Rivlerësimi i shtëpive, sa do paguhet në 11 zona të Tiranës

Sep 4, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

Në zyrat e Regjistrimit të Pasurive së Paluajtshme në të gjithë vendin vijon puna për shpërndarjen e formularit për rivlerësimin e apartamenteve dhe pronave me taksën 2 për qind, nga 15 për qind që ishte më parë. Deri më 28 shkurt për të gjitha shtëpitë e privatizuara para vitit 1990, për efekt të llogaritjes së rivlerësimit si çmim blerjeje nuk do të llogariten shumat simbolike të privatizimit, por çmimi më i ulët fiskal i miratuar në 1995, ku për Tiranën është 16,664 lekë për metër katror.

rivleresimi 1

Gazeta boton edhe një herë çmimet fiskale që aplikohen sot për 11 zona të kryeqytetit dhe çmimet e mëparshme. Çdo qytetar mund t’i referohet tabelës me shembujt për një shtëpi me sipërfaqe 100 m2 dhe 60 m2, ku publikohen vlera e taksës që do të paguhet. Kjo u jep edhe një herë mundësinë qytetarëve të bëjnë llogaritjet sipas zonave kadastrale ku ndodhet apartamenti i tyre, se sa taksë do të paguajnë dhe sa llogaritet fitimi. Për ta konkretizuar japim një shembull nëse një qytetar ka privatizuar shtëpinë e tij gjatë viteve 1992- 1996 me 30 mijë lekë. Shtëpia ka një sipërfaqe prej 100 m2 dhe ndodhet në një pallat në zonën e rrugës “Qemal Stafa”.

Pavarësisht vlerës së privatizimit të shtëpisë, si vlerë blerjeje për Tiranën është çmimi 16,664 lekë/m2. Pra, vlera e apartamentit për efekt llogaritjeje të çmimit të blerjes do të jetë 1,666,400 lekë. Për të llogaritur çmimin e sotëm të apartamentit do të përdoret çmimin fiskal minimal i ndarë në zona. Rruga “Qemal Stafa” korrespondon me zonën kadastrale 2/1 dhe çmimi fiskal është 187,000 lekë/m2.

Për të llogaritur çmimin e sotëm, kësaj shtëpie do t’i zbritet 30 për qind koeficienti i amortizimit. Në këtë rast, çmimi i shtëpisë do të jetë 13,090,000 lekë. Tatimi që do të paguhet, do të jetë 2 për qind i llogaritur nga diferenca e çmimit të sotëm dhe çmimit të mëparshëm, që është 228,472 lekë.

rivleresimi 2

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura