Rimëkëmbja ekonomike, Sejko: Politika monetare, stimuluese

Nov 17, 2021 | 10:48
SHPËRNDAJE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, shpreh bindjen se ekonomia po vijon të rimëkëmbet gradualisht nga pasojat e shkaktuara prej pandemisë.

sejko

Gjatë një takimi dje me drejtorin rajonal të Korporatës Financiare Ndërkombëtare për Europën Qendrore dhe Juglindore, Ary Naïm, Guvernatori vuri në dukje se projeksionet e deritanishme sugjerojnë se parametrat do të vijojnë të stabilizohen gjatë vitit 2022 dhe stimuli monetar do të krijojë premisa për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv gjatë vitit të ardhshëm.

Pandemia, ashtu si vendet e tjera vuri në dukje Sejko, e vuri në provë Shqipërinë, lidhur me qëndrueshmërinë ekonomike.

Megjithatë falë masave të marra dhe instrumenteve të përdorura në kohën e duhur dhe të mirëkoordinuara nga Banka e Shqipërisë dhe nga qeveria për të mbështetur veprimtarinë financiare, u arrit të mbahej nën kontroll ndikimi i pandemisë në ekonomi dhe ruajtja e stabilitetit monetar e financiar.

Një rol të rëndësishëm në rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë kanë luajtur reduktimi i masave kufizuese, rritja e besimit, përmirësimi i ambientit të huaj, si dhe politikat stimuluese ekonomike.

Drejtori rajonal i Korporatës Financiare Ndërkombëtare, Ary Naïm, vlerësoi Bankën e Shqipërisë për politikat e ndërmarra, të cilat kanë kontribuuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe konsolidimin e vazhdueshëm të sistemit financiar në Shqipëri.

Naïm nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së vlerësimit të rrezikut nga ndryshimet klimatike në politikat e përgjithshme të vlerësimit të riskut si nga ana e institucioneve publike ashtu dhe nga sistemi financiar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura