“Rikthimi në fushë më ngjau me ditën e parë të shkollës”, mesfushori Bruno Dita zbulon të ardhmen

| 16:00
SHPËRNDAJE

Bruno Dita i jep sinjale të hapura “dashurie” Skënderbeut. Edhe pse i përfundon kontrata dhe mbi të gjitha nga Tirana kanë shfaqur interesim për të, ai nuk e përjashton mundësinë e rinovimit. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mesfushori lë të hapur opsionin për të zgjatur bashkëpunimin me korçarët.

Dita-goli

Numri 22 i bardhekuqve rrëfen edhe emocionet e rikthimit në fushë, ndërsa e krahason me ditën e parë të shkollës. I ka munguar futbolli pas më shumë se dy muajsh pushim, megjithatë është i bindur se ekipi i tij do të marrë maksimumin nga këto 10 javë që kanë mbetur.

Bruno, sa ju kishte munguar futbolli pas më shumë se dy muajsh izolim?

E kemi thënë shpesh, kjo shkëputje ka qenë e vështirë. Por, më në fund mbaroi dhe tani u rikthyem. Dhe të jem i sinqertë, tani e kuptova se sa mall kisha për zakonin e përditshëm të stërvitjeve në grup dhe futbollit. Dy muaj larg fushave kanë qenë vërtet të vështirë për t’u përballuar. Kemi kaluar vërtet ditë të vështira, por e rëndësishme është që u rikthyem.

Le të ndalemi te rikthimi. Cilat ishin emocionet e ditës së parë?

Ka qenë njësoj si dita e parë e shkollës, emocion maksimal, entuziazëm dhe një dëshirë e madhe për të rifilluar. Dëshirë që vihej re te çdo lojtar. Tani presim që qeveria të vendosë për datën zyrtare se kur do të fillojë kampionati.

Sa ka ndryshuar forma fizike pas 67 ditësh ndërprerje?

Jashtëzakonisht shumë. Nëse do të kujtojmë momentin kur u ndalua kampionati, ne ishim në një formë të shkëlqyer. Por, tashmë, pas dy muajsh shkëputjeje, asgjë nuk mund të jetë si më parë. Kanë ndryshuar shumë gjëra, që shpresoj t’i rikuperojmë deri diku.

Vetë Dita si ndihet?

Jam munduar në maksimum të ruaj formën sportive për të mos e pasur të vështirë rikthimin, por normalisht duke parë izolimin në kuadër të masave të marra ka qenë tejet e vështirë të mbash atë rendiment. Më shumë jam munduar të jem gati në aspektin atletik.

A mendoni se mund të ktheheni sërish atje ku e mbyllët para Koronavirusit?

Jo. Sigurisht që jo. Koha nuk të premton pasi kemi vetëm pak ditë në dispozicion për t’u përgatitur. Në vetëm 10 ditë nuk mund të bësh shumë, por të paktën të shpresojmë që të marrim ngarkesën e duhur dhe të përballojmë ngjeshjen e kampionatit.

Në këto 10 javë të mbetura ku mund të arrijë Skënderbeu?

Jemi në vendin e katërt dhe do të mundohemi të ngjitemi akoma më shumë. Nuk mund të përgjigjem saktë pa parë se çfarë gjendjeje dhe çfarë forme kanë ekipet e tjera. Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se ne do të japim maksimumin dhe do të provojmë të jemi mes tri vendeve të para. Jam i bindur se një gjë të tillë mund ta arrijmë pasi cilësitë i kemi në grup.

Dita

Të hënën ju priti vetë presidenti. Çfarë ju tha?

Po, është e vërtetë. Na kërkoi që të bënim kujdes maksimal me shëndetin. Na bëri të ditur se e rëndësishme është që në fund të kësaj situate të gjithë të jemi shëndosh e mirë. Na tregoi protokollin shëndetësor në një situatë të tillë dhe kaq.

Po për çështjen e financave, si është situata te Skënderbeu?

Për momentin mendoj se është gjëra e fundit për të diskutuar në këtë situatë ku ndodhemi prandaj nuk dua të bëj asnjë koment.

Së fundi, cila është e ardhmja e Bruno Ditës?

Unë kam një kontratë me Skënderbeun të vlefshme deri në fund të sezonit dhe jam duke menduar vetëm për Skënderbeun në këtë moment, më pas të shohim. Do të më pëlqente nëse vijoja këtu. Nuk e përjashtoj si mundësi, por gjithçka le t’ia lëmë të ardhmes.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.