“Rimëkëmbje e shpejtë e ekonomisë gjatë vitit 2021″/ Guvernatori Sejko takim me përfaqësuesit e BERZH: Ja masat e ndërmarra gjatë pandemisë

Jul 2, 2021 | 10:17
SHPËRNDAJE

Edhe pse ka ende pasiguri që vijnë kryesisht prej varianteve të reja të COVID-19, treguesit flasin për një rimëkëmbje të shpejtë ekonomike, që sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pritet të vazhdojë edhe në vitet në vijim.

sejko

SEJKO

Ndërsa bëri një ekspoze të panoramës ekonomike në vend të fokusuar në ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike, zhvillimet në sistemin financiar e bankar, si dhe pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë në të ardhmen, në takimin me përfaqësuesit e BERZH, Sejko u ndal edhe në masat e marra nga Banka e Shqipërisë në përgjigje të goditjes së krijuar nga pandemia.

Guvernatori veçoi rritjen e stimulit monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, si dhe ndryshimet në kuadrin rregullator, të cilat patën për qëllim lehtësimin e shtyrjes së përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e BERZH vlerësuan pozitivisht politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë në përgjigje të situatës së krijuar nga COVID19, si dhe për kontributin e saj në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit, përmirësimin e ambientit të kreditimit e kuadrit mbikëqyrës e rregullator dhe përafrimin e tij me standardet më të mira ndërkombëtare. Më në veçanti u vlerësuan politika e Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit dhe shëndetit të bankave, pavarësisht sfidave dhe vështirësive me të cilat u përball Shqipëria gjatë periudhës së pandemisë dhe më herët.

TAKIMI

Qëllimi i takimit të djeshëm ishte prezantimi i Përfaqësueses së re të Përhershme të Zyrës së BERZH-it në Shqipëri, Ekaterina Solovova, e cila do të zëvendësojë në këtë detyrë Matteo Colangeli. Guvernatori vlerësoi BERZH-in për asistencën teknike që i ka ofruar Bankës së Shqipërisë, kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare dhe stabilitetit financiar. Ai u ndal te projekti i ri që do të mbështesë Bankën e Shqipërisë në përpjekjet e saj për përafrimin e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës për institucionet e kreditit me standardet e Bashkimit Europian, duke adresuar boshllëqet që do të identifikohen përmes asistencës teknike. Gjithashtu, guvernatori i Bankës së Shqipërisë vlerësoi dhe linjën e kredisë prej 100 milionë eurosh që iu akordua Agjencisë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave (ASD), si një mjet shtesë mbrojtës që ndikon në rritjen e stabilitetit të sektorit bankar në vend dhe të sigurisë së klientëve.

Sakaq, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, përfaqësuesit e BERZHit falënderuan guvernatorin për bashkëpunimin e deritanishëm institucional, si dhe diskutuan lidhur me projektet e ardhshme, duke vlerësuar potencialet e vendit dhe duke shprehur angazhimin për rritjen e bashkëpunimit në fusha me interes të veçantë për Shqipërinë.

RRITJA EKONOMIKE

Të mërkurën Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) prezantoi raportin mbi rritjen ekonomike. Sipas BERZH-it, parashikohet që për vitin 2021 ekonomia të rritet me 4.5% këtë vit. Kështu, pritshmëritë janë që të arrihet në nivelin e 2019-ës, por gjithsesi e parë në raport me vendet e rajonit, rritja ekonomike në vend do të jetë më e ulët se mesatarja e Ballkanit Perëndimor me 5.1%. Konkretisht, në rajon ritmin më të lartë të rritjes këtë vit do ta ketë ekonomia e Malit të Zi, me 8.5%, për shkak të rënies së madhe të vitit të kaluar me -15.2%; ekonomia e Serbisë do të zgjerohet me 6%, ekonomia e Maqedonisë me 4%, ajo e Kosovës 4%, ndërsa ekonomia e Bosnjës me 3.5%.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura