“Riorganizim të PS në të gjithë Shqipërinë”/ Damian Gjiknuri: Do të korrigjojmë gabimet që kemi bërë. Pse Fieri nuk pati rezultatet që prisnim

Sep 15, 2021 | 17:47
SHPËRNDAJE

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka zhvilluar një takim me strukturat në qytetin e Fierit, me qëllim riorganizimin e kësaj force politike.

Në përfundim të takimit, Gjiknuri në një deklaratë për mediat është shprehur se riorganizimi do të bëhet në funksion të analizës dhe rezultateve elektorale.

“Rezultati mund të ishte edhe më i mirë, por ka një analizë për të bërë për të nxjerrë konkluzione dhe natyrshëm PS do të korrigjojë ato gabime që ka bërë me qëllim që zgjedhjet vendore të jenë një rezultat shumë më i favorshëm për PS.

Takimi ishte i karakterit organizativ, prezantues dhe lënien e detyrave për strukturat e partisë për të filluar disa nga masat që janë në funksion të riorganizimit të PS.

Në të gjithë Shqipërinë do të ketë riorganizim të strukturave, në funksion të analizës dhe rezultateve elektorale”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS.

Të pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit në Fieri, Gjiknuri tha se ky qark ka një analizë të thellë për të bërë. Duke menduar për një kohë afatgjate, ai u shpreh se fitorja e zgjedhjeve lokale do të ketë një rëndësi të madhe për zgjedhjet e përgjithshme pas 4 vitesh.

“Fieri nuk pati rezultatin që prisnim dhe pikërisht në Fier ka një analizë të thellë për të bërë. Fieri ka qenë qark i majtë, por natyrshëm që në këto zgjedhje ka gjëra që duhen parë. Fieri për ne ka rëndësi dhe fitorja e zgjedhjeve vendore do të jetë e rëndësishëm për zgjedhjet e përgjithshme”, tha Gjiknuri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura