Rikthehet trafiku me gomone nga Shqipëria drejt Italisë. Pronari i hotelit po përpiqej t’i trafikonte me gomone

Jan 11, 2021 | 8:45
SHPËRNDAJE

pjimage

Një gomone me 50 emigrantë në bord u shpëtua mesnatën e së premtes nga roja bregdetare shqiptare dhe italiane afër grykëderdhjes së lumit Vjosa.

Sipas dëshmive të emigrantëve, gomonia u ça nga dallgët dhe për pasojë një pjesë e tyre, kryesisht nga Siria, Irani dhe Egjipti, morën djegie në lëkurë në pjesë të trupit nga benzina që përplasej nga presioni i dallgëve.

“Zëri i Amerikës” shkruante dy ditë më parë se 14 emigrantë u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë, sipas burimeve spitalore, ndërsa të tjerët morën ndihmë në spitalin e Vlorës dhe më pas u dërguan në mjediset policore. Mes tyre në Vlorë ndodheshin edhe katër gra dhe një fëmijë, ndërsa mes të lënduarve, që u dërguan në Tiranë, ishin edhe tre fëmijë të tjerë.

Emigrantët kanë dëshmuar se paguan nga 2 mijë deri në 4 mijë dollarë te skafistët, që u kishin premtuar se do t’i dërgonin në Itali me jaht.

Sipas burimeve policore, emigrantët njoftuan vet me telefon policinë e Vlorës dhe të Fierit, pasi kanë qëndruar gati tri orë në det të hapur në rrezik mbytjeje, ndërsa skafistët i kanë shpëtuar arrestimit nga Policia.

Nëntë klandestinë të tjerë, të cilët do të dërgoheshin drejt Italisë në mënyrë të paligjshme janë gjetur të strehuar në hotelin në pronësi të Fatos Dushës.

Ai u arrestua mbrëmjen e djeshme në Tiranë, nën akuzën se kishte strehuar 50 sirianët e arrestuar dy ditë më parë në Vlorë, ndërsa gjatë kontrolleve në hotelin në pronësi të tij në Tiranë, u gjetën edhe 9 klandestinë të tjerë. 63-vjeçari akuzohet se ka strehuar në ambientet e hotelit në pronësi të tij, klandestinët e evakuuar në Vlorë.

Arrestimi i tij erdhi pas dëshmive të klandestinëve sirianë, të cilët kanë përmendur emrin e Fatos Dushës.

Ai do të hetohet për veprën penale “Dhënie Ndihmë për Kalim të Paligjshëm Kufiri” e kryer ne bashkëpunim.

INCIDENTI

Mbrëmjen e së premtes, 50 klandestinë kanë rrezikuar të mbyten pasi mjeti ujor që do i trafikonte drejt Italisë ka pësuar avari.

Kanë qenë emigrantët, të cilët kanë marrë sallën operative duke kërkuar ndihmë dhe menjëherë në ndihmë të tyre kanë shkuar Roja Bregdetare, Policia e shtetit dhe Guardia di Finanza.

Me vështirësi emigrantët janë arritur të shpëtohen të gjithë dhe të hipën në mjetin e Rojës Bregdetare dhe janë transportuar për në portin e Vlorës. Shumë prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore i janë drejtuar spitalit të Vlorës.

16 persona morën ndihmë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa 9 burra dhe gra u nisën drejt Spitalit të Traumës, mes tyre tre fëmijë nën moshën 10-vjeçare.

Disa paraqesin djegie për shkak të benzinës në trupin e tyre sepse në dëshminë e dhënë kanë treguar se kanë qëndruar mbi 3 orë në det dhe benzina që gjendej në bidonë derdhej herë pas herë si pasojë e dallgëve.

Policia krehu zonën në kërkim të trafikantëve, por asnjë prej tyre nuk është arritur dot të kapet. Vetë ata janë shprehur se destinacion kanë pasur Italinë dhe se shuma që është paguar është rreth 2000 euro.

U kap në flagrancë, zbulohet roli i 63-vjeçarit. Pronari i hotelit po përpiqet t’i trafikonte me gomone

Një 63-vjeçar nga Tirana ka përfunduar në prangat e Policisë në lidhje me tentativën për të kontrabanduar emigrantë drejt brigjeve italiane. Policia e Vlorës bën me dije këtë mëngjes se shtetasi Fatos Dusha, po përpiqej të trafikonte 9 emigrantë me gomone.

“Në vijim të operacionit të përbashkët të zhvilluar mbrëmjen e djeshme, për parandalimin dhe goditjen e tentativës për kontrabandim në drejtim të Italisë, të emigrantëve nga vendet e treta, në grykëderdhjen e lumit Vjosë. Vihet në pranga një nga autorët e përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe DVP Tiranë, arrestuan në flagrancë shtetasin F. D., 63 vjeç’, banues në Tiranë. Nga hetimet dhe provat e siguruara ka rezultuar se ky shtetas ka strehuar në ambientet e hotelit në pronësi të tij, emigrantët e evakuuar gjatë operacionit të djeshëm. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e hotelit janë gjetur të strehuar dhe 9 klandestinë të tjerë”, tha zyrtarisht Policia.

Ndërsa sqaroi se strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe gjetjen e personave të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura