Rikthehet ngërçi në Qarkun e Fierit, 7 muaj i bllokuar

May 30, 2016 | 13:15
SHPËRNDAJE

Prej nëntorit të shkuar, Këshilli i Qarkut të Fierit nuk funksionon. Asnjë veprimtari e tij nuk mund të zhvillohet si pasojë e ngërçit në të cilin ndodhet dhe për pasojë as 25 punonjësit e administratës kanë mbetur prej disa muajsh.

Vangjel Ndreko
Vangjel Ndreko

Ndonëse në ngërçin e parë të krijuar prej PD-së dhe LSIsë ekzistonte një këshill dhe një kryetar që, pavarësisht se nga gjykatat u cilësuan si të paligjshëm, mundësonin funksionimin e këtij institucioni, tashmë që PS-ja dhe LSIja janë në maxhorancë nuk kanë arritur dot ta mbledhin Këshillin e Qarkut Fier, duke sjellë si pasojë një bllokim total të aktivitetit të këtij autoriteti të pushtetit vendor.

Sipas ligjit për Vetëqeverisjen Vendore, pas konstituimit të këshillave të gjashtë bashkive që ndodhen në territorin e qarkut të Fierit dhe shpalljes së rezultatit të tyre, pritej që të thirrej edhe mbledhja e parë e Këshillit të Qarkut.

Sipas ligjit, kjo mbledhje duhej të thirrej ose nga kryetari i bashkisë më të madhe të qarkut Fier, ose nga një e treta e këshilltarëve të njësive vendore të zgjedhur për të përfaqësuar këto bashki në Këshillin e Qarkut brenda një afati prej 50 ditësh.

Por, pavarësisht se në të gjithë Shqipërinë u arrit që të kryheshin me sukses konstituimet e këshillave të qarqeve, një gjë e tillë nuk ndodhi për qarkun e Fierit. Gjithashtu, në ligj citohet fakti se në rastin se Këshilli i Qarkut nuk konstituohet deri në 90 ditë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve vendore, atëherë gjithë kompetencat dhe funksionet e këtij këshilli i ushtron prefekti, deri në arritjen e konstituimit.

Por, edhe pasi kaluan 90 ditë nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve vendore, këto kompetenca nuk u morën prej prefektit, duke sjellë si pasojë mosfunksionimin e plotë të Këshillit të Qarkut Fier dhe të administratës së tij që përfaqëson qeverisjen vendore të nivelit të dytë.

Në këto kushte, në krye të institucionit të Këshillit të Qarkut Fier vazhdon të qëndrojë kryetari në detyrë, Vangjel Ndreka, por për shkak se edhe atij i ka mbaruar mandati si i zgjedhur, nuk mund të marrë vendime dhe të ushtrojë kompetencat dhe funksionet e kryetarit të Këshillit të Qarkut Fier.

Nga burimet mësohet se Partia Socialiste ka e vetme maxhorancën e përfaqësuesve në këtë këshill, me 16 anëtarë nga 31 gjithsej. Partia Demokratike ka vetëm një përfaqë- sues, ndërsa këshilltarët e tjerë i përkasin LSI-së dhe PDIU-së.

Por, pavarësisht shumicës absolute që ka maxhoranca e majtë në këtë këshill, deri tani ka qenë e pamundur që të kryhet konstituimi, për shkaqe që ende nuk dihen. Ndërkohë, punonjësit prej muajit mars nuk janë paguar. Aktualisht janë 25 punonjës, ndërsa struktura e re përcakton vetëm 10 të tillë. Deri në konstituimin e Këshillit të Qarkut, asnjë prej tyre nuk po paguhet, pavarësisht frekuentimit të punës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura