Rikthehet pas 25 vjetësh Ema Ndoja, luan në pjesën “Nata arabe”

Jun 28, 2016 | 20:00
SHPËRNDAJE

Pas një udhëtimi dimri, është një natë arabe, që e sjell atë në shtëpi. Pas një mungese të gjatë, aktorja Ema Ndoja ngjitet në skenën e teatrit.

ema ndojaaaËshtë pikërisht skena e Teatrit të Metropolit, që mirëpret aktoren e larguar nga Shqipëria shumë vite më parë. Ky rikthim vjen së bashku me premierën e veprës “Nata arabe”, të autorit gjerman Roland Schimmelpfennig, një produksion në bashkëpunim me Institutin Gjerman të Kulturës, “Goethe”.

Dje ka qenë takimi i parë mes realizuesve dhe kastit të aktorëve. Krahas aktorëve të tjerë, dikush me një barrë vitesh e karriere mbi supe e të tjerë më të rinj, regjisori Stefan Çapaliku ka përzgjedhur edhe Ema Ndojën.

Ajo e ruan ende atë pamjen prej një vajze të trishtuar, që e bënte një portret unik, mes gjithë bashkëmoshatareve të veta. Edhe buzëqeshja e saj dukej si një rebus, çka i shtynte regjisorët ta kishin në filmat e tyre.

Prej vitit 1985, deri në 1990, ajo do të luante çdo vit nga një film, duke premtuar për një karrierë të gjatë, sidomos në kinematografi. Disa prej filmave ku ajo do të interpretonte janë “Në prag të jetës” (1985), “Guri i besës” (1986), “Vrasje në gjueti” (1987), “Pranvera s’erdhi vetëm” (1988), “Balada e Kurbinit” (1989), “Fletë të bardha” (1990). Por, fatkeqësisht, atëherë kur Ema Ndoja po ngjiste suksesshëm rrugën e karrierës së vet, do t’i duhej ta ndërpriste. Ndërrimi i sistemeve do ta stoponte për një kohë të gjatë industrinë e filmit.

Ish-Kinostudioja “Shqipëria e re” nuk ekzistonte më dhe prodhimet filmike u bënë gjithnjë e më të rralla. Në këtë atmosferë, që nuk ofronte shumë shpresë, ishte shumë e vështirë që një aktore të gjente veten. Ishin vitet kur skenës dhe ekranit do t’i largoheshin disa prej emrave të saj më të mirë, si Eva Alikaj, Anisa Markarian etj. Do të largohej po ashtu edhe Ema Ndoja.

Martesa me avokatin dhe politikanin gjerman Rezzo Schlauch do ta mbante larg skenës dhe daljeve publike. Pas një shkëputjeje të gjatë, ajo do të rishfaqej për publikun në një aktivitet ku ndërthurej poezia dhe muzika në vitin 2011, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Së bashku me mexosopranon Vikena Kamenica dhe pianisten Merita Rexha, do të sillte një “Udhëtim dimri”, një cikël prej 24 këngësh nga poeti gjerman Wilhelm Müller, me muzikë të Schubert. Ky ishte kthimi i saj pas 20 vjetësh. Dhe tanimë kthehet me veprën e një tjetri autori gjerman, “Nata arabe”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura