Rinisë shqiptare, shoqëria i detyrohet arsim falas, cilësor dhe sipas meritës!

Sep 21, 2017 | 12:00
SHPËRNDAJE

fugaARTAN FUGA

1. Arsimimi i kombit është një detyrë kushtetuese për shtetin, çka u detyrohet qytetarëve gjithë jetën, por në radhë të parë rinisë shqiptare. Arsimi publik i plotë, cilësor, falas, sipas meritës është e drejtë bazë kushtetuese, nuk është mall që shitet në pazar. Është njësoj si të marrësh frymë, të kesh ajër, të kesh dritë, diell.

2. Pse arsimimi deri në shkollë të mesme qenka e drejtë për të qenë falas, kurse arsimi universitar qenka për t’u futur dorën në xhep familjeve dhe të fyen studentët e ardhur nga shtresat e varfra, 90 për qind e shqiptarëve, që të zhyten në diferencime privilegjesh 10 për qind e rinisë? Si funksionon për arsimin e mesëm, funksionon edhe për atë universitar! E thjeshtë!

3. Përtej një tape manipulimi të poshtër ideologjik të ardhur nga media që paguhet dhe financohet nga paratë që familjet japin për të arsimuar fëmijët e tyre dhe që shkojnë për propagandë politike dhe linçim të kundërshtarëve, çdo emigrant, nga qindra mijërat, e di si ajri dhe si buka që ha, aq e thjeshtë është kjo politikë humane dhe iluministe, sepse në Europën e Bashkuar arsimi sikurse mjekësia janë falas dhe funksionojnë. Arsimimi falas është dhe duhet të jetë një matës për integrimin e vendit në BE.

3. Arsimim falas nuk do të thotë pa lekë. Familjet shqiptare e kanë paguar njëherë arsimimin e fëmijëve të tyre, sepse paguajnë taksa, sepse nga pagat iu mbahen parà për pensionet, politikat sociale, shërbimet publike. Edhe të papunët kontribuojnë sipas mënyrës së tyre, sepse ata janë pjesë vitale e kombit! Pse t’i rrjepim dy herë apo tre herë familjet shqiptare për të njëjtin shërbim?!

4. Arsimim i plotë falas sikurse funksionon falas policia, burgjet, deputetët, shërbimet publike në zyra, sikurse përdorim trotuaret, madje edhe rrugët e qytetit edhe ata që qarkullojnë me makina të shtrenjta.

5. Ekonomikisht arsimimi falas është i mundur edhe nga ana buxhetore. Çfarë i bëtë të ardhurat e kapura nga kanabisi, mjafton të hiqen me shkop thane vjedhjet në tendera, abuzimet financiare në zyra që shkojnë në miliarda! Mjafton të vihen në efiçiencë burimet natyrore, mjafton të kursehet duke futur transportin me tren dhe jo duke abuzuar me atë rrugor, mjafton të mos abuzohet me paratë publike për palma të kalbura! Vetëm paratë e humbura nga bllokimi i shkollave doktorale në universitetet publike ka kushtuar qindra e qindra milionë lekë, humbje e denjë për t’u investiguar nga media dhe prokuroria!

6. Arsimim publik falas, cilësor, sipas meritës, kurse shkollat private le t’i çojnë tarifat e tyre në stratosferë, po të duan t’i varin portretet e pedagogëve si reklamë në stacione autobusësh, madje të bëjnë edhe “street events” duke i varur për këmbe në shtylla neonesh nëse ata e pranojnë këtë gjë, le të bëjnë një platformë orientimi të studentëve meritë-kërkesë që të funksionojë vetëm për ta.

7. Stop politikave të dhunshme në arsimimin universitar ku shteti prish tregun duke i detyruar studentët të regjistrohen në universitete private. Sipërmarrja e lirë është e lirë nga çdo detyrim shtetëror për t’i çuar në mënyrë klienteliste te privati klientët. Detyrimi për të blerë një mall sikurse është arsimimi privat me detyrim shtetëror është një politikë e regjimeve të Djallit!

8. Shkollat e larta private ta konsiderojnë studentin ose familjarët që paguajnë për studimet si aksionerë në to dhe të vihen në bursë ose përndryshe të shndërrohen në fondacione jo fitimprurëse pa të drejtën e zhvendosjes së fitimit në sfera të tjera biznesi, duke ndaluar që universitetet private të financojnë dhe të kenë në pronësi të hapur ose të fshehur mediat politike kombëtare, sepse asnjë vend nuk e lejon këtë!

9. Sistemi i dërgimit të kuotave të studentëve nga shteti tek universiteti privat ka rrënuar cilësinë e arsimimit në mjaft universitete private gjeneraliste, diplomat pa vlerë në treg, papunësia intelektuale në stratosferë dhe ka korruptuar edhe sistemin arsimor, edhe administratën shtetërore edhe ka rrënuar arsimin publik. Kritere të vërteta dhe jo false për të matur cilësinë e arsimimit që mund të aplikohen brenda dy javësh!

10. Universitetet publike kanë nevojë të çlirohen nga arbitrariteti dhe ndërhyrja e administratës shtetërore dhe i politikës, i politizimit të bordeve, i rrënimit të dinjitetit të profesorit dhe studentit, ata po rrënohen në dobi të privatit sikurse bëhet me spitalet, radiotelevizionin, bibliotekat, kërkimin shkencor, dhe me të gjitha shërbimet publike.

11. Arsimim publik falas, cilësor dhe sipas meritës, duke kërkuar vetëm një tarifë të vogël regjistrimi për shërbimin administrativ! Kaq. Si në Europën Perëndimore! Çdo djalë apo vajzë emigrante, në botën e lirë, jashtë tenxheres së presionit të propagandës kriminale të lobive egoiste dhe korruptive, e di se ky është realitet i përditshëm, jeta e përditshme në Perëndimin europian!

Kjo politikë nuk është as e djathtë, as e majtë, ose edhe e majtë sepse bazohet te politikat sociale, edhe e djathtë sepse jo vetëm kujdeset për shtresat popullore, por edhe liberale sepse bazohet te liberalizmi i vërtetë, dhe jo te liberalizmi rural lanabregas, sepse ndan privaten nga publikja dhe lejon konkurrencën e lirë në tregun privat!

Ne nuk mund të paguajmë disa herë për të njëjtin shërbim në arsimim, edhe taksa, edhe kontribute sociale dhe pagesa shtesë për të mbushur xhepat e ndokujt që në vend të arsimit na jep copa letrash pa vlerë! 90 për qind e rinisë shqiptare universitare ushqehet keq, jeton keq, është shumë e varfër, nuk ka mundësi të ushqehet në minimumin e nevojshëm, nuk blen dot librat e tekstet, nuk kulturohet dot! Kjo provohet pa vështirësi!

Ndërkaq ata të cilët mbushin xhepat pa meritë dhe në mënyrë abuzive duke përfituar nga kjo gjendje katastrofike mbushin xhepat, manipulojnë opinionin publik, bëjnë presion mbi politikën, korruptojnë nëpunësit e administratës publike!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura