“Rimëkëmbja ekonomike, e shpejtë dhe e qëndrueshme”/ Sejko: Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime do mundësojë rritje të punësimit

Nov 12, 2021 | 7:43
SHPËRNDAJE

Banka e Shqipërisë pret rritje të shpejtë të ekonomisë në vitin 2021 dhe me ritme të qëndrueshme në 2022 e në vijim.

sejkoRritja e kërkesës do të shoqërohet me përmirësimin e punësimit, që nga ana e saj do të sjellë kthimin e inflacionit në objektiv në vitin 2022. Këto politika bazohen në një konsolidim të politikës fiskale, ndërsa politika monetare do të vijojë të jetë e pranishme, ndonëse mund të reduktohet në vijim. Rreziqet për inflacionin në afatin e shkurtër janë në kahun e sipërm, paralajmëron Banka. Një rritje e çmimeve në tregjet ndërkombëtare së bashku me një konsolidim më të ulët fiskal, shkruan “Monitor” do ndikonte rritjen e inflacionit. Në të kundër, një rimëkëmbje më e ngadaltë do të frenonte rritjen e çmimeve. Megjithatë, banka i qëndron opinionit se rritja e çmimeve do të jetë e përkohshme dhe nuk ka arsye pse të reagojë ndaj kësaj goditjeje.

RAPORTI

Banka e Shqipërisë ka prezantuar një ditë më parë raportin e politikës monetare për tremujorin e katërt, që përfshin përditësimin e të dhënave deri në datën 22 tetor. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, rimëkëmbja ekonomike është e lidhur me një sërë faktorësh, duke nisur nga reduktimi i masave kufizuese, rritja e besimit deri tek politikat monetare dhe fiskale. ”Të dhënat e disponuara flasin për rritje të mëtejshme të ekonomisë në gjysmën e dytë të vitit. Rimëkëmbja ekonomike është mbështetur nga një gamë e gjerë faktorësh. Reduktimi i masave kufizuese, rritja e besimit, përmirësimi i ambientit të huaj, si dhe politikat stimuluese monetare dhe fiskale, i kanë hapur rrugë zgjerimit të shpejtë të konsumit, investimeve dhe eksporteve shqiptare. Politika monetare ka vijuar të mbetet në kahun stimulues. Ky stimul, i përcjellë përmes nivelit më të ulët historik të normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit në sistem, ka krijuar kushte të favorshme financimi për bizneset dhe familjet shqiptare”, tha Sejko. Sipas tij, zgjerimi i kërkesës për mallra dhe shërbime do të mundësojë një rritje më të shpejt të punësimit dhe pagave dhe do të krijojë premisat për kthimin e inflacionit në objektiv.

“Inflacioni erdhi në rritje gjatë tremujorit të tretë, duke shënuar një vlerë mesatare prej 2.4%. Në mungesë të goditjeve të mëtejshme, aktiviteti ekonomik do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, ndonëse ritmi i rritjes pritet të vijë në mënyrë të natyrshme. Zgjerimi i kërkesës për mallra dhe shërbime do të ndihmojë rikuperimin tërësor të dëmeve të shkaktuara nga pandemia, do të mundësojë një rritje më të shpejtë të punësimit dhe të pagave, dhe do të krijojë premisat për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022”.

Në vend, inflacioni ishte 2.4% në tetor, i ndikuar nga çmimet e energjisë dhe ushqimeve, ndërsa inflacioni bazë është i qëndrueshëm, pasi goditjet e ofertës nuk e kanë ndikuar inflacionin bazë (që përjashton ushqimet), i cili qëndron në nivelet e 1.5%. për këtë arsye banka vlerëson se presionet inflacioniste janë të moderuara. Vlerësimet e bankës tregojnë se efekti i goditjeve nga ana e ofertës do jetë i pranishëm dhe në 6 mujorin e parë 2022, ndërsa parashikimet e gjithë vitit presin një korrektim për ushqimet dhe metalet e mineralet.

NORMA E INTERESIT

Bazuar në këta tregues, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Për rrjedhojë, vendosi të mos ndryshojë normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%, si dhe të mbështesë kuadrin aktual të operacioneve injektuese të likuiditetit për tremujorin në vazhdim. Banka thotë se do të ndërhyjë me politikën monetare, nëse inflacioni do të dilte jashtë kontrollit, por për momentin nuk ka një rrezik të tillë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura