Rikthehet e hëna pushim, pas çdo feste zyrtare që bie në fundjavë. Peleshi: S’është shaka për 1 Prill

Apr 1, 2015 | 10:47
SHPËRNDAJE

Rikthehet e hëna pushim pas çdo feste zyrtare që bie në fundjavë. Vendimi është marrë sot në mbledhjen e qeverisë.

Niko Peleshi

Në një deklaratë për mediat, zv/kryeministri Niko Peleshi tha se vendimi respekton Kodin e Punës.

“Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave ka vendosur që në respekt të Kodit të Punës, të të drejtës së punonjësve si pjesë themelore e të drejtave të njeriut, kur festat zyrtare bien në ditët e pushimit javor, dita e hënë do të jetë ditë pushimi, duke shfuqizuar në këtë mënyrë, VKM nr.54, datë 3.2.2010.

Ky vendim vjen gjithashtu në respekt të ndjeshmërisë së komuniteteve fetare, pasi ka festa kombëtare që u përkasin besimeve fetare. Kështu, duke filluar nga e hëna që vjen, e cila është e hëna pas Pashkëve katolike dhe përfitoj nga ky rast për t’i uruar gëzuar Pashkët besimtarëve katolikë, dita e hënë do të jetë ditë pushimi, si edhe çdo e hënë tjetër që vjen pas ditës kombëtare të pushimit, kur ajo bie në fundjavë.

Kthimi i ditës së hënë pushim është gjithashtu një stimul i rëndësishëm për turizmin e brendshëm. Sikundër e ritheksoj, respektohet Kodi i Punës, i cili e ka pasur të fiksuar ditën e hënë pushim, kur festa kombëtare bie në fundjavë”, tha Niko Peleshi.

Peleshi shtoi: “Gjithashtu dua të komunikoj edhe një projekt të qeverisë shqiptare, për të cilin po punohet me intensitet, që do të na japë mundësinë të pajisim me bonuse dhe incentiva, administratorët, nëpunësit dhe punonjësit publikë të shkëlqyer, të cilët spikasin në punën e tyre. Këto incentiva janë financiare, si dhe një sërë incentivash të tjera që tentojnë të korrigjojnë dështimet e tregut të punës dhe këtu e kam fjalën p.sh për pozicione të cilat mbeten vakante për shkak se nuk janë mjaftueshmërisht atraktive, siç janë mjekët e specializuar në spitalet rajonale apo mësuesit e lëndëve të vështira etj.

Pra, me një kosto zero në buxhet, ne po përmbyllim një paketë incentivash që synojnë të respektojnë të drejtat e punonjësve, t’i shpërblejnë ata në mënyrë të diferencuar dhe dinjitoze, për të rritur kështu kapacitetet, të cilat në fund fare kanë si qëllim shërbime dinjitoze, të përshtatshme dhe me standarde europiane për qytetarët tanë.

Faleminderit dhe dëshiroj të shtoj që kjo nuk është një shaka e datës 1 prill”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura