Rindërtimi, si po investohen 65 milionë eurot e BE të zbatuara nga UNDP

Feb 22, 2021 | 12:44
SHPËRNDAJE

TIRANE/ Gjashtëdhjetë e pesë milionë euro do ndryshojnë plotësisht 58 objekte arsimore në 11 bashki të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

rindertimi

Programi i Bashkimit Europian për shkollat, i cili financohet nga BE-ja dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, në përgjigje të procesit të rimëkëmbjes pas tërmetit do të sjellë kushte shumë të mira për mijëra nxënës.

Nga premtimi rekord prej 1.15 miliardë euro, Komisioni Europian, shtetet anëtare të BE-së dhe Banka Europiane e Investimeve sollën 400 milionë euro për rimëkëmbjen e Shqipërisë, duke përfshirë 115 milionë euro në grante të drejtpërdrejta nga Komisioni Europian. Programi siguron përmirësime thelbësore të infrastrukturës në 20 kopshte, 30 shkolla fillore dhe 9- vjeçare, 8 shkolla të mesme, si dhe një konvikt me një buxhet prej gjashtëdhjetë e pesë milionë eurosh.

Një vit pas Konferencës Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, një grup përfaqësuesish nga Bashkimi Europian monitoruan ecurinë e punimeve në tri kantiere ndërtimi nga 58 institucionet arsimore që janë përfshirë në procesin e rindërtimit. Konkretisht ata inspektuan ecurinë e punimeve në shkollën “Korb Muça” të fshatit Qerekë në Krujë, shkollën “Demokracia” në Mamurras të Kurbinit dhe kopshtin “1 Qershori” në Durrës. Pas inspektimit të tyre, Andrea Vera Marco, shef sektori i delegacionit të BE-së, tha se procesi është transparent, i përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës duke pasur parasysh dy qasje: të ndërtojmë sërish më mirë dhe të ndërtojmë së bashku.

“Në qasjen e parë kemi marrë parasysh nevojat e komunitetit, kemi përdorur standardet më të mira të energjisë standardet mjedisore dhe të ndërtimit. Gjithçka që po bëjmë është transparente dhe e prekshme”, tha Vera Marco. Ndërkohë, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i PNUD-së, Nuno Queirós, tregon se puna është bërë duke ndjekur standardet më maksimale. “Të gjithë ata që duan të kuptojnë duhet ta shikojnë dhe të monitorojnë atë çka ndodh në këtë proces”, tha ai. Inxhinieri Sokol Muc’ogllava thotë se shkolla e re 9-vjeçare ‘Korb Muça’ dhe kopshti me hapësirë rreth 3000 metra katrorë që është duke u ndërtuar nga themelet po bëhet sipas të gjithë parametrave bashkëkohorë europianë, si nga ana ndërtimore, por dhe nga eficienca energjetike, duke u mbështetur tek ‘Eurocod 8’, madje ka edhe një ashensor. Edhe nga ana sizmike është e sigurt”.

Rindërtimi, Soreca: BE, donatori i parë dhe partneri më i besueshëm

Me rastin e përvjetorit të Konferencës Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca deklaroi se ndaj Shqipërisë u tregua një solidaritet i pashembullt për të mbështetur procesin e rindërtimit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Arsimi dhe kultura janë dy prioritetet që BE-ja ka vendosur të ridimensionojë në çdo qytet ku u dëmtuan.

“Që nga dita e parë, Bashkimi Europian ka treguar solidaritet të pashembullt me Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Ne premtuam të ndihmojmë dhe tani po e realizojmë duke investuar në sektorët e prekur rëndë të arsimit dhe kulturës. Asgjë nuk e mishëron qëndrueshmërinë dhe besimin tek e ardhmja më mirë sesa shkollat. Objektet e reja arsimore po ndërtohen me përfshirjen e komuniteteve lokale, duke ndjekur standardet më të larta europiane. Ndërkohë, rigjallërimi i trashëgimisë kulturore do të sjellë përfitime për ekonominë vendore, do të diversifikojë turizmin dhe do të forcojë lidhjen midis Shqipërisë dhe historisë së saj europiane. Përgjigja e Bashkimit Europian dhe shteteve anëtare të tij gjatë gjithë vitit të kaluar ka treguar edhe një herë se BE-ja është donatori i parë dhe partneri më i besueshëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh ambasadori Soreca.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura