Rikonstruksioni i amfiteatrit në Durrës, shembet shtëpia e deputetit të PD

May 23, 2015 | 7:00
SHPËRNDAJE

Shumë shpejt Amfiteatri i Durrësit do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë për t’i rikthyer pamjen e mëparshme. Dje ka nisur puna për shembjen e banesave që janë më afër zonës së arenës, pasi më parë qeveria akordoi një fond prej 46 milionë lekë të rinj për shpronësimin.

Ministrja Kumbaro dhe Dako, dje në Durrës

Bëhet fjalë për largimin dhe shembjen e 9 banesave që ndodhen pranë amfiteatrit, mes tyre edhe shtëpia e prindërve të deputetit demokrat, Oerd Bylykbashi. Qeveria ka përcaktuar edhe shumën për çdo metër katror (87500 lekë).

Vetë poseduesit e objekteve nuk kanë pasur asnjë kundërshtim, duke lënë të kuptohet se janë të kënaqur me vlerën monetare të përfituar nga dëmshpërblimi. Shembja e banesave nuk i është besuar Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, por një firme të përzgjedhur nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, me qëllim që të kryhen punime profesionale. Fill pas kësaj faze do të nisin edhe gërmimet në arenën e amfiteatrit. Firma e kontraktuar për shembjen e këtyre banesave nisi dje nga puna për shembjen e tre prej shtëpive, të cilat ndodhen mbi arenën e amfiteatrit.

Shpronësimi i 12 objekteve dhe largimi i tyre nga amfiteatri, i ka hapur dritën jeshile investimeve që priten të kryhen për zbulimin e arenës në pjesën jugore të tij, me qëllim të dalë në dritë pjesa e paekspozuar e amfiteatrit romak. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ishte e pranishme në fillimin e punimeve, tha se projekti do të kalojë nëpër dy faza: e para prishja e 3 objekteve të para dhe në një fazë të dytë edhe 9 objektet e tjera. Sipas Kumbaros, gjithçka do të kryhet në mënyrë manuale, me qëllim që të mos ketë asnjë dëmtim gjatë punimeve.

Qeveria shqiptare ka shpronësuar me 46 milionë lekë pronarët e 3 banesave, të cilat po i nënshtrohen procesit të prishjes, ndërsa ka vënë në dispozicion edhe 4 milionë lekë të tjerë për të mundësuar prishjen manuale të banesave dhe rehabilitimin e trojeve të tyre.

“Fazën e dytë e kemi lënë pasi të përfundojë sezoni turistik. Kjo për shkak se nuk duam që të pengojmë vizitat që shtohen nga javë në javë të të interesuarve për të parë nga afër amfiteatrin”, sqaroi Kumbaro. Ky amfiteatër ka arkitekturë romake dhe ndërtimi i tij në qendër të qytetit 350 m larg detit, fillon në rrafshin e arenës 5,5 m mbi nivelin e detit, ndërsa 2/3 mbështetet në kodër. Amfiteatri 2700- vjeçar qëndron mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion.

Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali. Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 15-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve. LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura