Ristani: Cili ministër garantonte trafikun e drogës?

Aug 27, 2015 | 13:34
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike akuzon ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri si përgjegjës për trafikun e drogës me Italinë, ku dy ditë më parë u arrestua edhe një polic.

Arben Ristani
Arben Ristani

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani tha në një konferencë për shtyp se heshtja e Tahirit vetëm sa e implikon më shumë atë në këtë çështje.

“Qeveria dhe Ministri i Brendshëm vazhdon të fshihet dhe nuk jep asnjë shpjegim pas zbulimit që i bënë autoritetet italiane rrjetit të trafikut të drogës me avionë, dhe pas zbulimit se në krye të kësaj skeme mafioze ishte shefi i tij i Policisë në Vlorë. Qytetarët dhe opinion publik kërkojnë të dinë se ku e gjeti mbështetjen shefi i personelit të Policisë së Vlorës për të nisur avionë me drogë drejt Italisë? Me kë i ndante ai paratë e këtij biznesi kriminal? Cili deputet apo ministër siguronte paprekshmëri dhe garantonte këtë linjë trafiku të drogës?”, pyeti Ristani.

Sipas tij qytetarët duan të dinë se si u rikthye në Polici Vladimir Zanaj, i arrestuar gjatë aksionit të policisë italiane.

“Kjo është një ngjarje tronditëse që tregon se sa pushtet ka fituar krimi në këtë vend dhe sa shumë i lidhur është me qeverinë. Pa ndërhyrjen e autoriteteve italiane, trafiku do të vazhdonte. Avionët me drogë do të fluturonin të qetë, dhe paratë do të ndaheshin e pasuritë e zyrtarëve do të shtoheshin. Ministri i Brendshëm është nën akuzë për këtë ngjarje dhe heshtja e tij vetëm sa e implikon më shumë. Bën propagandë me ca rrënjë kanabis, ndërkohë që lejon trafikun me avion të tonetalave bimë narkotike. Situata është kritike dhe ortakëria me krimin ka kapur majat. Vetëm një reagim mbarëpopullor do ta pastrojë politikën dhe qeverisjen nga krimi e droga”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura