Rikthehet pas 20 vjetësh Festivali i Teatrit, hap sezonin te “arTurbina”

Sep 14, 2018 | 10:56
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Salla “Kadri Roshi” në godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar nuk do të hapet për këtë sezon.

Këtë e konfirmon drejtori i TK-së, Hervin Çuli, sipas të cilit salla do të qëndrojë e mbyllur deri në momentin kur do të merret një vendim për rikonstruksionin e godinës, apo ndërtimin e një objekti të ri, në vend të atij ekzistues. Dhe sezoni i ri i TKsë do të hapet pikërisht në qendrën e re artistike “arTurbina” me një ngjarje, e cila ka munguar për vite me radhë. Bëhet fjalë për Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit. FESTIVALI I TË GJITHËVE Pas dy dekadash rikthehet në Tiranë Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, i cili konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit.4

Ky festival organizohet me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës. Nga data 23 deri në 30 shtator, 14 trupa teatrore nga të gjitha trevat shqiptare: Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, do të ngjiten në skenën më të re “arTurbina”, si dhe në atë të Universitetit të Arteve.

Për drejtorin e Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, ky festival, është aktiviteti i duhur për kohëra të trazuara. “Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit është një lajm i mirë për të gjithë. Janë 14 trupa nga teatro të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga Prishtina, Prizreni, Ulqini e Shkupi, që do të zbresin në Tiranë për të shkëmbyer eksperienca dhe për të njohur më mirë njëri-tjetrin. Nuk mund ta fshehim se po kalojmë kohëra të trazuara dhe ky festival vjen si një mesazh bashkimi dhe mirëkuptimi. Arti është ai që nuk njeh largësi, barriera, që kalon kufij shtetërorë dhe mendorë.

Pavarësisht mendimeve të ndryshme, është e qartë, që, në fund të fundit, të gjithë synojmë më të mirën. Skena, arti, është ai që na bashkon të gjithëve”, thotë Çuli, teksa shprehet entuziast për rikthimin e një aktiviteti që ka munguar prej vitesh. Krahas Teatrit Kombëtar, në këtë festival do të marrin pjesë edhe Teatri i Metropolit me dramën “Qiell i heshtur” dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me tragjedinë “Medea”. Po ashtu do të marrin pjesë në festival trupat e Durrësit, Vlorës, Fierit, Gjirokastrës, Korçës, Shkodrës dhe Elbasanit.

TEATRIT TË VJETËR I VIHET “DRYNI”

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit do të hapet në 23 shtator me një premierë. Është Teatri Kombëtar që do të ngrejë siparin me komedinë “Tag” të dramaturgut Bashkim Hoxha dhe me regji të Andia Xhungës. Për drejtorin Çuli, ky është një moment historik, duke qenë që kjo vepër shënon edhe veprën e parë teatrore që ngjitet nëskenën e “arTurbinës”, skenës së re aq të përfolur dhe të kontestuar nga rrethet artistike. Por me sa duket, kjo vepër do të shënojë edhe “shkëputjen” nga skena e vjetër e Teatrit Kombëtar.

Çuli thotë se festivali do të zhvillohet në skenën e “arTurbinës” dhe të Universitetit të Arteve. Përveç natës së parë dhe të fundit, përgjatë të cilave do të shfaqet vetëm një vepër në orën 19:00, gjatë netëve të tjera janë parashikuar nga dy shfaqje, veçse njëra do të shfaqet në orën 18:00 te salla e Universitetit të Arteve dhe tjetra në orën 21:00 në “arTurbina”. Salla e godinës historike të Teatrit Kombëtar nuk do të jetë në funksionim. Drejtori Çuli thotë se ajo do të jetë e mbyllur, për shkak se ekspertët e kanë shpallur si të papërshtatshme për të kryer funksionet e saj.

“Salla e Teatrit Kombëtar do të jetë e mbyllur, deri në momentin kur do të merret një vendim se çdo të ndodhë me atë godinë, nëse do të rikonstruktohet apo do të ngrihet një godinë e re.

Në Teatrin Kombëtar ka mbërritur shkresa nga Instituti i Ndërtimit, sipas të cilit kjo godinë paraqet rrezikshmëri për jetën e punonjësve dhe të publikut”, shprehet Çuli. Kështu, deri kur Kuvendi i Shqipërisë do të marrë në shqyrtim Ligjin special për Teatrin, të kthyer mbrapsht nga Presidenti i Republikës, nuk dihet fati i godinës 80- vjeçare të Teatrit Kombëtar. E sigurt është, që në këtë sezon, në atë skenë nuk  do të ngjitet asnjë shfaqje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura