Rivaliteti me Fevziun, rrëfehet Sokol Balla. Flet për Nanon, Berishën dhe Ramën

Sep 20, 2017 | 13:58
SHPËRNDAJE

Drejtori i Informacionit në “Top Channel” dhe drejtuesi i emisionit “Top-story”, në një rrëfim për veten, gazetarinë shqiptare dhe marrëdhëniet e saj me politikën, gjatë një debati të hapur me studentë e pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës.

balla1

E ka ushtruar profesionin e gazetarit për afro çerekshekulli dhe në dekadën e fundit drejton një emision të rëndësishëm politik në Top-Channel, Top-Story. Sokol Balla që jemi mësuar ta shohim gjithmonë në rolin e intervistuesit,  dje ishte në rolin e të intervistuarit, rol që e mori si i ftuar në karrigen e Forumeve UET, nën moderimin e pedagoges Belina Budini.

Balla ishte i ftuar në kuadër të forumeve me temë “Populizmi vs Reformizmi”, ku kanë qenë më parë kolegë të tij gazetarë, politikanë të njohur në Shqipëri dhe Kosovë dhe personalitete të tjera nga jeta publike shqiptare.

Dy ishin çështjet ku Balla u ndal gjatë forumit të së martës në mbrëmje; gazetaria, problemet dhe kriza e saj sot dhe marrëdhënia e gazetarisë me politikën.

Në rolin e gazetarit vëzhgues dhe njohës i politikës së ditës, ai po ashtu bëri një analizë të shkurtër të tipareve populiste dhe reformiste tek disa prej politikanëve më të rëndësishëm të tranzicionit shqiptar si Nano, Berisha, Rama dhe Meta.

Balla tha se pak a shumë të gjithë politikanët shqiptarë janë populistë. “Nuk kam ende  parë një politikan shqiptar, pavarësisht mëyrës se si e shpreh atë, që të vijë në emisionin tim, dhe të mos ketë këtë qëllim. Pra besoj që tendenca e politikanëve, kur vijnë në emisione të tilla është që ata të përcojnë mesazhin e tyre pavarësisht nga pyetjet e tua”, tha ai.

I pyetur nga Budini nëse mund të rreshtonte politikanët reformistë dhe ata populistë, Balla e nisi me ish-kryeministrin socialist, Fatos Nano dhe e përfundoi me Metën, duke i quajtur të gjithë reformatorë në një mënyrë a një tjetër.

“Fatos Nano ka reformuar shoqërinë shqiptare në disa aspekte, në të cilat ne nuk do të na shkonte mendja kurrë, lejoi dialogun, zyrtarizoi tolerancën, guxoi pa frikë të bënte ndryshime të forta dhe të mëdha në jetën e tij personale, duke i dhënë një shembull një shoqërie që ishte ende e mbylllur, pati guximin të falte ata që e ndëshkuan, madje të toleronte ata që  e kishin ndëshkuar. Pra nuk mund ta quash Fatos Nanon joreformist. Hyn tek grupi i reformatorëve të këtij vendi.

Në mënyrën e tij, Sali Berisha është reformator,  sepse unë them që reformator në rradhë të parë është ai që arrin të ndryshojë veten e tij, dhe Sali Berisha vetë është futur në një proces vetëtransformimi të pabesueshëm.  Kush do mendonte se Sali Berisha do fitonte zgjedhjet në 2005. Por e votuan mjaftueshëm shqiptarë dhe ndryshoi mjaftueshëm që të bëhej i pranueshëm për të gjithë. Si kryeministër, pati merita të jashtëzakonshme në disa reforma të rëndësishme si p.sh. taksa e sheshtë. Mendoj që taksa e sheshtë ishte më shumë sukses i asaj qeverie se ç’është taksa progressive në qeverinë aktuale.

Por padyshim  tek reformistët do të fusja dhe Edi Ramën. Kjo është e pamohueshme për shkak edhe të asaj që unë do e quaja transformim estetik të Shqipërisë për të cilin të gjithë ne kemi nevojë. Kemi nevojë pasi ne të gjithë në shtëpiat tona kemi rregulluar banjot, dhomat e pritjes, por ne hapim dritaret dhe hedhim plehrat jashtë. Estetizmi i Edi Ramës e ka ndihmuar të mbulojë disa defekte të qeverisë që ai ka, sicc kanë gjithë kryeministrat. Mënyra se si ai kërkon ta sjellë ndryshimin, dhe kërkon ta sjellë shpejt ndoshta edhe me arrogancë, ndoshta edhe pa marrë dhe respektuar opinionin e të gjithëve, ndoshta edhe me atë gabimin që bëjnë zakonisht populistët, përfshirë dhe Sali Berishën, të cilët mendojnë se cfarë është mirë për ta është mirë edhe për vendin e tyre. Por padyshim me  gjithë defektet që gjithë këta politikanë të tranzicionit kanë nuk mund t’i mohosh atyre shpirtin e tyre reformator. Ndër ta hyn dhe Ilir Meta, pasi për herë të parë theu monopolin politik. Pati guximin, të dilte përballë dhe të thoshte që ka një alternativë të tretë. Sot mund  ta gjykojmë shumë këtë alternativë të tretë, ishte ajo e duhura apo jo, ccfarë është, cfarë do të jetë pas 4 vitesh, por krijjimi i një partie të tretë dhe suksesi i saj elektoral solli reformën e sistemit politik në vend. Deri në pikën që ndoshta iu sugjerua shqiptarëve që ajo duhej të korrigjohej për shkak se po sillte një deformim të caktuar”, – komentoi moderatori i Top-Story.

Duke kujtuar intervistën e parë me kryeministrin e sotëm Balla thotë se ai gjithmonë të jep përshtypjen se kërkon të kapërcejë aktualitetin politik.

“Për herë të parë e kam intervistuar në ’98 kur u kthye nga Parisi, dhe feedback-u ishte se ky individ kërkon të vazhdojë gjatë në politikë dhe me kalimin e viteve sa herë bisedoja, sa herë e citoja, intervistoja ajo që shikoja tek Edi Rama, ishte gjithmonë, përpjekja e tij e qartë tashmë, këmbëngulja e tij, vendosmëria e tij, për të dhënë një mesazh  që kapërcente aktualitetin politik në të cilin ai ndodhej”. – tha Balla.

Ndërsa për Bashën Balla  tha se po ecte në librin e shkruar më parë nga Rama.

“Kam vënë re disa nga individët tek Partia Demokratike, brezin e ri që që ka ardhur, “prurjet e z.Basha.”  duket sikur është ajo prerja paralele të themi meqënëse z. Basha po ecën drejt një libri të shkruar nga Edi Rama, apo edhe të gjithë ata që janë poshtë tij, duhet të ecin ashtu sicc po themi ecën edhe prurjet e z. Rama, në krye të PS, në 2005”, komentoi Balla i pyetur nëse ai mund të pikaste ambiciozët e rinj në politikë.

Gazetaria shqiptare, nga romantizmi tek kasetat e partive

Drejtuesi i Top-Channel pranoi se gazetaria shqiptare po përjeton një krizë financiare dhe jo vetëm dhe atë të pavarësisë. Në gjykimin e tij gazetaria shqiptare mund të ndahet në tre faza; ajo romantike që për Ballën ishte periudha e parë e saj pas viteve ’90, kur mes gazetarëve kishte solidaritet, punë të pavarur nga politika dhe investigimeve serioze. Faza e dytë është ajo e bumit ekonomik sipas tij që përkon me vitin 1999  e vijoi për gati një dekadë me hapjen televizioneve e radiove e gazetave të reja. Faza e tretë është kjo që po jetojmë sot dhe që është kriza, sipas Ballës. “Besoj që pas vitit 2008-2009 si edhe gjithë ekonomia botërore, edhe media po përjeton fazën e saj të krizës. Unë mendoj që jemi në një  krizë të plotë pasi asetet financiare janë të limituara dhe kjo limiton mirëfilli punën tonë direkte”- thekson ai.

Balla e quan një krizë financiare, por pranon se po ashtu është një krizë pavarësie nga politike, duke marrë si shembull “imponimin” sipas tij të kasetave të gatshme që vijnë nga selitë e partive, që nënkupton mbikalim të punës së vërtetë gazetareske.

Per Fevziun

Moderatori i Top-Story pa përmendur emra emisionesh të tjera politike të të njëjtin format tha se nuk ishte për emisionet e gjata me debate që tejkalonin etikën në komunikim. I pyetur për kolegun rival me të njëjtin format televiz, Blendi Fevziu në “TV Klan”, ai tha se “sigurisht kam respekt për atë që ju e quani rival, ndërsa unë e quaj kolegun tim. Besoj është personi që e nisi përvojën e debateve politike në vend prej 20 vjetësh dhe shumë të tjerë kanë vazhduar në gjurmët e tij, pavarësisht se jo shumë ia kanë dalë. Unë ndjek modelin tim të gazetarisë, nëse është ai i ndryshëm nuk është në gjykimin tim ta vlerësoj”./Mapo.al/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura