Rindërtimi i pallateve/ Qeveria ndan rreth 1.8 miliardë lekë për dy bashki

Jan 20, 2021 | 17:18
SHPËRNDAJE

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është vendosur ndarja e rreth 800 milionë lekëve për bashkinë e Tiranës në kuadër të procesit të rindërtimit për pallatet e reja për banorët e prekur nga tërmeti i vitit 2019.

640x480-kryeministria

Ndërkohë, një shumë prej 720 milion lekësh janë ndarë për bashkinë e Kurbinit për të njëjtin qëllim.

Po, për këto dy bashki është miratuar përdorimi i fondit të rindërtimit i miratuar për vitin 2021, në masën 312 252 160. Vendimet kanë hyrë në fuqi ditën e sotme duke u publikuar në Fletoren Zyrtare.

Vendimi:

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RIFORCIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT) NË BASHKITË TIRANË DHE KURBIN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 1 561 260 803 (një miliard e pesëqind e gjashtëdhjetë e një milion e dyqind e gjashtëdhjetë mijë e tetëqind e tre) lekë, për financimin e riforcimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të cilat janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, nga bashkitë Tiranë dhe Kurbin, sipas detajimit të mëposhtëm:
  2. a) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi në masën 840 575 731 (tetëqind e dyzet milionë e pesëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e shtatëqind e tridhjetë e një) lekë;
  3. b) Bashkisë Kurbin i transferohet fondi në masën 720 685 072 (shtatëqind e njëzet milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e shtatëdhjetë e dy) lekë.
  4. Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, në masën 312 252 160 (treqind e dymbëdhjetë milionë e dyqind e pesëdhjetë e dy mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) lekë, për financimin e riforcimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të cilat janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, nga bashkitë Tiranë dhe Kurbin, sipas detajimit të mëposhtëm:
  5. a) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi në masën 168 115 146 (njëqind e gjashtëdhjetë e tetë milionë e njëqind e pesëmbëdhjetë mijë e njëqind e dyzet e gjashtë) lekë, në formën e transfertës së pakushtëzuar;
  6. b) Bashkisë Kurbin i transferohet fondi në masën 144 137 014 (njëqind e dyzet e katër milionë e njëqind e tridhjetë e shtatë mijë e katërmbëdhjetë) lekë, në formën e transfertës së pakushtëzuar.
  7. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Tiranë dhe Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura