Rivlerësimi i pronave të patundshme shtyhet deri më 31 dhjetor. Qytetarët duhet të aplikojnë për të përfituar…

Jul 1, 2020 | 17:18
SHPËRNDAJE

Shqiptarët që duan të shmangin tatimin mbi fitimet kapitale për pronat e tyre në rast se i shesin në të ardhmen do të kenë mundësi të aplikojnë për tarifën e reduktuar në masën 3% deri më 31 dhjetor të këtij viti falë një shtyrjeje të afatit të propozuar nga qeveria.

maxresdefault

Këshilli i Ministrave dorëzoi së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë për ndryshime në ligjin 90/2019 “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtëshme” në të cilin kërkohet që afati i zbatimit të këtij ligji të jetë fundi i këtij viti dhe jo 30 shtatori, siç ishte më parë.

Në relacionin shoqërues qeveria thotë se deri më tani ka marrë kërkesa për rivlerësim të 19 mijë pronave, shumica dërrmuese e të cilave janë dorëzuar para fillimit të pandemisë në mes të majit mars.

“…situata e krijuar nga COVID-19 ka sjellë një rënie të dukshme të numrit të aplikime për rivlerësim,” shkruhet në relacion ku argumentohet kërkesa për shtyrje.

Shqiptarët paguajnë që nga viti 2009 tatim mbi fitimin ose mbi të ardhurat personale në masën 15% të diferencës mes çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes së një prone të paluajtshme.

Ky lloj tatimi u vendos në Shqipëri si pjesë e paketës së taksës së sheshtë dhe shkaktoi telashe të shumta për shqiptarët për shkak se shumica e pronave në vend nuk kanë një histori shitblerjeje dhe rrjedhimisht, në shumë raste, tatimi 15% mbi fitimin kthehet në tatim mbi të gjithë vlerën e shitjes.

Pasi u zbatua për herë të parë në vitin 2009, ky tatim në praktikë bllokoi shit-blerjen e pronave të patundshme për shumë muaj. Duke reflektuar mbi problemin, qeveria e atëhershme vendosi të bëjë një proces rivlerësimi në vitin 2011 në të cilin, shqiptarët aplikonin për të caktuar një çmim tregu për pronat e tyre duke paguar një tatim të barabartë me 1% të vlerës së pronës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, rreth 24 mijë shqiptarë aplikuan për rivlerësimin e pronave me vlerë totale prej 930 milionë eurosh në vitin 2011 pasuar nga 46 mijë aplikime në vitin 2012 dhe 25 mijë në vitin 2013.

Qeveria aktuale ndërmori një fushatë tjetër në vitin 2016 për një valë tjetër rivlerësimesh si dhe një fushatë të katërt që po zbatohet aktualisht.

/Birn/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura