Rihapet gara për Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së

Nov 27, 2015 | 15:06
SHPËRNDAJE

Rihapet gara për Drejtorin e Përgjithshëm të Radio Televizionit Publik Shqiptar. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli Drejtues i RTSH-së, me miratimin e anëtarëve të pranishëm (K. Traja, V. Sulçe, V. Grosha, Xh. Aliu, A. Peqini, Xh. Mato dhe P. Përvathi), vendosi shpalljen e konkurrimit të hapur për zgjerimin e listës së kandidaturave për funksionin e “Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH”.

Nga-Radio-Tirana-te-RTSH

Paraqitja e kandidaturave duhet të bëhet brenda 10 ditëve, duke filluar nga data 30 nëntor, deri në 9 dhjetor 2015. Kandidatët duhet të dorëzojnë dosjet përkatëse në zyrën e protokollit të Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH-së. Kriteret ligjore të zgjedhjes së kreut të këtij institucioni do të transmetohen në RTSH, gjatë kësaj periudhe 10-ditore, si dhe në gazetat me tirazhin më të madh gjatë tri ditëve.

Rihapja e këtij procesi vjen pas dështimit të garës së më- parshme. Asnjë prej kandidatëve të arritur në “finale” nuk arriti të marrë votat e duhura për t’u shpallur fitues i garës dhe Drejtor i RTSH-së.

Së pari, gara u hap në datën 1 qershor të këtij viti dhe thirrjes iu përgjigjën 20 kandidatë, emra të njohur të gazetarisë, por edhe letrave shqipe, që nga Elvira Dones, tek Artur Zheji, Ilir Yzeiri, Mirela Oktrova, Zana Çela etj. Por në votimin përfundimtar dolën përballë njëri-tjetrit kandidatët Thoma Gëllçi dhe Petrit Malaj, njëri nga bota e gazetarisë dhe tjetri nga aktrimi e pedagogjia.

Sipas ligjit, drejtori duhet të zgjidhet me dy të tretat e votave të Këshillit Drejtues të RTSH-së dhe pavarësisht tri raundeve, asnjëherë, asnjë prej kandidatëve nuk arriti të merrte numrin e duhur të votave.

Kjo çoi në rihapjen e garës, me shpresë që në mesin e muajit dhjetor të mund të zgjidhet drejtori i ri, me konsensusin e anëtarëve të përzgjedhur nga e majta dhe nga e djathta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura