“Rikthimi i kufizimeve ngadalësoi ekonominë”/ Guvernatori Sejko: Rimëkëmbja do të ndodhë gjatë…

Feb 12, 2021 | 9:34
SHPËRNDAJE

Rikthimi i masave kufizuese në fundvit ka vënë në vështirësi sërish ekonominë. Sipas Bankës së Shqipërisë, aktiviteti ekonomik pati një përmirësim në tremujorin e tretë të vitit, i ndikuar gjerësisht nga heqja e masave shtrënguese në pjesën më të madhe të vendeve.

sejko

Zbutja e efekteve të pandemisë u reflektua si në përmirësimin e aktivitetit në sektorit prodhues, ashtu edhe në frenimin e rënies së sektorit të shërbimeve. Por rikthimi i kufizimeve ndikoi në ngadalësimin ekonomik. Pasiguria mbetet e lartë, ndërsa shpresat për një rimëkëmbje janë te vaksinimi. “Aktiviteti ekonomik shënoi kontraktim më të lehtë në tremujorin e tretë të vitit 2020. PBB-ja ra me 3.5%, nga 10.2%, duke shënuar një rikuperim gradual pas lehtësimit të masave anti-Covid. Rënia e lehtë e pasigurisë dhe përmirësimi relativ i besimit frenuan dinamikën rënëse të konsumit privat dhe ndihmuan rritjen e investimeve. Po ashtu, ecuria e eksporteve u përmirësua lehtësisht, ndonëse dinamika e tyre është kushtëzuar nga dobësia e kërkesës së huaj.

Treguesit e disponuar sasiorë dhe cilësorë janë në linjë me vlerësimet tona për vijim të rikuperimit të ekonomisë në tremujorin e fundit të vitit 2020. Megjithatë, rikuperimi i aktivitetit ekonomik mbetet ende i brishtë në afatin e shkurtër”, thuhet në raportin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të këtij viti. Tregu i punës po ashtu erdhi në përmirësim, nga 50 mijë vende pune të humbura në tremujorin e tretë, 30 mijë u rikthyen në punë përgjatë 3 mujorit të fundit të 2020-ës. Sipas raportit, ecuria ekonomike kushtëzohet nga ecuria e pandemisë.

“Duke parë nga e ardhmja, Banka e Shqipërisë pret që rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik të vijojë dhe gjatë dy viteve në vazhdim. Rritja e kërkesës për mallra e shërbime do të ndihmojë rritjen e kërkesës për punë dhe të punësimit, duke u përkthyer më tej në rritje të pagave dhe në një kthim gradual të inflacionit drejt objektivit brenda vitit 2022. Këto projeksione mbështeten në supozimin e reduktimit progresiv të shkallës së përhapjes së pandemisë gjatë vitit 2021. Po ashtu, ato faktorizojnë trendet aktuale të zhvillimeve ekonomike në vend, perspektivën më pozitive të aktivitetit ekonomik në rang botëror, si dhe kërkojnë ruajtjen e një ambienti stimulues monetar e fiskal gjatë dy viteve në vazhdim”, tha guvernatori i BSH-së, Gent Sejko.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura