Risia/ Shkon në Kuvend strategjia për udhëtim me bileta elektronike

Nov 30, 2015 | 10:26
SHPËRNDAJE

Për herë të parë do të parashikohet me ligj udhëtimi me biletë elektronike. Qeveria ka dërguar në Kuvend për diskutim projektligjin që do të rregullojë transportin rrugor në vend. Në një nga nenet e këtij projektligji thuhet se : “Neni 21/2 parashikon dispozitat për sistemin e biletimit. Në këtë nen janë parashikuar dispozitat për të gjitha llojet e biletave, duke parashikuar në këtë mënyrë edhe biletën elektronike, e cila mund blihet kudo. Në këtë mënyrë udhëtarëve iu krijohen lehtësira për pajisjen me biletë në çdo rast për të gjitha llojet e linjave dhe gjatësinë e udhëtimit që kryhet”.

urbanet

Nga ana tjetër përmes këtij projektligji synohet edhe krijimi i Regjistrit Elektronik Kombëtar të Transportit Rrugor, por edhe sistemet inteligjente të transportit rrugor dhe lidhjes me mënyrat e tjera të transportit. Përafrimi i kësaj direktive kërkon kohë shtrirje më të gjatë dhe do të përafrohet me udhëzim të ministrit.

Projektligji përcakton gjithashtu se linjat kryesore shërbejnë për të plotësuar nevojat e lëvizjes së popullsisë që lidhin bashkitë, si më poshtë vijon: Bashkitë qendër të qarqeve të ndryshme. Një bashki qendër qarku me bashkitë jo qendër qarku të një qarku tjetër ose dy bashki jo qendër qarku të qarqeve të ndryshme. Transporti në linjat kryesore kryhet pa ndalime ose me ndalime në stacionet e përcaktuara gjatë itinerarit të linjës. Linjat ushqyese lidhin dy bashki brenda një qarku me qëndrime në stacionet e përcaktuara gjatë itinerarit të linjës, të përcaktuara në rrjetin e linjave. Rrjeti i linjave ndërqytetase, stacionet e qëndrimit dhe numri i orareve për secilën linjë miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për transportin çdo tre vje.

Gjithashtu parashikohet edhe mënyra se si do të funksjonojnë terminale.

Terminali i autobusëve është infrastruktura e transportit që plotëson kushtet e nevojshme për mbërritjen dhe nisjen e autobusëve, hipjen ose zbritjen e udhëtarëve e të bagazheve të tyre dhe për shërbime të tjera që kanë të bëjnë me transportin e udhëtarëve dhe operatorëve të transportit rrugor.

Çdo udhëtar pajiset me biletë për udhëtimin e përshkruar. Biletat blihen në terminalin e autobusëve, në autobus, në agjenci ose në çdo vend tjetër, të cilit operatori i transportit i ka dhënë të drejtën për shitje.

Udhëtari në autobus paraqet biletën e udhëtimit me kërkesë të personit të autorizuar nga operatori i transportit ose të organeve të kontrollit në rrugë.

“Autorizimi për funksionimin e terminalit të autobusëve lëshohet nga kryetari i bashkisë, ndërsa vendi se ku do të ndërtohet terminali i autobusëve do të caktohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore. Tarifat e shërbimit për operatorët e transportit përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Financave”, thuhet në projektligj. /Monitor/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura