Rinisin fluturimet nga Stambolli. Shqiptarët e bllokuar tregojnë orët e pritjes

Jul 17, 2016 | 14:24
SHPËRNDAJE

Rikthehen fluturimet Stamboll-Tiranë, dy ditë pas tentativës për grusht shteti në Turqi. Në orën 08:25, avioni i nisur nga Stambolli prekun pistën e Aeroportit “Nënë Tereza”, duke sjellë edhe shqiptarët e parë që ishin bllokuar prej dy ditësh në Turqi.

Rinas
Rinas

Por si e kanë përjetuar ata situatën e krijuar dhe çfarë ka ndodhur në Aeroportin “Ataturk” të Stambollit?

“Mua më ra shumë keq, sepse m’u desh të prisja dy net. Isha që natën e parë të panikut dhe terrorit në aeroport, personeli na u zhduk nga sytë. Dëgjuam vetëm krisma e bomba. Një natë qëndruam thuajse 24 orë në aeroport, pastaj na dërguan këta të kompanisë në hotel. Ne që u bllokuam te tranziti natën e parë u tmerruam”, thotë një pasagjere.

“Kemi kaluar gjithë terrorin dhe panikun e atyre momenteve. Popullin dhe ushtrinë e kemi parë nëpër fotografi, por edhe i kemi filmuar. Dje në drekë kisha edhe varrimin e tim ati, por nuk e kapa dot. Vij nga Londra dhe i lutem Zotit që mos t’ia shohë më bojën atij shteti”, thotë një tjetër pasagjer.

Por ka pasur edhe nga ata, të cilëve nuk u është dashur të presin në aeroport, por që shqetësimin për atë po ndodhte e kanë përjetuar në qytet.

“Njerëzit nuk dilnin jashtë sepse kishin frikën e një shtetrrethimi, u munduan thjesht të blinin gjerat bazë ushqimore”, shprehet pasagjerja tjetër.

“Gjëndja ishte shumë e vështirë andej, u stresuam dhe u frikësuam të them të drejtën”, tha një grua e moshuar.

Aeroporti kryesor i Turqisë dhe një ndër nyjet lidhëse mes shumë vendeve, anuloi të gjitha fluturimet mesnatën e së premtes, kur grupe të ushtrisë tentuan të merrnin drejtimin e qeverisë me anë të një grushti shteti, për të rifilluar sërish punë rreth 12 orë më pas. /TCH/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura