Rinovimi i anijeve të peshkimit, Çuçi: Qeveria dhe BE do japin grantin prej 1.5 milion eurosh

Sep 14, 2020 | 13:58
SHPËRNDAJE

Anijet e peshkimitPavarësisht pandemisë së Covid-19, peshkimi mbetet një nga sektorët me rritjen më të shpejtë në ekonominë shqiptare. Për gjashtë muajt e parë të vitit 2020 rritja e eksporteve në vlerë është 24.5% dhe në peshë 31.6%, kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë gjatë vitit 2019 Shqipëria eksportoi rreth 100 milionë euro peshk dhe prodhime deti. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ishte një natë në Adriatik me një prej anijeve më të mëdha të flotës shqiptare të peshkimit dhe një ndër më të mëdhatë në Mesdhe per gjuajtjen e pelagjikëve.

Përjashtimi i naftës së peshkimit nga taksat, heqja e TVSH për materialet e peshkimit, si dhe investimet në infrastrukturë, janë ndërhyrjet e duhura që kanë dhënë rezultate në këtë sektor tha ministri Çuçi.

“Politikat tona në këto 6 vite e kanë çuar peshkimin në një stad tjetër. Është një nga sektorët që ka performuar shumë mirë. Po të shohim statistikat, eksporti i peshkut dhe prodhimeve të detit është rritur me 3.25 herë më shumë se në vitin 2013. Ju kujtoj gjithashtu se një nga gjerat më të mëdha që e kanë ndihmuar sektorin është përjashtimi nga taksa e qarkullimit, nga taksa e ndikimit në mjedis dhe nga akciza e naftës për peshkimin. Sot sektori i peshkimit e merr naftën me çmim burse. Sot shkon në rreth 40 lekë litri i naftës nga rreth 170 lekë që ishte para 6 vitesh”, tha Çuçi.

Më tej ai bëri të ditur edhe një tjetër iniciativë në ndihmë të sektorit të peshkimit që pritet të aplikohet së shpejti. Sipas ministrit, Qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian do të vënë në dispozicion një grant prej 1.5 milion eurosh për të subvencionuar 50% të shpenzimeve për rinovimin e të gjithë pajisjeve për anijet e peshkimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura