“Rilindja e Venecias”/ Artisti shqiptar bën ‘gjestin hyjnor’ përmes “Dritës”, 7 instalacione që rrëfejnë botën futuriste në kohë pandemie

Oct 19, 2020 | 15:45
SHPËRNDAJE

Gjatë kësaj vjeshte veneciane të pazakontë, Arsenali po provon kostumet më elitare të artit, atij viziv, kinemasë e muzikës, që harmonizohen me imazhin e një qyteti në lundrim.

helidon xhixha

Protagonizmin në këtë panoramikë, që fikson “Rilindjen e Venecias” e ka marrë padyshim “Drita” simbolike, që artisti shqiptar Helidon Xhixha “i ka veshur” veprave të tij monumentale, që e rikthejnë në qytetin magjik.

Janë 7 instilacione, në çelik inoksi, të cilat, jo vetëm që i gëzohen pamjes së “koncertit kulturor” ngritur në çadrat e Arsenalit, por edhe dialogojnë me to, për të komunikuar më tej, nevojën e një qyteti historik, për t’u kapur pas së ardhmes.

Harmonizimi në perfeksion i dritës, me format e çelikta të instilacioneve të tij, i flet së bukurës, shpresës, pas një periudhe aspak të lehtë për Venecian, ashtu si edhe për qytete të tjera.

Arti Xhixhës bëhet përçues i mesazhit për nevojën e ripërtëritjes shpirtërore, pas pandemisë.

“Gjithmonë kam dashur t’i harmonizoj veprat e mia me dritën. Ne, Venecia, e gjithë bota ka nevojë për dritë veçanërisht në këto kohë të errëta dhe arti edhe kësaj here, rimerr rolin e tij thelbësor, për të treguar të vërtetën… E vërteta ime, ajo që unë dua të përçoj përmes dritës dhe artit, është rilindja e Venecias”, tregon Xhixha për mediat italiane.

Arti bashkëkohor i Helidon Xhixhës ndonëse i pakufizuar në kohë dhe hapësirë, e merr lëndën e parë nga aktualiteti pandemik.

“Këtë vit gjendem në një nga vendet më të jashtëzakonshme. Jam në atë ‘corpus santus’ ku lindi “La Serenissima” (quhej ndryshe Venecia), një qytet, kultura e magjia e të cilit, u përhap nëpër botë dhe pati një rol mjaft të rëndësishëm”, tregon artisti.

Xhixha shpjegon, se në këtë periudhë veprat e tij synojnë të përçojnë reflektimin e këtij vendi sa të bukur aq edhe të gëzueshëm.

“Jam përpjekur që përmes instalacioneve të vë në dukje refleksionet, ndjeshmërinë, por edhe rrjedhshmërinë. Pra, është një vepër që plotësohet nga drita, por edhe nga plazma që i jep formën. Është një dialog i hapur që bëhet simfoni, muzikë e mandej të thërret”, shton më tej.

Vizitorët e Venecias në këtë periudhë, tentojnë t’i prekin nga afër veprat, edhe duke u bërë pa kuptuar pjesë e asaj që artisti tenton të komunikojë.

“Është një vepër që ndryshon në vazhdimësi. Sa herë që publiku kërkon ta prekë, si të ishte ujë i plazmuar në çelik”, shprehet Xhixha.

KLOD DEDJA: “DO BËJ TË PAMUNDURËN QË KËTO VEPRA TË PËRSHKOJNË BOTËN”

Kuratori i ekspozitës “Dritë, rilindja e Venecias”, Klod Dedja tregon, se vepra e Xhixhës, në këtë vit pandemie, përçon edhe mesazhin se “arti ia del mbanë gjithmonë”.

“Edhe pse është një periudhë kufizimesh, ku të gjithë ndiejnë frikën e asaj që do të ndodhë nesër, në të ardhmen… artisti është ai që bën gjithmonë një hap para.

Helidoni është një nga ata artistë bashkëkohorë që arrin të transformojë formën me mjeshtëri. Vepra e tij, është thuajse një gjest hyjnor.

Një arkitekturë shpirtërore, që krijon dhe shformon. Dhe ky deformim, na kujton se asgjë nuk është e qëndrueshme”, tregon Dedja.

Sipas tij, veprat e Xhixhës ripropozojnë një botë futuriste.

“Është vepër lundruese në Venecia, si ajsberg. Si diçka e jashtëzakonshme. Si kuratori i tij do të bëj të pamundurën që këto vepra të përshkojnë anembanë botën”, shton më tej ai.

Ekspozita “Dritë, rilindja e Venecias” mund të vizitohet deri në 13 dhjetor. Hyrja do të jetë e lirë dhe publiku mund të prekë nga afër veprat e tij nga e hëna në të premte, nga ora 8.00 deri në orën 16.00.

Ndërsa të shtunën, të dielën dhe gjatë ditëve festive, ekspozita mund të vizitohet nga ora 10 në orën 17.

XHIXHA, ARTISTI I TEMAVE SHOQËRORE DHE EKZISTENCIALE

Helidon Xhixha ka lindur në Shqipëri, por jeton dhe punon midis Milanos e Dubait. Ai e nisi karrierën artistike, kur ishte ende shumë i ri dhe menjëherë preku suksesin: veprat e tij të njohura monumentale, që frymëzohen nga tema të rëndësishme shoqërore dhe ekzistenciale, arkitekturat e tij mbresëlënëse, realizuar prej çeliku që nuk ndryshket, janë pjesë e koleksioneve të rëndësishme publike dhe private. Pjesëmarrja në Bienalen e Venecies, Bienalen e Dizajnit në Londër, çmimet që ai ka marrë në të gjithë botën, pa dyshim, i japin një pozicion prestigjioz në skenën ndërkombëtare të artit, të skulpturës bashkëkohore.

Helidon Xhixha=Venecias (1)

Helidon Xhixha=Venecias (2) Helidon Xhixha=Venecias (3) Helidon Xhixha=Venecias (4) Helidon Xhixha=Venecias (5) Helidon Xhixha=Venecias (6) Helidon Xhixha=Venecias (7) Helidon Xhixha=Venecias (8)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura