e shenjtë. Këtë mendim kam edhe unë. Ky është Jerusalemi ynë, i aktorëve, prandaj duhet ta mbrojmë. Të bësh kulla këtu… nuk di ç’të them… Dhe kjo që është këtu, është një tmerr, jo më të bësh 7 apo 8! Prandaj ftoj shoqërinë civile, intelektualët të prononcohen për këtë punë.

Mbase e kemi ne këtë punë. Dëgjova një intelektual me pozitë shtetërore që i kërkoi të falur për Kukësin: Tha, na falni, gabuam. Kush është intelektual, kërkon falje. Por kam frikë se mos ndonjë pabesi, vijnë dhe na e prishin teatrin në mes të natës apo në gusht. Sepse Va nder Lubben do të ketë gjithmonë. Duhet të jemi të vëmendshëm”, tha Ndrenika. Këtë shqetësim shprehën edhe folësit më pas. Pedagogu i gazetarisë, Ervin Goci, pa dashur të hyjë në polemika me Ndrenikën, u shpreh se edhe ai vetë rrezikonte të humbte vendin e punës, por nuk e donte një vend pune në këto kushte.

Sipas tij, me shembjen e kësaj godine dhe zhvendosjen te “palestra e mundjes”, siç e quajti “Turbinën”, do të ndryshojë edhe statusi i aktorëve. Goci u shpreh se në kushtet që askush nuk e di se si do të jetë ndërtesa që do të ndërtohet këtu, aktorët do të jenë të detyruar të luten për të pasur një rol. Duke i qëndruar kësaj linje, regjisori Robert Budina u bëri thirrje kolegëve të tij të rreshtohen aty për të mbrojtur godinën e Teatrit Kombëtar. “Dua t’u bëj thirrje aktorëve të vijnë këtu, sepse qëllimi nuk është të ndërtohet një teatër, por rrëmbimi i pronës publike”, tha Budina, duke u kërkuar atyre të tregojnë që janë intelektualë dhe mbrojnë më së pari pronën publike.

Duke iu referuar mbledhjes së Këshillit Bashkiak, të enjten që shkoi, Budina, një ndër tre përfaqësuesit e Aleancës, i pranishëm në këtë takim, u shpreh se “ajo që gatuan ditën e enjte është vetëm fillimi i asaj që do të ndodhë më pas dhe ne do t’ia ndiejmë erën”. Por ai u shpreh optimist në këtë ndërmarrje për mbrojtjen e pronës publike dhe përveç artistëve, u bëri thirrje edhe politikanëve, si Sabit Brokaj, t’u bashkoheshin këtyre takimeve dhe të flasin si qytetarë.

Aktori Alert Çeloaliaj, po ashtu pjesëmarrës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, u shpreh se pavarësisht numrit të pjesëmarrësve nëpër takime, kjo lëvizje e ka dhënë impaktin e vet, çka u vu re edhe gjatë mbledhjes në Bashki, ku u theksua disa herë që vendimi që po merrej atë ditë nuk kishte të bënte me Teatrin Kombëtar. Duke bërë thirrje për të hedhur tej indiferentizmin, Çeloaliaj lexoi kërkesë-propozimin drejtuar ministres Mirela Kumbaro, për të vijuar me hedhjen e firmave nga të pranishmit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura