“Rimëkëmbja ekonomike po forcohet”. FMN: Përmirësoni mjedisin e biznesit

Jun 24, 2016 | 14:07
SHPËRNDAJE

Rritja ekonomike do të forcohet vetëm nëse përmirësohet klima e biznesit dhe rritet kreditimi.

Shefja e Misionit të FMNsë, Anita Tuladhar, përcolli dje dy mesazhe gjatë konferencës së katërt financiare të organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Guvernatori Sejko
Guvernatori Sejko

“Mesazhi im kryesor është se rimëkëmbja ekonomike në Shqipëri po forcohet dhe është në përputhje me trendin rritës të rajonit, por ajo mund të përforcohet më tej duke përmirësuar mjedisin e biznesit dhe duke trajtuar pengesat që po frenojnë rritjen e kreditimit”.

Edhe guvernatori Gent Sejko dha mesazhin se kreditimi i dobët po kthehet në rrezik për rritjen ekonomike, ndërsa bankat të tregohen më elastike.

FMN

FMN ngriti shqetësimin se rritja ekonomike nuk ka ardhur nga kreditimi. Tuladhar tha se niveli i kredisë për ekonominë është më i ul- ëti në rajon, pengesat janë kërkesa e dobët nga sektori privat dhe stepja e bankave për shkak të nivelit të lartë të kredive me probleme.

“Rimëkëmbja ekonomike nuk është mbështetur nga rritja e kreditimit dhe ky është një trend që ne e konstatojmë në Ballkanin Perëndimor, i njëjti trend është edhe në Shqipëri. Ne shohim që rritja e kredisë është më e ulët se në vendet e rajonit. Sipas analizës sonë, kërkesa vazhdon të jetë e ulët, në veçanti nga sektori i ndërtimit që ka luajtur rolin kryesor në kreditim, çka reflektohet edhe në uljen e çmimeve të pasurive të paluajtshme në të gjitha vendet e rajonit. Nga ana e ofertës, vështirësia është te niveli i kredive me probleme, ku krahasuar me vendet e rajonit, niveli i kredive me probleme është më i larti, me përjashtim të Serbisë. Pra, këto i shohim si faktorë kyç kufizues për rritjen e kredisë në rajon”, tha Tuladhar.

SEJKO

Për guvernatorin Sejko, mungesa e kreditimit përbën rrezik për rritjen ekonomike, duke shpjeguar qartë arsyet e rënies.

“Faktorët e kërkesës pritet të përmirësohen në afat të mesëm, sipas analizave dhe parashikimeve tona. Dhe, deri sa të përmirësohen, oferta për kredi mund të rrezikojë rritjen e kreditimit dhe gjallërimin e ekonomisë”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u kërkoi bankave të jenë më largpamëse në politikat e kredive.

“Bankat tregtare duhet të jenë më largpamëse dhe elastike në politikat e kreditimit. Produktet e kreditimit dhe ato bankare mund të përmirësohen. Është shumë e rëndësishme që rreziku i kredisë të perceptohet si duhet, në linjë me perspektivat e situatës ekonomike. Ju duhet të forconi bashkëpunimin dhe të përmirësoni partneritetin me bizneset lokale, të kërkoni në mënyrë aktive raste të mundshme të kreditimit të shëndetshëm, t’i përshtatni produktet e kredidhënies sipas profilit specifik të rrezikut të biznesit”, u shpreh Sejko.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura