Ristani flet për grevën e urisë, tregon letrën që i shkruajti babait: Ia lashë te vendi i punës…

Feb 20, 2018 | 12:08
SHPËRNDAJE

Arben Ristani para se të vendoste të hynte në grevën e urisë, shkoi tek vendi i punës së të atit. Ish- studentin e Fakultetit Juridik e mundonte dilema për atë çfarë do t’i thoshte babait dhe përgjigjja që do të merrte prej tij.

ristani

Por, mosndodhja e babait në atë moment e zgjidhi situatën e të birit. I shkroi një letër dhe pak rreshta, ku i tregonte për vendimin që kishte marrë, madje “guxonte” t’i fliste edhe për të drejtat dhe liritë e njeriut…

Arben Ristani tregon për “Gazeta Shqiptare” bisedat mes të rinjve 28 vite më parë, se si mund të ishte vendi ynë në demokraci dhe Shqipëria si Evropa. Një ndër rrugët drejt saj ishte greva treditore e 700 studentëve, e cila çoi në rrëzimin e miteve të diktatorit Hoxha.

Z.Ristani, cila ishte situata në Qytetin Studenti para grevës së urisë 27 vite më parë, që çoi në rrëzimin e bustit të diktatorit?

Unë kam qenë student i Juridikut në vitet 1987-1991. Nuk banoja në Qytet Studenti dhe s’mund të flas për situatën atje, por tek të gjithë ne ndjehej një erë ndryshimi. Çdo ditë talleshim, tregonim barsoleta për diktatorin, pasardhësin e tij, Ramiz Alinë dhe anëtarët e Byrosë Politike, lexonim dhe ndanim me njëri-tjetrin ato pak shkrime politike të intelektualëve të kohës dhe ndiqnim me vëmendje lajmet që na vinin për atë që po ndodhte në vendet e lindjes komuniste.

A ishte në dijeni familja juaj që po hynit në greve urie?

Para se të shkoja për te greva e urisë, isha bashkë me Kreshnik Spahiun dhe të dy u nisëm për të vendi ku punonte babai im. Po përgatisja me vete çfarë dhe si do ia thosha.

…Dhe si e zgjidhët dilemën?

Dilemën ma zgjidhi fakti që babai nuk ndodhej aty. Atëherë shkrova dy gisht letër dhe ia lashë te vendi i punës.

Çfarë i shkruat babit?

I thashë që po futesha në greve urie dhe diçka patetike mbi të drejtat dhe liritë e njeriut.

A u kërcënua familja juaj nga regjimi i asaj kohe?

Jo, nga regjimi nuk pati reagim ndaj familjes sime.

Si u vendos për hyrjen në grevë urie dhe kush ishte ideatori?

Nuk kam dijeni si u vendos dhe nga kush, por mbaj mend që Blendi Gonxhe ishte shumë aktiv në organizimin e grevës.

Si e kalonit kohën gjatë grevës së urisë dhe cilat ishin kryesisht bisedat që bënit së bashku?

Ishim të ndarë në dy salla të mëdha të kinoklubit. Mesa kujtoj, gati 3 qind vetë në njërën. Ndoshta më shumë në sallën tjetër. Bisedat ishin kryesisht se si mund të ishte vendi ynë në demokraci, si mund të ishte Shqipëria si Evropa. Por bisedat ishin natën e parë aq sa na mbante entuziazmi, më pas rrinim shtrirë dhe flisnim pak, se uria bënte të veten.

Intervisten e plote e lexoni ne GSH ne kete link 

http://www.gsh.al/2018/02/20/greva-e-urise-arben-ristani-cfare-i-shkrova-babait-ne-leter/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura