“Rigjallërimi i kreditimit”, zbardhet platforma me 11 pika e Bankës së Shqipërisë

Nov 19, 2019 | 8:23
SHPËRNDAJE

Zgjerimi i skemave financiare që mundësojnë uljen e rrezikut të kreditimit, ndryshime të kuadrit rregullativ apo ligjor për të nxitur rritjen e kreditimit, identifikimi i sektorëve prioritarë për kreditim dhe pasurimi i produkteve dhe skemave kredituese, janë vetëm disa nga objektivat e platformës për rigjallërimin e kreditimit të prezantuar dje nga Banka e Shqipërisë.

Sejko

Në tryezën e përbashkët me bankat tregtare me temë “Sektori bankar si kontribuues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit” u prezantua edhe plani i veprimit për realizimin e 11 objektivave deri në dhjetor të 2020-ës.

PLATFORMA

Aktualisht në vendin tonë, kreditimi i sektorit privat nga sektori bankar, si peshë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, është në një nivel mesatar dukshëm më të ulët në krahasim me mesataren e vendeve të Bashkimit Europian. Kjo ecuri reflekton jo vetëm një trashëgimi historike, por pas krizës financiare globale të vitit 2008 tregon për rritjen e rrezikut të kësaj veprimtarie dhe rënien e kërkesës për kredi.

“Megjithatë, treguesit financiarë të sektorit bankar dhe të dhënat e vrojtuara sa i përket ngarkesës me borxh të familjeve dhe të ndërmarrjeve, dëshmojnë se potenciali për zgjerimin e kreditimit në tërësi dhe në sektorë të caktuar është i konsiderueshëm. Duke treguar kujdesin e nevojshëm dhe në varësi të ecurisë së kërkesës për kredi, bankat kanë hapësira për të rritur kreditimin me ritme më të shpejta, veçanërisht në monedhën kombëtare dhe në drejtim të sektorëve e subjekteve që kanë qenë më pak të financuar deri tani”, vë në dukje Banka e Shqipërisë.

Nëpërmjet kësaj platforme identifikohen disa veprime, që ndihmojnë në uljen e rrezikut të kreditimit dhe krijojnë kushte më të mira për rritjen e kreditimit. Dokumenti 7- faqësh prek politikat e kreditimit të bankave, sistemet e pagesave dhe edukimin financiar, por nuk kufizon dhe nuk përjashton ndërmarrjen e veprimeve të tjera mbështetëse. Banka vlerëson ndër të tjera se për realizimin e veprimeve të përfshira në këtë platformë, do të nevojitej përmirësimi i akteve ligjore e nënligjore dhe bashkëpunimi efektiv midis institucioneve publike.

KREDITIMI

Nga të dhënat e BSH-së rezulton që në tremujorin e tretë 2019, kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.5%. Zgjerimi i kërkesës dhe përmirësimi i ofertës së kredisë bankare kanë ndikuar në përshpejtimin e ritmit të rritjes së kredisë. “Oferta e kredisë bankare ka ardhur në rritje, si pasojë e përmirësimit të vazhdueshëm të ambientit të kreditit dhe të bilancit të sektorit bankar sikundër tregohet nga rënia në nivelin 10.6% e raportit të kredive me probleme, por edhe nga rritja e konkurrencës në sektor, me përfundimin e procesit të konsolidimit të sektorit bankar”.

Objektivat e platformës për gjallërimin e kreditimit

Kreditimi është një instrument i nevojshëm për të mbështetur investimet private në ekonomi, për të nxitur punësimin dhe për të rritur të ardhurat e shoqërisë. Banka e Shqipërisë dhe bankat që operojnë në vend kanë rënë dakord për zhvillimin e
kësaj platforme, ku identifikohen disa veprime që ndihmojnë në uljen e rrezikut dhe krijojnë kushte më të mira për rritjen e kreditimit. Këto veprime synojnë që krahas ofertës së kreditimit, të mbështesin edhe forcimin e kërkesës për kredi.
· Diversifikimi dhe zhvillimi i formave alternative të kolateralit
· Sigurimi i aksesit elektronik për bankat, në informacionin e nevojshëm që disponohet nga entet publike për vlerësimin e rrezikut të huamarrësit
· Zgjerimi i skemave financiare, që mundësojnë uljen e rrezikut të kreditimit
· Rishikim i rregullores për pasuritë e paluajtshme që bankat kanë marrë në bilancet e tyre
· Kryerja e propozimit për fillimin e procesit të ekuivalentimit të mbikëqyrjes bankare me
standardet e Bashkimit Europian
· Raportimi i bankave në Bankën e Shqipërisë sipas IFRS
· Zgjerimi i bazës së kreditueshme të popullsisë nëpërmjet rritjes së përfshirjes financiare
· Ndryshime të kuadrit rregullativ /ligjor për të nxitur rritjen e kreditimit
· Identifikimi i sektorëve prioritarë për kreditim dhe pasurimi i produkteve dhe skemave kredituese
· Përmirësimi i edukimit financiar të popullsisë

· Implementimi i shlyerjes së transfertave vendëse në euro nga Banka e Shqipërisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura