“Rigoletto” hap sezonin në Teatrin e Operës

Jan 13, 2016 | 11:49
SHPËRNDAJE

Tragjedia e Rigoletos, lolos së pallatit dhe të bijës së tij, Xhildës, hap sezonin artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një nga kryeveprat e operistikes botërore dhe një nga më të rëndësishmet në repertorin e kompozitorit italian Giuseppe Verdi, “Rigoletto”, do të ngjitet në skenën e TKOB-it në datat 21, 23, 24 dhe 25 janar. Këngëtarët lirikë L. Kazani,V. Kamenica, G. Abduladze, Y. Gjini, J. Ysmanov, A. Kllogjeri, E. Marchesini, R. Tullumani, Z. Abazi, I. Hoxha, O. Islami do të interpretojnë nën regjinë e Nikolin Gurakuqit dhe dirigjimin e Juan Manuel Busto.

opera

Më tej, përgjatë katër muajve, në skenën e TKOB do të ngjiten opera, balete, koncerte me muzika dhome e muzikë popullore. Një nga produksionet më të mëdha të këtij sezoni do të jetë “I Capuleti e i Montecchi” nga V. Bellini. Historia e dashurisë e Romeo dhe Xhulietës do të shfaqet për publikun në muajin mars, me një kast të zgjedhur artistësh drejtuar nga regjisorja Ailyn Bozok.

Nuk do të mungojnë premierat edhe për baletin, ku në muajin shkurt do të vendoset në skenë “Arrëthyesi”, baleti i bukur klasik me muzikë të Tchaikovsky-t dhe koreografi të Ilir Kërnit. Pjesë e kalendarit artistik do të jenë edhe vepra repertori. Shfaqje baleti, që tashmë e kanë provuar suksesin e tyre para publikut, si veprat klasike “Ballo e Diplomës”, “La Sylphide”, baletet klasike që mund të ndiqen nga të rritur dhe fëmijë, por edhe ato bashkëkohore me koreografi të Angelin Preljocajt “La Stravaganza & Noces”, si dhe Daniel Cardoson “4 Pieces” dhe “Impact & Table”. Pas turneut të suksesshëm në Itali, trupa e baletit do të zhvillojë një turne njëjavor në Serbi me “La Stravaganza & Noces”. Produksionet e mëdha do të ndërthuren me shfaqjet koncertore.

I hapur në muajin dhjetor 2015, do të vijojë edhe përgjatë këtij sezoni. Instrumentistë shqiptarë e të huaj do të bëhen pjesë e nismës për ringritjen e Orkestrës së Dhomës së TKOB-it. Nuk do të mungojnë edhe koncertet e Ansamblit Popullor, nën drejtimin e drejtorit të ri artistik, Gerti Druga, i cili premton se do të sjellë një frymë të re në aktivitetin e ansamblit. Gjatë këtij sezoni janë parashikuar katër koncerte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura